uorkshope

Nostalgjia për komunizmin 

Publikuar më

Më datë 11–12 shkurt, IDMC organizoi në bashkëpunim me Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës workshop-in me temë "Nostalgjia për komunizmin".

Dita e parë nisi nën drejtimin e Dr. Mag. Idrit Idrizi me diskutimin e një teksti për nostalgjinë dhe tipologjitë e saj, shkëputur nga Ekaterina Kalinina (2014) "Mediated post-soviet Nostalgia", si edhe me parathënien "Nostalgjia, kultura dhe identiteti në Europën Qendrore dhe Lindore", nga Roberts & Louyest (2015), tekste këto që iu ishin dërguar të rinjve paraprakisht. Më pas, të ndarë në grupe, të rinjtë paraqitën idetë e tyre lidhur me çështjen e nostalgjisë për periudhën e komunizmit. Duke vënë në paralele perceptimet e njerëzve në vende të tjera të ish-kampit komunist me rastin e Shqipërisë, ata u munduan të shpalosin faktorët që ndikojnë në krijimin e nostalgjisë kolektive lidhur me periudhën e diktaturës.

Të rinjtë pjesëmarrës sollën shembuj nga jeta e përditshme dhe historitë e dëgjuara nga persona të cilët kanë jetuar në atë kohë, shfaqën interes për të marrë më shumë informacion dhe dëshirën që këto tema të trajtohen më gjerësisht. Dita u mbyll me diskutime rreth kësaj teme e cila ngjall tek të rinjtë kuriozitet dhe vullnet për të ndërmarrë studime të cilat do të hedhin dritë mbi të e që nuk kanë marrë vëmendjen e duhur në të kaluarën.

Në ditën e dytë u diskutuan intervistat që të rinjtë e Shkodrës kishin përgatitur paraprakisht, duke iu përgjigjur dy pyetjeve:

  1. Si e vlerësoni komunizmin në Shqipëri?
  2. Cili është opinioni juaj për nostalgjinë për komunizmin sot?

Angazhimi serioz i të rinjve në këtë workshop na bën të mendojmë se të rinjtë nuk janë edhe aq pasivë sa mendohet rreth këtyre temave, prandaj është e nevojshme që ata të përfshihen sa më shumë të jetë e mundur në projekte të këtij lloji që synojnë ballafaqimin me të shkuarën.

Të rinjtë arritën të mësojnë më shumë rreth familjeve të tyre dhe marrëdhënieve me periudhën e diktaturës shqiptare, ashtu sikurse për fenomenin kompleks të nostalgjisë. Ata u shprehën se aktiviteti rriti interesin e tyre për t'u njohur më shumë me periudhën e diktaturës në Shqipëri e veçanërisht për pasojat e saj.

Në ditën e dytë të workshop-it, të rinjtë u njohën me historinë dhe rëndësinë e Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës prej guidës së udhëhequr nga Pjerin Mirdita, drejtor i muzeut. Aktiviteti u mbyll me hartimin në grupe të projekt-skicave studimore, që të rinjtë mund t'i ndjekin në të ardhmen.

Partner i IDMC për këtë workshop ishte Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Informacion rreth trajnerëve

  • Dr. Idrit Idrizi është studiues pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë (programi: Post-Doc-Track). Ka studiuar histori dhe të drejtat e njeriut (shkëlqyeshëm) dhe është doktoruar në histori (shkëlqyeshëm) në Universitetin e Vjenës. Fusha e hulumtimit: Komunizmi dhe kujtesa mbi komunizmin në Shqipëri dhe Evropën Juglindore.