konkurse

Lindur në '90-ën – Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen!  

Publikuar më

Duke marrë shkas nga 25-vjetori i nisjes së ndryshimeve demokratike në Shqipëri, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ambasadën Gjermane shpallin konkursin kreativ "Lindur në '90-ën – Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen!" për të rinjtë e lindur në fillim të viteve 1990.

Përmbledhje

Motivimi i konkursit

Viti 2015 shënon 25-vjetorin e fillimit të lëvizjes demokratike që u pasua me kolapsin e regjimit totalitar në Shqipëri. Fëmijët e demokracisë, të lindur në fund të 1980-ës dhe në vitet 1990 kujtojnë pak ose aspak nga vitet e para të tranzicionit. Dhe ata dinë akoma më pak për të shkuarën. Fëmijëria dhe rinia e tyre është e shenjuar nga tranzicioni dhe sfidat me të cilat është përballur shoqëria shqiptare në dy dekadat e fundit. Sepse një jetë në liri dhe demokraci pas gati gjysmë shekulli diktaturë nuk rezultoi aq e lehtë sa ëndërrohej.

Konkursi "Lindur në '90-ën – Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen!" dëshiron pikërisht të nxisë dhe motivojë rininë shqiptare të reflektojë mbi të tashmen, duke mësuar nga e shkuara, për të krijuar një të ardhme më të sigurt dhe të begatë. Konkretisht pjesëmarrësit në këtë konkurs ftohen t'u japin përgjigje këtyre pyetjeve:

  • Çfarë ju kujton viti 1990?
  • Çfarë nënkuptojnë për ju fjalët "liri" dhe "kufij"?
  • A flisni në familjet tuaja për ngjarjet para dhe pas 1990-ës?
  • Në ç'mënyrë ju shërben kujtesa individuale e gjyshërve, familjes për të kuptuar diktaturën?
  • Kush është dëshira juaj personale lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë?

Duke reflektuar në një prej zhanreve të mëposhtme:

  • Ese & Letërsi
  • Multimedia
  • Arte figurative

Së fundmi, përse duhet ta njohim të shkuarën? Sepse historia nuk ndodh rastësisht. Historia bëhet, dhe janë të rinjtë ata që do ta shkruajnë atë nesër.

Kushtet e pjesëmarrjes

  • Lejohen të konkurrojnë të gjithë të rinjtë shqiptarë - brenda dhe jashtë vendit - të lindur në vitet 1989‒1999.
  • Punimet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe ose atë angleze.
  • Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim.
  • Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
  • Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
  • Eseja ose krijimi letrar duhet të jetë 3‒5 faqe (shkrimi Times New Roman 12, hapësira 1.1).
  • Punimet e dorëzuara në audio dhe/ose video nuk mund të jenë më të gjata se 4 min.
  • Punimet e dorëzuara në formë posteri, apo punimet artistike në telajo nuk duhet të jenë më të mëdha se formati A1.
  • Punimet që përmbajnë elementë racizmi, në këndvështrimin etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.

E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit

  • Për çdo person që del në video, film apo fotografi jeni të lutur të merrni një leje për të drejtën e botimit apo transmetimit.
  • Punët e dorëzuara në konkurs duhet të jenë origjinale.
  • Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.
  • Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, fituesit u kalojnë organizatorëve të drejtat ripërdoruese, të palimituara, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
  • Fituesit e konkursit u kalojnë organizatorëve të drejtën ekskluzive për përkthim, publikim, ekspozim ose transmetim të punimeve fituese për një afat të pacaktuar. Fituesit bien dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos marrin honorar tjetër, përveç çmimit.

Dorëzimi i punimeve

Afati i fundit i dorëzimit është data 5 tetor 2015, ora 24.00.

Pjesëmarrësit në konkurs duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:

  • Kopje e aplikimit e firmosur
  • Një CV e shkurtër e autorit/autores
  • Një fotografi pasaporte (shkruani me laps emër/mbiemër pas fotos)
  • Një përmbledhje e shkurtër që shoqëron punimin (gjithsej max. 1.200 karaktere me hapësirë)
  • Për punimet në formë posteri, dokumentari nevojitet një CD me kapacitet përkatës
  • Një konfirmim për njohjen dhe pranimin e kushteve të pjesëmarrjes nga konkurruesi

Adresa e dorëzimit:

IDMC
Rr. Bardhok Biba
Hyrja A, Kati 11, Tiranë

ose me e-mail: office@idmc.al

Pjesëmarrësit do të marrin një konfirmim me e-mail. Për më shumë informacion, ju lutemi konsultohuni me faqen tonë të internetit ose na ndiqni në Facebook.

Shpallja e punimeve fituese

Për të vlerësuar punimet konkurruese është ngritur një juri, e cila përbëhet nga figura publike dhe ekspertë të fushave: publicistikë, letërsi, multimedia, fotografi dhe arte figurative. Vlerësimi i punimeve të paraqitura në konkurs do të bëhet sipas këtyre kritereve:

  • Risia në paraqitjen e temës
  • Kuptueshmëria
  • Kreativiteti dhe origjinaliteti
  • Aftësia për të tërhequr publikun
  • Mesazh i qartë dhe i fuqishëm
  • Stili autentik i krijuesit
  • Aftësia për të kryer një vepër të arrirë përmes formave inovative (mediave sociale etj.) dhe mjeteve të thjeshta (smartphone, videokamera amatore etj.)

Fituesit do të shpallen brenda muajit Tetor 2015 dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e akorduara, në prani të personaliteteve nga fusha e medias, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.

Organizator i konkursit

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Kontakt
Jonila Godole | E-mail
Elsa Çerpja | E-mail

Partnerët

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Kontakt
Ermira Shtino

Ambasada Gjermane në Tiranë

Kontakt
Artan Begolli

Sponsor

Telekom Albania