Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 3: Shkolla, rinia dhe "revolucioni ideologjik e kulturor" (1967–71)

Viti: 2020
Redaktorët shkencorë: Dr. Idrit Idrizi, Dr. Jonila Godole, Fatmiroshe Xhemalaj

Në vëllimin e tretë të serisë "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" fokusi është vendosur te shkolla dhe rinia gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Dy fjalime të diktatorit Hoxha do të shënjojnë indoktrinimin masiv ndaj rinisë dhe instrumentalizimin e shkollës dhe kurrikulës shkollore në shërbim të forcimit të pushtetit komunist. Fjalimi i datës 6 shkurt 1967 për "Revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit" do të mobilizonte masivisht popullatën dhe sidomos të rinjtë në luftë kundër fesë dhe çdo lloj mendësie që regjimi e konsideronte të dëmshëm për interesat e tij. Fjalimi i dytë në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH më 7 mars 1968, kërkonte rishikimin e të gjitha planeve, programeve dhe teksteve shkollore përmes shtimit të orëve mësimore të lëndëve të drejtpërdrejta politike si "Edukata politike dhe morale" dhe "Njohuri të marksizëm-leninizmit" si dhe leximin e detyruar të veprave të Hoxhës.