"Politika publike dhe qeverisja" në Shkodër

IDMC organizoi sot trajnimin "Politika publike dhe qeverisja" në qytetin e Shkodrës. Trajnimi u mbajt te Qendra Rinore ARKA me pjesëmarrjen e 23 të rinjve të ardhur jo vetëm nga Shkodra, por edhe nga zonat përreth si Puka, Kopliku etj. Pjesëmarrësit ishin më së shumti studentë. Disa prej tyre punonin në fusha që lidheshin me politikën, ligjin dhe ekonominë.
Të gjithë pjesëmarrësit u shprehën shumë entuziastë për trajnimin. Ata pranuan se njohuritë e tyre u përmirësuan shumë dhe se nuk e mendonin që dijen e fituar në pjesën e parë do të ishin të aftë ta aplikonin në një politikë publike konkrete në pjesën e dytë të trajnimit. Përpara trajnimit, ata e panë këtë gjë si të parealizueshme, por në fund të workshop-it theksuan se ndërveprimi me trajnerin i ndihmoi ata të bënin dallimin ndërmjet politikave të ndryshme publike dhe të aplikonin njohuritë e tyre në një politikë publike konkrete.
Në anketën e vlerësimit për workshop-in, që IDMC shpërndau në fund, pjesëmarrësit u shprehën se ishin shumë të kënaqur me organizimin e trajnimit dhe me metodën e edukimit joformal me të cilën u realizua trajnimi. Është me rëndësi të përmendet se shumica e pjesëmarrësve u shprehën se ky seminar ishte ndryshe, në mënyrë pozitive, nga seminaret ku ata kishin marrë pjesë më parë. Ata theksuan se ky ishte workshop-i i parë i cili u dha udhëzime të detajuara përpara trajnimit, kurse ndërveprimi me trajnerin i ndihmoi të shprehnin veten e tyre lehtësisht. Përveç kësaj, pjesëmarrësit kërkuan workshop-e të tjera në Shkodër, ku të kishin mundësinë të merrnin pjesë sërish.
* Ky workshop u mbështet nga Qendra Rinore ARKA në Shkodër.
Informacion rreth trajnerit
- Neritan Sejamini është pedagog i lëndës "Teoria e Lojës dhe Zgjedhja Racionale" në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.