"Liria e shtypit nën kërcënim", trajnim me studentët e gazetarisë

Përhapja e "fake news" dhe keqinformimi po shndërrohet në kërcënim për lirinë e shtypit dhe vetë demokracinë në epokën e Internetit. Kjo i çon qytetarët që të kenë më pak besim te organizatat, politikanët dhe media – ndërkohë që besimi është thelbësor për demokracinë përfaqësuese.
Gjithashtu, përmes përdorimit të "fake news" krijohen keqkuptime të gabuara të informacionit për jetën në komunitet dhe në shoqëri. Në vende si Shqipëria, ku media ende vuan nga mungesa e lirisë editoriale dhe censurimin e fortë, pasojat janë edhe më të mëdha.
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë njofton mbi përfundimin e serisë së parë të seminareve mbi LIRINË E MEDIES NËN KËRCËNIM organizuar në Universitetin "Fan S. Noli", Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Korçë; Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Departamenti i Gazetarisë, Elbasan; Universitetin e Tiranës, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit; Universitetin "Luigj Gurakuqi", Departamenti i Gazetarisë, Shkodër.
Rreth 111 studentë e studente u trajnuan mbi aftësimin e tyre në lidhje me evidentimin e lajmeve të rreme dhe dezinformimit në medien online, si të seleksionojnë burimet në epokën e post-truth dhe si të bëhen gazetarë më të mirë duke shfrytëzuar kapacitetet kritike dhe analitike. Studentët mundën të diskutojnë me njëri-tjetrin përmes shembujve konkretë lajmeve të rreme mbi përhapjen e tyre, problematikat dhe kanosjes që raportimi i pasaktë i sjell lirisë së shprehjes.
Këto seminare u zhvilluan në kuadër të projektit "Liria e shprehjes në kërcënim" të financuar nga Fondi Kanadez për Iniciativat Vendore (Canadian Fund for Local Initiatives).
Projekti vazhdon me trajnimet e gjimnazistëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me përgatitjen e një studimi mbi lirinë e medies në Shqipëri dhe të një Manuali për mësues e nxënës mbi shkrimin dhe leximin e medies.