"Memory Alive" përmes artit dhe multimedias në Berat

Njohuritë e të rinjve shqiptarë për të shkuarën komuniste të vendit të tyre u vunë sërish në pikëpyetje nga IDMC me shtrirjen e projektit "Memory Alive" në një qytet tjetër të Shqipërisë. Pas diskutimeve të suksesshme me të rinjtë e gjimnazit "Çajupi" dhe "Sami Frashëri" në Tiranë dhe të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, "Memory Alive" e zgjeroi aktivitetin e tij edhe në Berat, qyteti shqiptar që është pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s prej vitit 2008.
Sot, dokumentari "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte" u shfaq te salla e konferencës së Universitetit të Beratit me pjesëmarrjen e mbi 120 personave, mes të cilëve të rinj (studentë dhe nxënës), të moshuar dhe përfaqësues nga Bashkia e Beratit. Para shfaqjes së filmit, eksperienca gjermane u soll në fokus nga z. Walter Glos, drejtues i fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Shqipëri. Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Petrit Sinaj, theksoi rëndësinë e madhe të këtyre aktiviteteve për mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive, duke pranuar se pavarësisht përpjekjeve të Beratit për t'u ballafaquar me të shkuarën, akoma duhet punuar në këtë aspekt.
Shfaqja e filmit u ndoq nga diskutimi me temë "Unë isha atje!", me të ftuar znj. Vera Bekteshi dhe z. Gëzim Peshkëpia, dëshmitarë të diktaturës. U arrit në përfundimin se marrëdhënia e të rinjve me njohjen e komunizmit nuk është në nivelet e duhura, duke krijuar hapësira edhe për një nostalgji të pakuptueshme të të rinjve për diktaturën. Ndër faktorët që kanë ndikuar për krijimin e këtyre raporteve shqetësuese u pa mungesa e theksuar e njohurive në shkolla për regjimin totalitar në Shqipëri dhe u theksua nevoja e domosdoshme e rishikimit në mënyrë të kujdesshme të kurrikulës mësimore.
Më pas, aktiviteti u shoqërua me një vizitë në vendet e kujtesës, ku u diskutua për Beratin midis të Shkuarës dhe të Tashmes. Një specialist i trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Beratit tregoi historinë e bulevardit "Republika", kishave, xhamive dhe kalasë gjatë diktaturës, si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.
Të ftuarit
- Gëzim Peshkëpia lindur në Tiranë në vitin 1940, ish-i burgosur politik, i dënuar 8 vjet për "agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës". Në vitin 1951, babai i tij, z. Manush Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Në vitin 1990, ai arratiset së bashku me familjen e tij në Soest, Gjermani. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK).
- Vera Bekteshi lindur dhe rritur në Tiranë në të ashtuquajturin Bllok të Udhëheqjes, si vajzë e njërit prej ushtarakëve të lartë të asaj kohe, ish- drejtues komunist në Shkodër gjatë luftës, Sadik Bekteshit. Më 1969-ën mbaroi studimet në Degën e Fizikës te Universiteti i Tiranës, ku dha mësim si pedagoge deri në spastrimet e mëdha të Enver Hoxhës mbi ushtarakët e lartë në vitin 1974, në kuadrin e të ashtuquajturës Fshesë e Hekurt. Në këtë kohë ajo divorcohet, dhe divorci shoqërohet me internim, me humbjen e profesionit dhe të drejtat më elementare, më pas me arrestimin e babait dhe vuajtje pa fund. Për gati 16 vjet, Vera jetoi e izoluar së bashku me familjen e saj në Kutalli e Vodëz të Beratit në kushtet e diskriminimit shoqëror dhe varfërisë ekstreme.
- Eno Popi, moderator në TV.