komunizmi përmes dokumenteve

"Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" në Tiranë V

Publikuar më

Nën kujdesin dhe organizimin e IDMC, u mbajt në Tiranë workshop-i me mësuesit e historisë mbi përdorimin e manualit pedagogjik "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2" dhe librit "Historia gojore" në orën e mësimit. Në aktivitet spikati pjesëmarrja e kënaqshme dhe interesi i mësuesve në përthithjen e materialeve të trajnimit dhe adaptimin e metodave më efikase të mësimdhënies mbi këtë temë, sa të nevojshme, aq edhe delikate për shkollat tona.

Sipari i këtij aktiviteti u hap nga koordinatorja e programit të IDMC, Matilda Karçanaj, e cila përshëndeti të pranishmit, prezantoi trajnerët, si dhe shpalosi objektivat kryesore të këtij workshop-i dhe rolin specifik të IDMC në shërbim të të rinjve, me qëllim ballafaqimin me të shkuarën. Karçanaj i la vendin e fjalës njërës prej trajnerëve, zonjës Fatmiroshe Xhemalaj. Si një eksperte e fushës, dhe në rolin e trajnuesit, por bazuar edhe në karrierën e gjatë në mësimdhënie, znj. Xhemalaj, shpjegoi se si libri shërben në funksion të mësuesve, dhe rrjedhimisht indirekt, qëllimi i tij është të arrijë të përcillet tek nxënësi nëpërmjet procesit të mësimdhënies.

E pranishme në workshop dhe pjesë e panelit, ishte edhe znj. Edlira Agolli, e cila vinte në rolin e bashkautores së librit "Historia gojore". Autorja e librit, e cila është pjesë e projekteve për nxitjen e diskutimit rreth komunizmit, u ndal gjatë në zbërthimin e librit, në logjikën e përmbajtjes së manualit dhe format mbi të cilat duhet zbatuar metodika e përmendur në manual. Ajo vlerësoi manualin si një punë rreth të kaluarës, një mjet praktik për mësuesit dhe studiuesit e rinj në dhënien formë të një metodologjie praktike nëpërmjet strukturimit të mirë dhe vlerën në nxitjen e përdorimit të historisë gojore. I pranishëm në panel ishte edhe z. Gëzim Peshkëpia, i cili vinte si një "dëshmi e gjallë", provë e mirëfilltë e asaj që mund të përcjellë historia gojore. Ai ndau eksperiencën e tij të jetës si një viktimë e komunizmit dhe theksoi nevojën e futjes së dëshmuesve në programet mësimore. Pjesa e parë e workshop-it u mbyll me një diskutim midis pjesëmarrësve, z. Peshkëpia dhe znj. Agolli.

Më pas pjesëmarrësit në workshop u ndanë në 3 grupe, ku secili grup e bazoi punën mbi përdorimin e manualit mësimor "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2". Secili trajner zgjodhi një dokument dhe vetë mësuesit u vunë në rolin e nxënësve, me qëllim nxjerrjen e metodës me efikase, nëpërmjet së cilës, mund të zhvillohej një orë mësimi, bazuar në këtë material. Në fund secili grup prezantoi punën e tij dhe diskutoi mbi konkluzionet apo rekomandimet respektive. Nga të gjithë u diskutua rreth pyetjeve që mund tu drejtoheshin nxënësve në orë te tilla, si për shembull, si i gjykojnë vetë nxënësit shembujt e ofruar në libër, sjelljen e eksperiencave personale apo familjare, lidhjen direkte të këtyre historive me Ligjin e të Drejtave të Njeriut, rëndësinë e biografisë sot dhe dje. Pyetja që mbylli diskutimin ishte: "Demokracia e brishtë sot, a ka lidhje me të kaluarën tonë?", ku u ra dakord mbi lidhjen në mënyrë të drejtë të ngjarjeve deri ditët e sotme dhe pasojat e pashmangshme të komunizmit në mënyrën e të sjellit ose format e reagimit apo mendimit.

Në mbyllje të aktivitetit u plotësuan formularët e vlerësimit për workshop-in, si edhe u shpërndanë certifikatat për mësuesit pjesëmarrës.

Organizator

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Kontakt

Matilda Karçanaj, koordinatore projekti | E-mail

Partner

Shoqata e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë
Shoqata e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë