komunizmi përmes dokumenteve

"Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" në Tiranë I

Publikuar më

Në ish-Arkivin e Partisë së Punës së Shqipërisë gjenden dhjetëra mijëra dokumente që paraqesin një larmi facetash të periudhës komuniste në një formë mjaft origjinale dhe domethënëse. Fragmente nga "diskutimet popullore" demonstrojnë kulturën politike të kohës; raporte të komiteteve të rretheve dhe organizatave-bazë informojnë mbi jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës; procesverbale të diskutimeve të udhëheqjes komuniste hedhin dritë mbi mënyrën e organizimit dhe kulturën e drejtimit të shtetit – për të përmendur vetëm tre shembuj. Shumë nga fenomenet e paraqitura në këto dokumente (p.sh. kultura e dhunës, klientelizmi dhe korrupsioni, marrëdhëniet qytetar-shtet etj.) ndihmojnë për të kuptuar jo vetëm periudhën komuniste, por edhe atë post-komuniste.

Për këtë arsye, IDMC në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë "Rinia dhe Historia" organizoi në Tiranë një workshop dyditor me mësues historie të shkollave të mesme nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i workshop-it ishte që me anë të disa shembujve konkretë (fragmente dokumentesh) të diskutohej me mësues dhe ekspertë pedagogjie se si këto dokumente mund të përzgjidhen dhe përgatiten në një formë të atillë që të jenë të kuptueshme dhe vlefshme për nxënësit.

Ditën e parë u shfaq dokumentari "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte" dhe u diskutua mbi dokumentarin si element didaktik në orën mësimore si dhe mbi nivelin e njohjes që të rinjtë kanë në lidhje me diktaturën shqiptare. Ky diskutim u pasua me rëndësinë e përdorimit të elementeve vizuale në orën e mësimit.

Dita e dytë u hap me një diskutim rreth komunizmit në tekstet shkollore. Fatmiroshe Xhemalaj, ambasadore e EUROCLIO në Shqipëri, paraqiti problematikën për mënyrën si dhe sa gjerësisht kjo periudhë trajtohet në tekstet shkollore. Gjatë diskutimit me mësuesit u theksuan ide të ndryshme rreth materialeve mbështetëse që mund t'i vijnë në ndihmë mësuesit për të tërhequr vëmendjen e të rinjve rreth temave që trajtojnë të shkuarën komuniste shqiptare.

Pjesa tjetër e ditës u fokusua te diskutimi në grupe i dokumenteve arkivore të sjella nga ish-Arkivi i Partisë së Punës së Shqipërisë. Në këto dokumente arkivore u trajtuan temat si "Represioni", "Jeta e përditshme – Diskutimet popullore" dhe "Shteti".

Në bazë të rekomandimeve do të hartohet një libërth me fragmente dokumentesh arkivore dhe sqarime e komente, të cilin mësuesit mund ta përdorin në të ardhmen.

Informacion rreth trajnerëve

  • Dr. Idrit Idrizi është studiues pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë (programi: Post-Doc-Track). Ka studiuar histori dhe të drejtat e njeriut (shkëlqyeshëm) dhe është doktoruar në histori (shkëlqyeshëm) në Universitetin e Vjenës. Fusha e hulumtimit: Komunizmi dhe kujtesa mbi komunizmin në Shqipëri dhe Evropën Juglindore.
  • Fatmiroshe Xhemalaj është eksperte në histori dhe Ambasadore e EUROCLIO. Ajo është një nga themelueset e HTA (ALBAN) dhe ish-Presidente e HTA. Ajo ka qenë Sekretare e Komisionit Shkencor të Historisë dhe Gjeografisë pranë MOA-ALBANIA për aprovimin e teksteve shkollore të historisë dhe gjeografisë si edhe Sekretare e Komisionit të Historisë për rishikimin e teksteve të historisë në Shqipëri dhe Greqi.