"Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" në Durrës

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi më 19-21 Maj 2017 workshop-in: "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2". Ky workshop u mbajt në Durrës dhe ishte pjesa e dytë dhe e fundit për këtë temë. Qëllimi i tij ishte finalizimi i punës seleksionuese të dokumenteve arkivorë nga mësuesit e historisë. Këto dokumente do të përdoren për të krijuar një libër ndihmues për mësuesit e historisë dhe nxënësit për temat e diktaturës të trajtuara në programin shkollor.
Workshop-i u drejtua nga Idrit Idrizi, studiues pranë Akademisë së Shkencave në Vjenë, i cili u kujdes për materialet arkivore me të cilat punuan mësuesit.
Fatmiroshe Xhemalaj, ambasadore e EUROCLIO në Shqipëri në hapje të workshop-it, u shpreh:
"Më duket shumë e rëndësishme ideja e Idritit dhe në bashkëpunim me IDMC-në që e ka realizuar, pasi ka kapur një temë shumë interesante të dokumenteve arkivore, që janë aq të domosdoshme për punën tonë në mësimdhënie. Po nuk folëm me gjuhën e dokumenteve na i hedhin poshtë ato formimet e përgjithshme që ne marrim."
Ditën e parë, pjesëmarrësit e workshop-it diskutuan për materiale të marra nga gazetat shqiptare, me dëshmi nga periudha e komunizmit. Në qendër të diskutimit ishin problemet etike që kanë këto materiale dhe se si mund të punohet me to për t'ua transmetuar nxënësve.
Ditën e dytë, gjithë diskutimi u përqendrua mbi dokumentet arkivore. Mësuesit u ndanë në grupe dhe secili grup analizonte çdo material të cilët ata mendonin se duhej të trajtohej me nxënësit dhe do t'u shërbente atyre për njohuritë historike për periudhën e komunizmit.
Në këto dokumente trajtoheshin tema të ndryshme për gjyqet politike,për raportet e gjyqeve të të internuarve, fjalimet e ministrave etj.
Në përfundim të ditës së tretë secili grup prezantoi punën e tyre seleksionuese për dokumentet arkivore. Ata arritën të përcaktojnë pjesë të caktuara nga dokumentet arkivore të shpjeguara se pse i kishin zgjedhur për t'u përdorur gjatë orëve mësimore të historisë.
Workshop-i u mbyll me sugjerime mbi strukturën e librit të ri. Gentjan Dedja, mësuesi nga Elbasani, tha:
"Besoj se fjalori shpjegues duhet të jetë i rëndësishëm. Në bazë të atij fjalori, një mësues edhe për një term apo koncept në lidhje me sistemin mund ta bëjë një orë mësimi. Për formatin unë jam gjithmonë i parimit që të jetë dokumenti përballë me të gjitha të dhënat historike dhe nga ana tjetër të jetë fjalori."
Ndërsa drejtoresha e Shoqatës së Mësuesve të Historisë, Vojsava Goce, u shpreh:
"Ky libër do të jetë i vlefshëm jo vetëm për nxënësit por edhe për mësuesin për të zgjeruar njohuritë, pasi janë gjëra që po i takojmë për herë të parë. Janë burime arkivore të cilat në tekstet tona nuk janë akoma. Unë mendoj se çdo shkollë dhe mësues i saj të kujdeset që ta ketë këtë libër. Jam optimiste që bibliotekat mund ta mbajnë dhe shpërndajnë, por do të isha shpresëplotë se do jetë në dorën e çdo mësuesi pasi ndonjëherë aty në bibliotekë sikur zënë pluhur dhe nuk i shfrytëzojnë."