ngritje e kapaciteteve

"Ngritja e kapaciteteve të mësuesve dhe të rinjve" në Belsh

Publikuar më

Qyteti i Belshit ka qenë ndalesa e radhës për promovimin e librit "Të mos harrojmë", një tekst ndihmues për mësuesit e historisë në trajtimin e regjimeve totalitare dhe mënyrën se si ato e kanë dëmtuar shoqërinë, botuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Platforma Europiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes.

Drejtuesja e IDMC, Jonila Godole në fjalën e saj të përshëndetjes përmendi kontributin e vazhdueshëm të IDMC-së ndër vite për të qenë pranë mësuesve në nevojat që ata kanë pasur për dokumente arkivore, trajnime dhe vizita studimore, gjithashtu ajo theksoi nevojën e përfshirjes së përjetimeve personale në trajtimin e periudhës të komunizmit në lëndën e historisë, por gjithmonë të bazuara në fakte dhe argumente.

Duke qenë se Belshi është një zonë që ka pasur pranë histori persekutimi dhe vende të vuajtjes si Reparti nr. 318 në Kosovë e Belshit, disa nga mësuesit pjesëmarrës gjatë diskutimit rrëfyen edhe përjetime personale.

Vlera e shtuar e këtij takimi ishte dhe diskutimi i mësuesve të letërsisë për nevojën e rishikimit të kurrikulës të lëndës të letërsisë duke evidentuar mungesën e autorëve të letërsisë të burgut ose letërsisë të kujtesës në kurrikulën aktuale.

Ekspertja e kurrikulës mësimore, Fatmiroshe Xhemalaj theksoi se lëndët mësimore nuk janë të ndara, por mësuesit edhe të lëndëve të tjera përtej historisë mund të shfrytëzojnë njohuritë e marra nga botime si libri "Të mos harrojmë" për të fuqizuar rolin e tyre në formimin qytetar të nxënësve.