Memory Alive

Kujtesa e një shoqërie përbën jo vetëm shtyllat themelore mbi të cilat ajo funksionon në të sotmen, por trashëgon edhe premisat e zhvillimit të saj në të ardhmen. Prandaj, projekti "Memory Alive" synon te shkojë te kjo kujtesë jo vetëm si përballje me të dhënat e trashëguara shabllon, por edhe te kujtesa si proces i gjallë te secili prej nesh.
Si perceptohet Shqipëria e sotme, e shoqëria e saj jo vetem si post-diktatoriale, por mbi të gjitha si një e tashme e të lindurve pas viteve '90 që jetojnë Shqipërinë e 2015-ës.
Si mund ta tregojnë ata këtë, në forma komunikimi medial dhe multimedial, në mënyrë që kjo përvojë zgjimi e ndërgjegjësimi të shërbejë si zgjues procesesh reflektuese edhe te lexuesi a shikuesi?

Për këtë, projekti "Memory Alive" është ndërtuar në formën e disa workshopeve të bazuara në punën me elementët dhe proceset, me të cilat përballemi në të përditshmen kulturore, siç janë: fotografia (fotografimi), muzika (tingëllimi), shprehja fizike/koreografia, inskenimi teatral (si vendosje në skenë e kujtesës individuale të parë si thelb i së përbashkëtës) dhe narracioni kinematografik (si bartës i shprehive të legjitimuara që përcillen e mbesin prej tij në të përditshmen).
Të gjitha këto do të shoqërohen prej workshop-eve të editorisë multimediale për të krijuar zakonet dhe strukturat e transmetimit të procesit të përjetimit që shkakton jo vetëm reflektim, por edhe ngacmim për të përfshirë në rikrijim edhe konsumuesin e këtij komunikimi përmes videos, fotos e shkrimit.
Mbi të gjitha, për t'u vetëdijesuar e përftuar edhe një dije thelbësore mbi gjendjen dhe përmbajtjen e kujtesës kulturore të trashëguar në brezat e rinj sot.