Letërsia si vend kujtese
Autobiografi për diktaturën


29 shtator 2016, Tiranë

Pas Shkodrës, IDMC e solli aktivitetin Letërsia si vend kujtese edhe në Tiranë. Ky aktivitet u organizua më datë 29 Shtator 2016 në kuadër të aktivitetit "Tirana lexon".

Pjesa e parë e aktivitetit iu kushtua takimit me temë: "Letërsia e ndaluar: Tirana lexon Kasëm Trebeshinën". Aktiviteti u përshëndet nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC-së dhe Prof. As. Lili Sula, shefe e Departamentit të Letërsisë në UT. Më pas Dr. Anila Mullahi dhe Prof. As. Lili Sula theksuan rëndësinë e Kasëm Trebeshinës në letërsinë shqipe, diskutim ky i moderuar nga shkrimtari Krenar Zejno. Ai është padyshim një ndër shkrimtarët më të mirë shqiptarë, por krejt i panjohur në raport me ç'do duhej të ishte për vlerat që mbart pena e tij. Ky takim erdhi për publikun si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të letrave shqipe me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës. Studentët e pranishëm lexuan pjesë të shkurtra nga vepra të ndryshme të autorit. Pjesa e parë u mbyll me workshop-in "Letërsia disidente në median shqiptare para dhe pas viteve 1990" me moderimin e gazetarit Saimir Muzhaka.

Pjesa e dytë e aktivitetit u përshëndet edhe nga Ministrja e Kulturës, Prof. Mirela Kumbaro, dhe solli në vëmendje autobiografitë si burim për të njohur dhe kuptuar të shkuarën. Në këtë takim të ftuarit diskutuan për Letërsinë si vend kujtese dhe lexuan pjesë që dëshmonin për periudhën e diktaturës në Shqipëri.

IDMC falënderon të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe veçanërisht Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës për bashkëpunimin.

 

__________________________________________________________

 

19‒20 maj 2016, Shkodër

E shkuara jo aq e largët diktatoriale e Shqipërisë është "ruajtur" në vende të ndryshme të kujtesës kolektive porsi muzeu i posaçëm i dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, në ngrehinat e burgjeve dhe kampeve të internimit, në arkivat e televizioneve dhe në librat shkollorë apo në krijimtarinë publicistike. Një vend po aq i rëndësishëm i kujtesës është edhe letërsia, në mënyrë të veçantë ajo autobiografike. Shumë nga të mbijetuarit e burgimeve dhe internimeve të diktaturës, shkrimtarë, por jo vetëm, na rrëfejnë përmes tregimesh autentike jo vetëm historitë e tyre individuale, por na japin njëkohësisht një diagnozë të shoqërisë dhe të kohës duke na lënë dëshmi historike me vlera shumëdimensionale. Këto vepra na japin një mundësi më shumë për një dialog sa subjektiv, aq edhe objektiv, sa letrar, aq edhe real.

Për këtë arsye, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi në Shkodër një aktivitet dyditor titulluar Letërsia si vend kujtese. Ky aktivitet u konceptua si një mundësi për të zbuluar rolin e letërsisë në këtë dialog me historinë, vendin e saj në kujtesën kolektive si edhe mundësitë që ajo ofron për edukimin e brezave me ndërgjegje historike.

 

__________________________________________________________

 

20 maj 2016, Shkodër

Dita e dytë e aktivitetit pati në fokus bashkëbisedimin e nxënësve të shkollës austriake "Peter Mahringer" në Shkodër me znj. Alma Liço. Pas shfaqjes së dokumentarit Kujtesa e një vendi që harroi të harronte, ajo ndau me të rinjtë eksperiencën e saj gjatë diktaturës, nën moderimin e z. Parid Teferiçi. Historitë personale të rrëfyera nga ish të përndjekur politikë janë "vendtakimi" i të rinjve me historinë e errët të diktaturës dhe ballafaqimi i tyre me vende të kujtesës në topografinë e persekutimit të madh komunist në qytetin e Shkodrës. Shfaqja e dokumentarit u ndoq nga një vizitë në vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Pas vizitës, aktiviteti u kthye sërish te Kisha Françeskane, për të vazhduar ditën e dytë të takimit me letërsinë si vend kujtese. Pjesë e panelit këtë herë ishin z. Preç Zogaj, znj. Alma Liço dhe z. Alfred Lela, të cilët folën me të pranishmit për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit tonë. Nën moderimin e znj. Sara Michel, ky aktivitet shërbeu për të folur e reflektuar mbi kohën dhe të vërtetat tona në një përballje për të shkuarën dhe dialog për të tashmen, përmes narrativash të ndryshme, sepse letërsia është kujtesë dhe kujtesa është identitet.

 

__________________________________________________________

 

19 maj 2016, Shkodër

Në ditën e parë të aktivitetit u ftuan një panel profesionistësh nga fusha e letërsisë, publicistikës dhe akademisë për të folur mbi veprat që trajtojnë të shkuarën diktatoriale përmes rrëfimesh letrare, autobiografike, dhe mbi ngjarje reale të terrorit e dhunës komuniste. Aktiviteti u mbajt te Kisha Françeskane. Pjesë e panelit në ditën e parë të aktivitetit ishin Dr. Agron Gjekmarkaj, Prof. As. Dr. Eugen Pepa, znj. Brunilda Lleshi dhe z. Marçel Hila. Përmes një formati sa më interaktiv, nën moderimin e znj. Sara Michel, u arrit një dialog mes të gjithë pjesëmarrësve, qofshin këto dëgjues apo referues, me qëllim nxitjen e një diskursi publik dhe hapjen e perspektivave të reja mbi formimin dhe forcimin e kujtesës kolektive.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2017 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube