dokumentari kujtesa e një vendi

"Letërsia si vend kujtese" në Shkodër

Publikuar më

E shkuara jo aq e largët diktatoriale e Shqipërisë është "ruajtur" në vende të ndryshme të kujtesës kolektive porsi muzeu i posaçëm i dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, në ngrehinat e burgjeve dhe kampeve të internimit, në arkivat e televizioneve dhe në librat shkollorë apo në krijimtarinë publicistike. Një vend po aq i rëndësishëm i kujtesës është edhe letërsia, në mënyrë të veçantë ajo autobiografike. Shumë nga të mbijetuarit e burgimeve dhe internimeve të diktaturës, shkrimtarë, por jo vetëm, na rrëfejnë përmes tregimesh autentike jo vetëm historitë e tyre individuale, por na japin njëkohësisht një diagnozë të shoqërisë dhe të kohës duke na lënë dëshmi historike me vlera shumëdimensionale. Këto vepra na japin një mundësi më shumë për një dialog sa subjektiv, aq edhe objektiv, sa letrar, aq edhe real.

Për këtë arsye, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi në Shkodër një aktivitet dyditor titulluar "Letërsia si vend kujtese". Ky aktivitet u konceptua si një mundësi për të zbuluar rolin e letërsisë në këtë dialog me historinë, vendin e saj në kujtesën kolektive si edhe mundësitë që ajo ofron për edukimin e brezave me ndërgjegje historike.

Në ditën e parë të aktivitetit u ftuan një panel profesionistësh nga fusha e letërsisë, publicistikës dhe akademisë për të folur mbi veprat që trajtojnë të shkuarën diktatoriale përmes rrëfimesh letrare, autobiografike, dhe mbi ngjarje reale të terrorit e dhunës komuniste. Aktiviteti u mbajt te Kisha Françeskane. Pjesë e panelit në ditën e parë të aktivitetit ishin Dr. Agron Gjekmarkaj, Prof. As. Dr. Eugen Pepa, znj. Brunilda Lleshi dhe z. Marçel Hila. Përmes një formati sa më interaktiv, nën moderimin e znj. Sara Michel, u arrit një dialog mes të gjithë pjesëmarrësve, qofshin këto dëgjues apo referues, me qëllim nxitjen e një diskursi publik dhe hapjen e perspektivave të reja mbi formimin dhe forcimin e kujtesës kolektive.

Dita e dytë e aktivitetit pati në fokus bashkëbisedimin e nxënësve të shkollës austriake "Peter Mahringer" në Shkodër me znj. Alma Liço. Pas shfaqjes së dokumentarit "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte", ajo ndau me të rinjtë eksperiencën e saj gjatë diktaturës, nën moderimin e z. Parid Teferiçi. Historitë personale të rrëfyera nga ish të përndjekur politikë janë "vendtakimi" i të rinjve me historinë e errët të diktaturës dhe ballafaqimi i tyre me vende të kujtesës në topografinë e persekutimit të madh komunist në qytetin e Shkodrës. Shfaqja e dokumentarit u ndoq nga një vizitë në vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.

Pas vizitës, aktiviteti u kthye sërish te Kisha Françeskane, për të vazhduar ditën e dytë të takimit me letërsinë si vend kujtese. Pjesë e panelit këtë herë ishin z. Preç Zogaj, znj. Alma Liço dhe z. Alfred Lela, të cilët folën me të pranishmit për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit tonë. Nën moderimin e znj. Sara Michel, ky aktivitet shërbeu për të folur e reflektuar mbi kohën dhe të vërtetat tona në një përballje për të shkuarën dhe dialog për të tashmen, përmes narrativash të ndryshme, sepse letërsia është kujtesë dhe kujtesa është identitet.