ngritje e kapaciteteve

"Ngritja e kapaciteteve të mësuesve dhe të rinjve" në Elbasan II

Publikuar më

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të librit, IDMC promovoi librin "Të mos harrojmë", në ambientet e Bibliotekës "Qemal Baholli" me pjesëmarrjen e mësuesve të rrethit Elbasan.

"Të mos harrojmë: Kujtesa e totalitarizmit në Europë" është një libër për nxënësit e shkollave të mesme europiane. Synimi është edukimi i brezit të ri për të kaluarën tragjike të Europës dhe rëndësinë që kanë të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe shoqëritë demokratike.

Botimi i këtij libri në shqip është menduar si një tekst ndihmues për mësuesit e historisë në trajtimin e regjimeve totalitare dhe mënyrën se si ato e kanë dëmtuar shoqërinë.

Gjatë diskutimit me mësuesit, drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, theksoi se ndërgjegjësimi i brezit të ri nuk mund të kryhet pa impaktin e madh të mësuesve dhe se IDMC do të vazhdojë misionin e tij mbështetës nëpërmjet vizitave studimore dhe botimeve me histori jetësore dhe materiale arkivore.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për rishikimin e kurrikulës mësimore, si një ndër pikat e peticionit të organizuar nga IDMC dhe kërkesën e propozuar për t'u krijuar një grup pune i përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe ekspertë të tjerë, për t'i dhënë Ministrisë së Arsimit propozime konkrete. Kjo do të garantonte që brezi i ri të jetë më i informuar mbi historinë e diktaturës dhe më i ndërgjegjshëm për vlerat e sistemit demokratik.