"Ngritja e kapaciteteve të mësuesve dhe të rinjve" në Tiranë III

Gjatë kësaj jave u zhvillua një orë mësimore mbi përshtypjet dhe reflektimet për botimin "Të mos harrojmë" në klasën e 10-të të Gjimnazit "Sadik Stavileci", nën drejtimin e mësueses Mirela Ceca dhe Dr. Vojsava Kumbulla, drejtuese e Shoqatës së Mësuesve të Historisë "Rinia dhe Historia".
Nxënësit ishin të interesuar për t'i dhënë përgjigje pyetjeve dhe dilemave të tyre që synonin të zbulonin më shumë rreth natyrës së sistemeve totalitare në Evropë dhe në Shqipëri, në veçanti.
Këtë reagim e zhvilluan sidomos pas leximit të disa prej rrëfimeve nga historitë e dëshmuara në librin "Të mos harrojmë", botuar nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane dhe nga Instituti per Demokraci, Media dhe Kulture (IDMC).
Nxënësit diskutuan rreth pyetjeve të shtruara nga vetë ata:
- Pse prindërit e tyre ishin ende nostalgjikë ndaj regjimit komunist, ndërkohë që Shqipëria njohu diktaturën më të egër komuniste?
- Cili është roli i vetë shoqërisë në vendosjen dhe jetëgjatësinë e diktaturave?
- Si t'i parandalojmë sot sjelljet dhe prirjet autoritare në qeverisje?
- A mundet një person i vetëm të ngre një makineri të tillë frike, terrori, persekutimi e ekzekutimesh?
Mesazhi që u përcoll tek të rinjtë gjatë kësaj ore mësimore ishte që të gjithë si individë, qytetarë dhe shoqëri duhet të jemi të përgjegjshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të qëndrueshme demokratike. Të mbajmë larg gjuhën e urrejtjes, diskriminimit, paragjykimit dhe presionit dhe të rrisim respektin, tolerancën, bashkëjetesën në çdo kohë.