Observatori Shqiptar i Kujtesës

Intituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ka lançuar projektin e tij më të ri, Observatori Shqiptar i Kujtesës (www.observatorikujteses.al), një platformë online që ka si qëllim mbajtjen gjallë të memorjes kolektive të shqiptarëve dhe risjelljen përpara tyre të historisë tragjike të komunizmit, në mënyrë që e kaluara të mos përsëritet.

Observatori i Kujtesës publikon përmbajtje të llojeve të ndryshme që lidhen sidomos me kujtesën për periudhën e diktaturës komuniste. Kjo platformë mbledh dhe boton materiale të botuara në mediat kryesore, si edhe materiale të tjera të ofruara nga institucione apo nga individë të ndryshëm që bartin dëshmi të rëndësishme të së shkuarës.

Për të krijuar mundësinë e hapjes së debatit dhe të diskutimit mbi të shkuarën, Observatori është i pajisur edhe me kapacitet blogimi dhe komentimi, si edhe me mjaft opsione për shpërndarje dhe ripostim.

Përmbajtja e Observatorit të Kujtesës është multimediale dhe përfshin materiale në tekst, video, foto, audio, grafika, animacione, të dhëna të vizualizuara, harta dixhitale etj. Observatori aplikon edhe një kategorizim tematik e kronologjik të përmbajtjes, për të lehtësuar navigimin dhe kërkimin nga ana e përdoruesve.

Kjo platformë i bën thirrje të gjithë lexuesve që të kontribuojnë në pasurimin e përmbajtjes me dëshmi, fakte, kujtime, shkrime, fotografi, video etj., në mënyrë që e vërteta e së kaluarës të ndriçohet më mirë. IDMC shpreson për një bashkëpunim sa më frytdhënes me të gjithë ju, lexuesit e tjerë, si dhe me mediat klasike dhe ato të reja për qarkullimin dhe mbledhjen e informacioneve.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2017 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube