konkurse

Konkurs: "Memoria dhe të drejtat e njeriut"

Publikuar më

Konkursi për studentët e gazetarisë "Memoria dhe të drejtat e njeriut"
Afati i aplikimit: 4 prill–12 maj 2024

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë (UT), shpall konkursin "Memoria dhe të drejtat e njeriut" në kuadër të dy ngjarjeve historike: 40-vjetori i Revoltës së Qafë-Barit dhe 45-vjetori i ekzekutimit të gazetarëve Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho.

Konkursi i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri u ofron gazetarëve të rinj një platformë për t'u thelluar në analizë kritike, histori personale, dhe në rolin e medies në formësimin e perceptimit dhe të kujtesës së publikut. Pjesëmarrja në konkurs u ofron studentëve një mundësi për të zhvilluar dhe për të demonstruar aftësitë e tyre në multimedie dhe zhanre të tjera mediatike, si dhe të kontribuojnë në ndërgjegjësimin dhe nxitjen e dialogut për të kaluarën dhe të ardhmen.

Disa nga temat orientuese për pjesëmarrësit në konkurs:

  • Histori persekutimi;
  • Ndalimi i besimeve fetare dhe shkatërrimi i objekteve të kultit;
  • Memorializimi i vendeve të vuajtjes (burgje, kampe internimi);
  • Gjyqet e nomenklaturës;
  • Media dhe kujtesa kolektive;
  • Censura dhe kontrolli i informacionit në media nën regjimet totalitare;
  • Portretizimi i liderëve komunistë në propagandën mediatike;
  • Arti në shërbim të propagandës komuniste;
  • Propaganda në mediet e sotme;
  • Mediet sociale dhe manipulimi i kujtesës kolektive

Konkursi është i hapur për të gjithë studentët e ciklit Baçelor dhe Master të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Kriteret e pjesëmarrjes

  • Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim individual.
  • Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e përgjithshme të konkursit.
  • Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
  • Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.

Zgjidhni një nga formatet dhe zhanret mediatike për punimin tuaj:

  1. Feature ose reportazh: Studentët mund të eksplorojnë histori personale të individëve që kanë jetuar gjatë diktaturës, ndikimin e ndryshimeve politike në komunitete, ose rolin e gazetarisë gjatë tranzicionit. Këtu mund të përfshihen intervista, burime historike etj.
    Feature/reportazhi i shkruar duhet të përmbajë jo më shumë se 2,500 fjalë.
  2. Dokumentarë të shkurtër: Dokumentarët video ofrojnë një mënyrë dinamike për të paraqitur narrativat historike, duke kombinuar intervistat, burimet arkivore dhe narracionin për të eksploruar temat e kujtesës dhe të drejtave të njeriut. Dokumentari nuk mund të jetë më i gjatë se 15 minuta.
  3. Ese fotografike: Përmes këtij formati vizual që kombinon fotografinë me gazetarinë mund të tregoni historinë e së kaluarës dhe ndikimin e saj në shoqërinë aktuale. Studentët mund të përdornin fotografi historike ose të krijojnë të reja duke reflektuar vazhdimësinë e ndikimit të komunizmit dhe tranzicionin demokratik.
  4. Podkast: Histori audio (vizuale) ku mund të thelloni tematikën përmes intervistave, dëshmive personale, etj. Ky format lejon për një përzierje të informacionit historik, narrativave personale dhe komentit apo analizës.
  5. Artikuj investigativë: Punime të thelluara që zbulojnë aspekte të paraportuara ose të anashkaluara para dhe pas vitit 1990. Kjo mund të përfshijë dokumente arkivore, intervista, etj.
  6. Punime multimediale: Një kombinim i tekstit, videos, audios dhe elementeve interaktive për të treguar histori personale ose ngjarje para dhe gjatë tranzicionit.
  7. Fushata ndërgjegjësuese në mediet sociale: Video të shkurtra, infografike dhe postime interaktive në platformat Instagram, Facebook apo TikTok për të krijuar përmbajtje informative dhe angazhuese që rrisin ndërgjegjësimin rreth periudhës historike dhe rëndësisë së saj sot.

Kriteret e vlerësimit

Punimet e konkursit do të vlerësohen duke pasur parasysh kriteret e mëposhtme:

  • Kërkimi dhe saktësia: Niveli në të cilin puna demonstron kërkim të thelluar, saktësi në raportimin e fakteve historike duke përdorur burime të besueshme dhe verifikimin e fakteve.
  • Origjinaliteti dhe kreativiteti: Qasja sa më origjinale ndaj temës, duke përfshirë zgjedhjen e subjektit, këndvështrimin ose stilin narrativ në terma të konceptualizimit dhe dizajnit.
  • Thellësia e analizës: Aftësia e punimit jo vetëm për të paraqitur fakte, por edhe për të ofruar analizë të thelluar dhe interpretim të epokës së komunizmit dhe trashëgimisë së saj. Kjo përfshin lidhjen e ngjarjeve historike me tematikat bashkëkohore, eksplorimin e implikimeve të të drejtave të njeriut, etj.
  • Narrativa dhe storytelling: Për të gjitha formatet, cilësia e rrëfimit është thelbësore. Këtu përfshihet struktura e narrativës, qartësia e mesazhit dhe aftësia për të angazhuar dhe mbajtur interesin e audiencës.
  • Cilësia teknike: Varësisht nga formati, ekzekutimi teknik i punës duhet të jetë i lartë. Për punimet me shkrim, kjo përfshin qartësinë e shkrimit, gramatikën dhe organizimin. Për ato multimediale, përfshin cilësinë e produksionit si zëri, ndriçimi, redaktimi dhe estetika vizuale.
  • Respektimi i etikës: Punimi duhet të respektojë parimet e etikës, duke respektuar dinjitetin dhe të drejtat e individëve të përmendur ose të paraqitur, duke shmangur sensacionalizmin dhe duke siguruar privatësinë dhe konfidencialitetin aty ku nevojitet.
  • Ndikimi dhe relevanca: Niveli në të cilin punimi kontribuon në një kuptim më të gjerë të temës dhe stimulon mendimin, diskutimin ose veprimin. Ky kriter vlerëson ndikimin e mundshëm të punës në ndërgjegjësimin publik, edukimin dhe diskursin e vazhdueshëm mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
  • Përdorimi inovativ i mediumit: Për format jo-tradicionale (si mediet digjitale, fushatat në rrjetet sociale, ose punimet multimediale), përdorimi inovativ dhe efektiv i mediumit të zgjedhur për të transmetuar mesazhin. Këtu përfshihen interaktiviteti, angazhimi i përdoruesve dhe integrimi kreativ i llojeve të ndryshme të përmbajtjes (tekst, audio, video etj.).

Shpallja e fituesve

Në bazë të kritereve të mësipërme, juria e përbërë nga gazetarë profesionistë dhe ekspertë të medies do të përzgjedhë fillimisht një shortlistë me 20 punimet më të mira, nga të cilat do të përzgjidhen gjashtë punimet fituese, që do të vlerësohen me një shpërblim simbolik:

  • Çmimi i Parë - 40.000 lekë
  • 2 Çmime të Dyta - 30.000 lekë
  • 3 Çmime të Treta - 10.000 lekë

Punimet më të mira do të publikohen në media të ndryshme, si dhe në faqen zyrtare të IDMC dhe Observatori i Kujtesës.

Pas ceremonisë së shpalljes së çmimeve të konkursit, finalistët do të kenë mundësi të marrin pjesë në një vizitë studimore në një nga vendet e kujtesës në Shqipëri, më 31 maj 2024.

Si të aplikoni?

Punimet tuaja mund t’i dërgoni deri në datën 12 maj 2024, ora 23:59 në adresën konkursi@idmc.al ose nëse janë më të mëdha se 5 MB, përdorni WeTransfer.

Të gjitha njoftimet për zhvillimin e konkursit do të publikohen në faqen zyrtare të IDMC-së, www.idmc.al, dhe të Departamentit të Gazetarisë, Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si dhe në rrjetet sociale: Facebook, Instagram, LinkedIn dhe TikTok.

Pjesëmarrësit mund të kërkojnë në çdo kohë informacione të mëtejshme duke kontaktuar në rrjetet sociale të IDMC-së ose në adresën zyrtare e-mail të konkursit konkursi@idmc.al.

Organizatorët

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Ambasada e Zvicrës në Shqipëri
Ambasada e Zvicrës në Shqipëri
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, UT
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, UT
IDMC

IDMC

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse dhe joqeveritare e themeluar në vitin 2014 në Tiranë, që frymëzon dhe mbështet projekte për të fuqizuar vlerat demokratike, rolin e medies dhe reflektimin shoqëror përmes kujtesës historike.

Gjithë postimet