"Politika publike dhe qeverisja" në Tiranë I

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, duke pasur parasysh faktin se një ndër misionet që ka marrë është edukimi politik i të rinjve, organizoi në Tiranë trajnimin me temë "Politika publike dhe qeverisja", nga seria e workshop-eve dhe seminareve që do të zhvillohen gjithashtu në qytetin e Shkodrës dhe Vlorës. Në workshop-in e parë të mbajtur në Tiranë morën pjesë 28 të rinj shumë të talentuar. Pjesëmarrësit u përzgjodhën nga IDMC në mënyrë shumë të kujdesshme mes 70 aplikuesve.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte përmirësimi i kuptimit, dijeve dhe aftësive politike të të rinjve. Si i tillë, trajnimi synoi t'i njohë të rinjtë me kontekstet e ndryshme të politikave publike, format e veprimit dhe mosveprimit të tyre dhe me rëndësinë që ato luajnë në vlerësimin e nivelit demokratik të një qeverisjeje. Përveç njohurive rreth politikave publike, llojeve të tyre dhe qeverisjes në një kontekst më të gjerë, trajnimi synoi gjithashtu të nxitë aftësitë e pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes. U synua gjithashtu që pjesëmarrësit të kuptojnë rëndësinë e të punuarit në grup, sidomos në nivelet e zbatimit të një politike publike konkrete, për të arritur rezultatet e synuara.
IDMC arriti objektivin e vet duke e ndarë trajnimin në Tiranë në dy seanca të gjata.
Në pjesën e parë u ofruan njohuri dhe shpjegime teorike rreth politikave publike dhe qeverisjes. Të rinjtë u aftësuan rreth rëndësisë së studimit të këtyre temave në njohjen e politikës nga një specialist i fushës. Pjesëmarrësit kuptuan se në shkencat ekonomike, qeverisja nënkupton rolin e personave të autorizuar për mbikëqyrje, kontroll dhe drejtimin e një subjekti të caktuar, dhe që vendosen përpara përgjegjësisë për të siguruar që subjekti i arrin objektivat e tij, raportimin financiar dhe raportimin në palët e interesuara
Pjesa e dytë u përqendrua në zbatimin e njohurive teorike me raste dhe shembuj konkretë. Pjesëmarrësit analizuan, diskutuan dhe vendosën për politika të caktuara publike përmes ushtrimeve dhe rasteve studimore, duke punuar në grupe. Këto ushtrime thelluan aftësitë e tyre të pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes, si dhe ndërgjegjësuan të rinjtë se në Shqipëri disa politika të caktuara publike kanë nevojë për shumë përmirësime. Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se në Shqipëri problemet që lidhen me transparencën e politikave publike dhe me keq-qeverisjen janë një faktor kyç që ndikojnë në rritjen e nivelit të mosbesimit dhe indiferencës së tyre, kundrejt strukturave qeverisëse në vend.
Në fund të trajnimit, të rinjtë plotësuan formularin e vlerësimit për trajnimin dhe u pajisën me një certifikatë.
Informacion rreth trajnerit
- Neritan Sejamini është pedagog i lëndës "Teoria e Lojës dhe Zgjedhja Racionale" në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.