8 ditë aktivitete për ballafaqimin me të shkuarën
Ditët e kujtesës 2017

Tiranë, 16 nëntor 2017 — Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare kanë perceptim pozitiv mbi regjimin komunist. Ky ishte rezultati i një anketimi të kryer nga OSBE vitin e kaluar (2016), një rezultat që e bën më se të nevojshëm një ballafaqim me të shkuarën. Pikërisht me këtë qëllim, pra me "Kujtesën si mision", Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) nisi të enjten edicionin e dytë të "Ditëve të kujtesës" që do të zgjasë për 8 ditë nga data 16 deri më 23 nëntor.

Ky edicion nisi me prezantimin e ekspozitës "Propaganda në diktaturë", në Pavijonin e Persekutimit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita do jetë e hapur përgjatë gjithë javës dhe do ta shoqërojë kështu gjithë aktivitetin e Ditëve të kujtesës.

Nën tingujt e një saksofoni të shoqëruar nga një fizarmonikë e lehtë. Dyshja e njohur shqiptare e muzikës jazz Gent Rushi dhe Ermal Rodi mbajtën në ritëm kuriozitetin e të pranishmëve.

Si organizatorë të eventit, Drejtoresha ekzekutive e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe Drejtori i KAS, Walter Glos, mbajtën fjalën hapëse. Znj. Godole e cilësoi procesin e përballjes me të shkuarën si një maratonë që nuk mbaron kurrë, këtu ajo përmendi faktin se ky vit përkon me 100 vjetorin e Revolucionit Bolshevik, që la prapa miliona viktima, dhe që përkujtohet botërisht për krimet.

Më tej Znj. Godole tha me optimizëm se nga zhvillimi i edicionit të parë të Ditëve të kujtesës ka pasur disa zhvillime që janë për t'u vlerësuar. "Është krijuar Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, hapja e një muzeu të ri, nisja e punimeve për rindërtimin e Spaçit, thellimi i punës për të mbledhur dëshmi, por mbi të gjitha përfshirja në këtë proces edhe e të rinjve," tha ajo duke nënkuptuar të njëjtat pritshmëri për zhvillime të mëtejshme edhe pas eventit të dytë të Ditëve të kujtesës. Drejtoresha e IDMC, përmendi me shpresë në këtë pikë se mbi 200 gjimnazistë kanë marrë pjesë në konkursin "Pyet Gjyshërit 2" gjë që sipas saj shpërndan optimizëm se përballja me të kaluarën do jetë një proces në vazhdim në Shqipëri.

"E kaluara jonë e hidhur është pjesë e historisë së Evropës, dhe ndaj ajo duhet trajtuar si e tillë," tha Dr. Jonila Godole duke falënderuar më tej për bashkëpunimin dhe ndihmën e pakushtëzuar të ndërkombëtarëve në përballjen e Shqipërisë me të shkuarën e saj.

Në fjalën e tij, Drejtori i KAS, Walter Glos theksoi nevojën dhe përpjekjen e vazhdueshme të shoqërive për t'u përballur me të kaluarën. Ai tha se kjo gjë arrihet përmes një procesi të vështirë por të bashkërenduar. Glos tha se me të shkuarën ka gjithmonë probleme dhe së këto probleme i ka pasur dhe po vazhdon t'i hasë edhe Gjermania, një vend që këtë përballje e ka nisur që 27 vite më parë. "Diskutimi dhe përballja me të shkuarën ndikon në dhënien e dinjitetit ndaj viktimave, forcimit të ndërgjegjes demokratike, por mbi të gjitha nevojitet për të ngritur pyetjet e duhura, kush i ka bërë, pse, dhe këtu nevojitet një proces ku shoqëria të funksionojë në tërësinë e saj, edhe në Gjermani ende kërkohet një gjë e tillë dhe që persekutorët të kërkojnë falje," tha Z. Glos edhe ai dukshëm me shpresë nga procesi që ka ndërmarrë Shqipëria, sidomos pas zhvillimeve në vitin e fundit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nisjen e edicionit të dytë të Ditëve të kujtesës e përshëndeti edhe Bernd Borchardt, ambasador i OSBE në Shqipëri. Z. Borchardt përmendi të dhënat që vitin e kaluar nxorën sondazhet e OSBE, sondazhe që sipas tij e bëjnë tejet të nevojshëm një diskutim shoqëror për të kaluarën. "Është e rëndësishme që pikëpamje të ndryshme mbi të shkuarën, të respektohen për sa kohë nuk mbrojnë krimet dhe krimin. Shoqëria duhet të përpiqet për të kuptuar se ç'ishte e drejtë dhe e gabuar nga e kaluara. Kujtesa ka një rëndësi të madhe në perspektivën e vendit. Projektet e kujtesës përkrahin dhe nxisin për kontribute të ndryshme që ajo e shkuar të mos kthehet më."

Prezente dhe mbështetëse e këtij aktiviteti, Susanne Schutz, ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri, tha se i kishte tërhequr vëmendjen aktiviteti i Parlamentit për të kujtuar përndjekjen e deputetëve të legjislaturës së parë të pas-luftës dhe po kështu hapja e muzeve rreth së kaluarës komuniste. Ajo tha se Gjermania ka qenë gjithmonë përkrah këtij procesi të përballjes me të shkuarën dhe theksoi se bashkëpunimi do të vazhdojë më tej. "Jemi të gatshëm për të ndarë pervojën tonë dhe të ndihmojmë Shqipërinë edhe në të ardhmen. Dua ta falënderoj KAS dhe IDMC për punën dhe do uroja sa më shumë diskutime dhe debat për këtë çështje," tha Znj. Schutz.

Ekspertja Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjeve të dosjeve të STASI në Gjermani tha se "komunistët e kanë falcifikuar historinë, sundimi mbi historinë mbarti me vetvete edhe sundimin mbi të tashmen dhe ata e dinin mirë këtë gjë. Prandaj kujtesa është i ashtuquajturi "antihelm i traumatizimit" që shërbimet sekrete kishin ndërfutur në ndërgjegjen e shoqërisë". Edhe Neubert e krahasoi procesin e përballjes me të shkuarën si një maratonë. Ajo madje tha se në këtë proces ka etapa të ndryshme dhe se kjo kërkon shumë kohë pasi "indoktrinimi ideologjik ndikon gjatë". Znj. Neubert tha se është pikërisht bashkëpunimi dhe të pasurit miq në të tilla procese që të garanton se e ardhmja do ketë rezultate. "Kur gjërat janë duke na shkuar mirë ne që këtë proces e kemi nisur prej kohësh, pikërisht këtu mund t'ja japim stafetën të tjerëve. Ne si KAS ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë maratonë të historisë dhe vetëm kështu mund të themi se atëherë e kemi fituar një copë perspektivë të së ardhmes së Evropës së përbashkët."

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ekspozita prezanton disa aspekte të manipulimit të masës nga Shteti komunist përmes propagandës së vazhdueshme. Foto, artikuj dhe kopertina nga gazeta dhe revista të ndryshme të kohës dëshmojnë atë mekanizëm glorifikues që funksiononte për pushtetin e Enver Hoxhës dhe projektin e tij të Partisë-Shtet.

Tejet interesante ishte përshëndetja e intelektualit disident Prof. Dr. Sami Repishtit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Historiani, i cili u përndoq gjatë periudhës së komunizmit, përmes një letre të gjatë të cilën e lexoi mbesa e tij Ardita Repishti. Në letrën e tij Profesori tashmë 93-vjeçar theksoi se "sot na duhet të luftojmë harresën sepse jemi të bindur se heshtja përfaqëson rrezikun më të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluar". Repishti shtoi më tej se në ditët e sotme shoqëria shqiptare ballafaqohet me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës.

"Në fazën e parë kemi përbuzur urrejtjen e hakmarrjen, ndërsa sot kemi shpresë se do të jetë e mundur për të bërë hapin e dytë: pajtimin mes nesh". Në përshëndetjen e tij, këtë pikë kaq të vështirë Profesor Repishti e cilësoi si tejet të vështirë, sidomos për njerëzit që e vuajtën mbi kurriz terrorin dhe përndjekjen.

Më tej në letrën e tij ai thotë se pavarësisht se nuk e ka bindjen se "pajtimi" do mund të nxjerrë elementët njerëzorë mes shqiptarëve, ai vazhdon të mos harrojë të kaluarën dhe vazhdon të përbuzë urrejtjen dhe hakmarrjen.

Ditët e kujtesës organizohen në bashkëpunim me: Prezencën e OSBE në Shqipëri, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Shoqatën e Mësuesve të Shqipërisë; Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; Muzeun Historik Kombëtar; Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave; Institutin "Musine Kokalari".

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2017 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube