demokracia

"Politika publike dhe qeverisja" në Tiranë II

Publikuar më

Për shkak të aplikimeve të shumta të marra për trajnimin e parë "Politika publike dhe qeverisja", IDMC do të organizojë një trajnim të dytë në Tiranë, i cili do të ndiqet nga trajnimet në Shkodër, më 16 prill, dhe pastaj në Vlorë, më 13 maj.

Aplikimet e shumta për trajnimin në Tiranë tregojnë se të rinjtë nuk janë edhe aq pasivë. Ata kanë nevojë për më shumë workshop-e të cilat i ndihmojnë ata të përmirësojnë dijet e tyre rreth politikës. Shumica e të rinjve që aplikuan në këtë trajnim janë studentë, ndërsa të tjerët janë të rinj që punojnë në fusha që lidhen me politikën dhe ekonominë.

Dëshira e studentëve për pjesëmarrje tregon se ata, përveç dijes së fituar në universitet, janë të ndërgjegjshëm se duhet ta thellojnë njohjen për çështje të caktuara dhe kanë dëshirë të takojnë të rinj të tjerë që ndajnë të njëjtat interesa. Si përfundim, mund të thuhet se interesi i të rinjve për të aplikuar dhe për të kaluar në një procedurë seleksionimi për workshop-e ku kombinohen dijet teorike me atë praktike, sikurse Politika publike dhe qeverisja, është një dritë pozitive për të ardhmen e edukimit politik të të rinjve në Tiranë dhe më gjerë në Shqipëri.

Gjatë përzgjedhjes së pjesëmarrësve, IDMC u përpoq që të ruajë një balancë midis studentëve nga Financa dhe Ekonomiksi dhe atyre të shkencave sociale si Shkencat Politike, Drejtësia, Gazetaria etj. Kjo përzgjedhje u bë qëllimisht që të rinjtë të njiheshin me perspektivat e njëri-tjetrit. Kjo gjë, madje, u vu në dukje nga vetë të rinjtë në fundin të workshop-it.

Në fund, pjesëmarrësit plotësuan edhe anketën e vlerësimit për workshop-in. Shumë prej të rinjve i sugjeruan IDMC-së vazhdimin e këtyre seminareve. Ata kërkuan që të realizohen cikle workshop-esh të tjera që lidhen me edukimin politik të tyre, ku të mund të aplikonin sërish. Mbi të gjitha, studentët pranuan se kishin një mungesë të theksuar dijesh në lidhje me "Politikën publike dhe qeverisjen", dhe ajo çka u ofrua ishte një perspektivë tjetër e cila i motivoi shumë që të përfshihen në diskutim.

Informacion rreth trajnerit

  • Neritan Sejamini është pedagog i lëndës "Teoria e Lojës dhe Zgjedhja Racionale" në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.