Gjimnazistët nga 12 shkolla të vendit vizitojnë vende kujtese nga veriu në jug të Shqipërisë

Përmbledhje
Dita e parë, 18 mars 2019
Të rinjtë nga shkolla "Drita e Dijes" në Berat dhe "Fuat Babani" në Bilisht vizitojnë BunkArt 2
Ditën e parë të vizitës studimore IDMC e nisi me një vizitë te BunkArt2, në Tiranë. Nxënësit nga gjimnazi i qytetit të Beratit dhe Bilishtit, finalistë të konkursit "Pyet Gjyshërit 3" ishin të parët që e çelën këtë vizitë studimore në vendet e kujtesës. Vizita e tyre te BunkArt2 ishte rëndësishme për të kuptuar më mirë të shkuarën komuniste të vendit. IDMC organizon në mënyrë të vazhdueshme vizita studimore në vendet e kujtesës me qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e krimeve të diktaturës në Shqipëri si dhe inkurajon shkollat ti bëjnë vizitat studimore në vendet e kujtesës pjesë të programit të tyre mësimor.
Dita e dytë, 19 mars 2019
Finalistët e edicionit të tretë të konkursit "Pyet Gjyshërit" vizitojnë për herë të parë ish-burgun e Spaçit
Dita dytë e vizitës studimore pati si destinacion Spaçin, burg dhe kamp për punë të detyruar, i ndërtuar më 1968 nga Ministria e Punëve të Brendshme në kohën e diktaturës komuniste duke shfrytëzuar punën e të burgosurve. Krahas stafit të IDMC dhe mësuesve, finalistët e edicionit të tretë të konkursit "Pyet Gjyshërit" u shoqëruan nga Lekë Tasi, Gjeto Vocaj dhe Filip Guraziu, të cilët ndanë me të rinjtë përvojat e tyre të hidhura me përndjekjet e diktaturës. Të rinjtë, të cilët vinin nga 12 shkolla të ndryshme – nga Tirana, Durrësi, Mëzeza, Berati, Tropoja, Lezha, Bilishti, Labinoti dhe Elbasani – nuk kishin qenë më parë në ish-kampin burg të Spaçit dhe vizita e shoqëruar me rrëfimet e tre ish-të përndjekurve i ngjalli atyre goxha kureshtje për të njohur më shumë për historinë.
Drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole foli për vizitën dhe theksoi rëndësinë që kanë vendet e kujtesës, si burgu i Spaçit, për njohjen dhe kuptimin e së shkuarës.
"Vizitat e ngjashme me ato që organizon IDMC në vendet e kujtesës u mundësojnë të rinjve, por sidomos gjimnazistëve, që t'u japin emër dhe figurë informacioneve që ata kanë mësuar rreth komunizmit."
Artisti Lekë Tasi, i cili nga diktatura u internua familjarisht për 15 vite në Grabjan të Lushnjës solli për të rinjtë dëshminë e tij gjatë vizitës. Tasi përtej urtësisë dhe moshës 90-vjeçare nuk i përmbajti dot emocionet. Ai tha se themelore për t'u ditur nga të rinjtë është se:
"Diktatura me ato manifestimet e veta vrasëse ishte një aleancë midis një diktatori dhe elementëve më të lig të shoqërisë, ndryshe nuk mund të realizohej."
Ai shtoi ndër të tjera se "këta elementë gjendeshin kudo në shoqëri dhe ishin tortura e vazhdueshme që u jepte kënaqësi sadistëve të shumtë të pushtetit." Por duke kaluar me buzëqeshje dëshminë e tij ai i rikujtoi të rinjtë se gjithmonë duhet të kishin parasysh të kuptonin dhe nxirrnin në pah të mirën si dhe të luftonin të keqen.
Filip Guraziu që vuajti një përndjekje të gjatë pas pushkatimit të të atit si pjesëtar i grupit të intelektualëve që u përfshinë në të ashtuquajturin incidenti i bombës në ambasadën sovjetike vuri në dukje se si i gjithë ai brez që vuajti dënimet nuk deshën kurrë të hakmerren pas ndryshimit të sistemit. Shqetësimi i tyre sipas Guraziut ishte se "nëse shoqëria nuk analizon të kaluarën nuk do jetë në gjendje që të ndërtojë një të ardhme të sigurt." Mësuesi Gjeto Vocaj nga diktatura u burgos për agjitacion dhe propaganda dhe ndau me te rinjtë historinë e "nxënësit gjeni" si dhe eksperiencën e dënimit në burgun e Spaçit.
"Diktatura duke e ndarë popullsinë në atë qe ajo e quante 'të tanët' dhe 'armiku' internoi dhe burgosi armikun që në atë kohë ishin gjithë njerëzit më të ditur, ata që kishin studiuar jashtë shtetit, apo që ishin arsimuar në mënyrë fetare dhe ishin intelektual."
Vocaj shpjegoi se trajtimi çnjerëzor dhe ulja e dinjitetit që u behej të burgosurve politikë ishin element të përhershëm të trajtimit në këtë burg si dhe 2 nga arsyet themelore që nxitën revoltën e Spaçit, më 1973.
Të rinjtë kërkuan që burgu i Spaçit të kthehet në një vend muze, ndërsa të mos harrohet historia e asaj kohe brez pas brezi. Të rinjtë u shprehen se kishin dëgjuar vetëm nga familjarët e tyre për anën e errët të kësaj periudhe diktatoriale, ndërsa vunë theksin që histori të tilla duhet të përfshihen edhe në librat shkollorë pasi këto informacione mungojnë. "Një përvojë për të reflektuar mbi jetën se duhet t'i gëzohemi asaj ç'ka na bënë qenie me vlerë: Liria!" shprehet një gjimnaziste. Kjo ishte vizita e gjashtë studimore që IDMC ka organizuar me të rinj në burgun e Spaçit.
Dita e tretë, 20 mars 2019
Vizitë te "Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës" në Shkodër dhe te ish-burgu në Lezhë
Udhëhequr nga Pjerin Mirdita të rinjtë u njohën me historinë e këtij vendi kujtese i cili në kohët e sotme kishte marrë statusin e një muzeu duke pasqyruar sesa njerëz kishin vuajtur dhe ishin persekutuar nën regjimin komunist në qytetin e Shkodrës, përkatësisht 2890- të burgosur, 1924 persona të internuar, 601 të pushkatuar dhe rreth 136 persona të vdekur nën tortura. Në këtë muze të rinjtë u njohën më nga afër me historitë e të burgosurve në ato ambiente, sidomos me dënimet e klerikëve të njohur si Kardinali Ernest Troshani, i cili u dënua më vonë me rreth 25 vite burgim në burgje të ndryshme të Shqipërisë apo At Zef Pllumi qelia e paraburgimit e të cilit ndodhej ende në atë vend kujtese. Po ashtu qelia e Marie Tucit, e cila dhe ka vdekur në ato ambiente ishte shumë tronditëse kur të rinjtë vizituan vendet e paraburgimit dhe u njohën me historinë e saj.
Elena Zorba ishte e pranishme në vizitën studimore dhe shpjegoi historinë e babait të saj i cili ishte arrestuar dhe mbajtur në paraburgim në ato ambiente përpara se të dënohej me 5 vjet burg. Duke ndarë ndjesitë e veta me të rinjtë ajo theksoi se duhet studiuar e kaluara jonë për të kuptuar të tashmen në të cilën ndodhemi. Ajo tha se "sistemi i atëhershëm dënoi dijen dhe kulturën dhe këtu fillon historia e vërtetë e fatkeqësive që i kanë ndodhur këtij kombi." Objektet dhe sendet personale të ekspozuara në hapësirën e tretë të muzeut patën një ndikim të madh te të rinjtë që ata të kuptonin më mirë kushtet e jetesës në ato burgje.
Vizita në Lezhë te Agroturizmi "Mrizi i Zanave" shërbeu si një mënyrë shumë e mirë që të rinjtë në bashkëbisedim me sipërmarrësin e këtij biznesi të merrnin një këndvështrim tjetër të pasojave që diktatura ka pasur edhe në zona të thella të Shqipërisë sidomos në Fishtë të Lezhës. Një prej ambienteve kryesore të përpunimit të qumështit në këtë biznes agroturizmi kishte qenë më parë ambient burgimi për ata të cilët sistemi i dënonte.
Dita e katërt, 21 mars 2019
Ditën e fundit të vizitës, të rinjtë vizitojnë burgun në kalanë e Gjirokastrës dhe ish-Kampin e Internimit në Tepelenë
Ditën e fundit të vizitës, të rinjtë e nisën me një vizitë në kalanë e Gjirokastrës. Vizita u ndal sidomos te burgu brenda kalasë për të vazhduar më tej te kampi i Internimit në Tepelenë. Nga viti 1945 deri në vitin 1955 ky burg ka shërbyer në kohën e komunizmit si burg politik. Por pas vitit 1955 duke qenë se sistemi komunist vendosi që burgjet t'i ndërtonin pranë minierave që të burgosurit edhe të shfrytëzoheshin për punë, ky burg vazhdoi të shërbente si burg i zakonshëm.
Matilda Karçanaj, koordinatore programi e IDMC u shpreh se "është e rëndësishme që të rinjtë të njihen me të shkuarën e vendit për të kuptuar më mirë zhvillimet e sotme politike, si dhe për të projektuar një të ardhme më të mirë." Karçanaj u ndal te diktatura në Shqipëri.
"Edhe pse është ndër diktaturat më të ashpra në Europën Juglindore, në tekstet e historisë kjo periudhë nuk është e trajtuar mjaftueshëm, prandaj dhe të rinjtë nuk kanë informacione të thella mbi diktaturën."
Pavarësisht se ishte hera e parë që të rinjtë vizitonin këto vende kujtese, ata shprehën shumë interes për të mësuar më tepër për periudhën e diktaturës. Ata u shprehën se duke i parë nga afër këto vende kujtese historia bëhet më e prekshme dhe më e gjallë për ta.
Vizita studimore përfundon te ish-Kampi i Internimit në Tepelenë
Kampi i Tepelenës edhe pse funksionoi vetëm për 6 vite (1949–1954) si kamp internimi për familjarët e të dënuarve në kohën e diktaturës shenjon një pjesë të rëndësishme të historisë së vendit tonë si dhe paraqet dimensionet reale te persekutimit komunist në Shqipëri.
Koordinatorja e Programit të IDMC, Matilda Karçanaj, u shpreh:
"Në Shqipëri nuk është punuar mjaftueshëm për ballafaqimin me të shkuarën prandaj vendet e kujtesës duhet të vijnë më shpesh në vëmendjen e të rinjve dhe shoqërisë më gjerë për të kontribuar mbi reflektimin për të shkuarën."
Në këtë vizitë të rinjtë u njohën me historinë e kampit dhe me kushtet çnjerëzore të jetës në kamp nga shkrimtari Marçel Hila, i cili vuri theksin tek të dënuarit dhe te vdekshmëria e lartë foshnjore në kamp duke e krahasuar kampin e internimit në Tepelenë me kampin e përqendrimit në Auschwitz. Tregimet mbi tortura familjare, mbi 5 000 gra, fëmijë dhe pleq të internuar; mbi 350 fëmijë të vdekur nga kushtet e këqija, nga sëmundjet apo nga torturat; viktima të pafajshme që sot shumica e tyre nuk i'u gjenden eshtrat se ku ndodhen bën që të rinjtë të kuptonin më mirë terrorin e atij sistemi. Historia e Drane Jakes, Doruntinës moderne – siç u quajt nga z. Hila, e cila e zhvarrosi djalin e saj të vdekur dhe për 7 javë e mbajti të ruajtur me raki deri sa t'ia çonte eshtrat në veri si ia pati premtuar bashkëshortit të vet po ashtu përcollën për të rinjtë mbijetesën dhe kurajën njerëzore. Detaje të tjera për kampin u plotësuan nga Aleksandër Toti, zëdhënësi i Bashkisë Tepelenë.
** IDMC falënderon Bashkinë Tepelenë për bashkëpunimin në realizimin e vizitës studimore te ish-Kampi i Internimit në Tepelenë.