Gjimnazistët do bëjnë diferencën në ballafaqimin me të shkuarën

Dr. Jonila GODOLE, drejtore e IDMC
Bisedoi: Luljeta Progni – Revista Mapo
Gjithë mitet për ta rehabilituar komunizmin kanë një qëllim të vetëm: fshehjen e fytyrës së tij të vërtetë kriminale.
Muret që ka ngritur shoqëria shqiptare për të mos e ndriçuar periudhën e diktaturës, "Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë", parulla që delegjitimoi kauzën dhe harresa e qëllimshme e elitës për 27 vjet. Sfidat e Shqipërisë në përballjen e saj me të shkuarën.
"Pyet gjyshin dhe ai do të të rrëfejë të vërteta të dhimbshme të historisë që nuk i ke dëgjuar apo lexuar nëpër tekstet shkollore". Është një sintezë e misionit të përballjes me të shkuarën në një vend si Shqipëria që për 27 vjet po heziton të hyjë në këtë proces. "Pyet Gjyshërit" është një projekt ambicioz i IDMC-së, i iniciuar nga drejtuesja e këtij instituti, Jonila Godole.
Ajo ka marrë përsipër të kontribuojë në zbardhjen e të shkuarës komuniste. Përvoja si gazetare e ka nxitur më shumë të kapërcejë nëpër sfida jo të vogla që ndesh në këtë proces. E ka nisur me të rinjtë, gjimnazistë, te brezi që do bëjë diferencën në ballafaqimin me të shkuarën.
Gjyshi shërbente si një simbolikë, sistem reference i brezave që i mbijetuan regjimit komunist në Shqipëri. Ka lindur si ide pasi Godole është ndeshur me një të vërtetë të dhimbshme nëpër auditorët e fakultetit të gazetarisë, atje ku është pedagoge. Atje ka konstatuar se studentët janë krejtësisht indiferentë dhe indiferenca e tyre është ushqyer nga mungesat e thella në kurrikulën shkollore, nga heshtja e brezit të prindërve dhe gjyshërve.
"Përmes konkursit kreativ 'Pyet gjyshërit' donim t'u ofronim atyre mundësinë të përballen me historinë dhe përvojën e familjes së tyre dhe të mblidhnin dëshmi origjinale nga persona okularë. Gjyshi shërbente si një simbolikë, sistem reference i brezave që i mbijetuan regjimit komunist në Shqipëri," thotë Godole e entuziazmuar se konkursi ka pasur edhe këtë vit prurje të shkëlqyera nga gjimnazistë 15‒19-vjeçarë.
Ka pak ditë që është mbyllur edicioni i dytë "Ditët e Kujtesës", me aktivitete mjaft të rëndësishme që i shërbejnë sadopak kthimit të kujtesës për krimet e komunizmit. Jonila ndihet krenare për arritjet në këto tri vite, por rrëfen sfida të rëndësishme që pengojnë shoqërinë shqiptare të përballet me të shkuarën e saj. Ka padrejtësi në rrëfimin e historisë.
"Në shumë shkolla që na ka qëlluar të vizitojmë, të rinjtë tregojnë se kanë takime periodike me veteranë të luftës, por nuk kanë takuar asnjëherë ish të burgosur politikë nga zona e tyre. Kjo është një situatë e papranueshme, evokimi i njërës anë të historisë dhe mohimi i anës tjetër."
Sfidat në këtë proces të përballjes më të shkuarën janë të jashtëzakonshme por jo të pamundura. "Ne jemi ende në fillim të kësaj maratone dhe rruga do të jetë e gjatë. Si t'i ulim bashkë mendimet e ndryshme në lidhje me të kaluarën tonë?
Historia nuk është e bardhë apo e zezë. Jam e vetëdijshme se ky do të jetë një proces i gjatë dhe i dhimbshëm. Dhe mund të arrihet përmes një përballjeje më të distancuar me të shkuarën: atë teknike dhe shkencore, të bazuar në fakte dhe shifra, dhe jo në polemika boshe."
Në një intervistë për revistën Mapo, Jonila rrëfen përvojën e saj në procesin e vështirë të përballjes më të shkuarën, flet për arsyet pse është ende kaq e vështirë, krahasimi me vende të tjera si p.sh. Gjermania Lindore, si dhe për sfidat që vazhdojnë të jenë kaq të vështira e do të jenë edhe në të ardhmen.
"Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën", është një thënie e George Orwell, që padyshim e keni ndeshur. Çfarë domethënie mendoni se ka kjo thënie për historinë e tranzicionit në Shqipëri?
Orwell e thotë këtë duke pasur parasysh se kush zhduk (me qëllim) faktet e së shkuarës, rrezikon të krijojë përmes propagandës një version të caktuar të historisë. Duke qenë se kujtesa njerëzore mund të shtrihet në kohë deri në pak breza pas, cilido që ka kontrollin mbi të shkuarën mund të sajojë brenda një kohe të shkurtër një histori çfarëdo që t'u shitet si e vërtetë brezave që vijnë.
Komunizmi pretendonte të vërtetën absolute dhe në emër të saj diktoi si zot mbi jetën, vdekjen, ligjin dhe drejtësinë. Në Shqipëri deri më sot, kush ka patur pushtetin në dorë, ka patur edhe mundësinë për të manipuluar historinë, për të ndriçuar disa momente dhe errësuar të tjera në varësi të axhendës politike.
Keni nisur prej disa vitesh një proces të vështirë dhe mjaft delikat, përballjen me të shkuarën komuniste. Padyshim që keni ndeshur pengesa të mëdha qysh në fillim. Mund të na rrëfeni detaje të këtij procesi kryesisht muret që ngrihen për ta ndalur këtë proces të përballjes me një pjesë të errët të historisë?
Shoqëria ka ngritur mure për të mos e ndriçuar periudhën e diktaturës, sepse nëse do ta bënte këtë do duhej ta fillonte nga vetja. Të sqaronte se cilët janë përgjegjësit kryesorë që hartuan politika, të cilat çuan jo vetëm në rrënimin ekonomik të "shtetit socialist", por edhe në krime të rënda kundër njerëzimit. Represioni, burgosjet dhe shtypja me dhunë e mendimit ndryshe, sidomos në vitet 1940-1950, e topiti qëndresën ndaj sistemit, por nuk mund të fshihemi vetëm pas këtij argumenti. Një diktaturë nuk mund të qëndrojë në këmbë kaq gjatë, nëse nuk gjen përkrahje në popull. Spiunët, hetuesit, gjykatësit e asaj kohe nuk ishin jashtëtokësorë, por njerëz.
Ata u kthyen në vrasës dhe persekutorë sepse interesat e tyre vetjakë përputheshin me interesat e ideologjisë komuniste për të pasur kontrollin total mbi njeriun, mbi historinë, mbi religjionin. Sigurisht ka patur mes tyre edhe sadistë, por ishte regjimi që kishte nevojë për ta. Kur diskutojmë mbi këtë temë në takimet që bëjmë me IDMC nëpër rrethe, argumenti që mbizotëron është se kapitalizmi ynë pas 1990-ës ka prodhuar më shumë padrejtësi se komunizmi.
Njerëzit harrojnë shpejt! Harrojnë se pas vendosjes së regjimit komunist ishte pjesa e pafavorizuar, e varfër e popullsisë që iu duk sikur pësoi përmirësime pozitive, kryesisht në fshat. Por nuk kaloi shumë dhe pllakosi kolektivizimi, u mori tokat, të cilat ende nuk janë kthyer plotësisht! Harrojnë se një pjesë e popullsisë zuri pozicionet (dhe uzurpoi shtëpitë!) e atyre që u dënuan si armiq të sistemit, më së shumti të shkolluar jashtë vendit.
Harrojnë se komunizmi mbolli frikën në shpirtin e çdo shqiptari dhe mungesën e besimit te njeriu, te shteti, te ligji, deformime këto që duan shumë kohë të zhbëhen. Gjithë mitet për ta rehabilituar komunizmin kanë një qëllim të vetëm: fshehjen e fytyrës së tij të vërtetë kriminale.
Krimet e komunizmit mbetën në harresë për 20 vitet e para të tranzicionit shqiptar. Thuajse nuk u fol kurrë për to. Ishte e qëllimshme apo një vonesë që mund të justifikohet me arsye?
27 vjet nuk janë shumë në kujtesën e një kombi për të sqaruar një periudhë aq të errët të historisë shqiptare si komunizmi. Arsyet për vonesën tonë janë të shumta: Elitat politike nuk ndryshuan me zgjedhjet e reja pluraliste, kështu që vazhdimësia e tyre, uzurpimi i skenës politike pluraliste me beniaminë të nomenklaturës, shënjoi fillimin e fundit të ballafaqimit me diktaturën.
Disa tentativa për ta ngritur këtë çështje me zë të lartë në parlament dhe për të rikthyer dinjitetin e viktimave degjeneruan në frazën e mirënjohur "Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë" duke e delegjitimuar tërë kauzën e persekutimit të padrejtë ndaj një pjese të shoqërisë. Ky përcaktim çliroi persekutorët, mbështetësit pasivë dhe aktivë të diktaturës si dhe gjithë shoqërinë nga përgjegjësitë. Nga ana tjetër, ndarjet brenda vetë shtresës së ish të përndjekurve politikë bënë që ata të mos funksiononin dot si grup i fortë presioni ndaj klasës politike, e cila për arsye të fakteve të pamjaftueshme nuk mundi t'i dënojë përgjegjësit për krime ndaj njerëzimit, por i vuri kapak me gjyqe për shpërdorim mielli e sheqeri.
Dëmi që regjimi komunist u shkaktoi kundërshtarëve të tij politikë dhe familjarëve të tyre për disa breza është i pallogaritshëm dhe nuk mund të rikuperohet as me dëmshpërblimin më të majmë monetar. Ndaj përballja jonë me rehabilitimin e viktimave është para së gjithash morale, nuk mund të ketë ballafaqim me të shkuarën nga perspektiva e persekutorëve!
Po ashtu, përpjekja për ta reduktuar komunizmin tonë në një pasojë të psikopatisë së një personi është e qëllimshme, sepse fsheh përfshirjen e të tjerëve, akumulimin e pushtetit për çdo person që ngjiste shkallët në hierarkinë e kuadrove. Këta, nga ana tjetër, jetonin me rrezikun të bëheshin afatgjatë pjesë e "sektit" apo të likuidoheshin përmes spastrimit të vazhdueshëm që synonte fabrikimin e kuadrove tërësisht të bindur ndaj plotfuqishmërisë së njëshit.
Një aspekt tjetër që e ka rënduar ballafaqimin me të shkuarën është tabuizimi i hapjes së dosjeve të Sigurimit që u trumbetua me të madhe qysh në vitet 1990, a thua se do të përmbanin çelësin magjik për të deshifruar të vërtetën e diktaturës. Duke pritur dosjet, nuk u morëm me zbardhjen e historisë, nuk u morëm me viktimat që po pakësohen dita-ditës, nuk u morëm me shkaqet dhe shkaktarët. Hapja e dosjeve natyrisht është një hap pozitiv që duhet mbështetur, megjithëse vonë.
Gjatë leximit publik të dosjes së Musine Kokalarit në "Ditët e Kujtesës 2017", publiku mësoi se gjatë 38 vjetëve përndjekje, sa në burg, në internim, ajo ishte nën survejimin e mbi 27 bashkëpunëtorëve të Sigurimit që e ndjekin atë hap pas hapi si "armike të popullit". Në përgjithësi ishin njerëz të pashkolluar që ushqenin urrejtje ndaj çdo intelektuali të formuar jashtë Shqipërisë për atë kohë. Dosjet janë pra një nga hallkat e zinxhirit të madh të zbardhjes së historisë mbi komunizmin shqiptar, ato janë hartuar dhe shkruar nga besnikët e sistemit dhe ofrojnë njohuri mbi mekanizmat represivë të tij, nga këndvështrimi i persekutorit, jo i viktimës.
Pa dyshim që ka dallim të madh në mënyrën se si ne shqiptaret i qasemi historisë së komunizmit dhe si i qasen kësaj pjesë të historisë, gjermanët. Mund të veçoni disa prej tyre?
Gjermania ka një përvojë të gjatë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën naziste, por edhe me diktaturën që u vendos në Gjermaninë Lindore (DDR) pas lufte. Përballja me krimet e nazizmit përmes proceseve të Nurembergut, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, filloi përmes angazhimit të fuqive ndërkombëtare. Shoqërisë në vetvete iu deshën disa dekada për të bërë katarsis të plotë, për të pranuar fajet dhe përgjegjësitë dhe për të hartuar një kulturë kujtese frymëzuese për të gjithë.
Procesi i përballjes me të shkuarën komuniste në Gjermaninë Lindore, nga ana tjetër, u mundësua nga shteti ligjor i Gjermanisë Perëndimore që mundësoi spastrim të administratës nga ish-bashkëpunëtorët e shërbimit sekret dhe ofiqarët e tjerë të regjimit. Kjo u arrit disi edhe në Poloni, por dështoi paq në vendet e tjera të Europës Lindore. Nuk e di si do ishte zhvilluar ballafaqimi me diktaturën në Gjermaninë Lindore, nëse nuk do të kishte pasuar bashkimi i Gjermanisë në tetor 1990. Mbase do ia kishin dalë edhe vetëm, por përvoja në Lindje tregon se regjimet komuniste zor se mund të kthehen brenda natës në rende demokratike.
Ky proces është i vështirë dhe kërkon kohë. Një shoqëri reflekton më shpejt, një tjetre, si ajo shqiptare do i duhen së paku edhe dy dekada të tjera. Edhe pse represioni dhe krimet që janë kryer në emër të komunizmit dhe më pas të ndërtimit të socializmit shqiptar, janë të pakrahasueshme me përvojën e vendeve të tjera, përjashto disi Rumaninë: burgosje mbi 30 vjet, ekzekutime pa gjyq, syrgjynosje të familjeve në kampet e punës dhe në internim për 40 e kusur vjet. Në vend që t'i nderonim për sakrificat e tyre, ne këta njerëz i kemi lënë në harresë.
Në Gjermani, nuk ka fëmijë të fillores të mos ketë dëgjuar për Holokaustin. Anembanë vendit gjen muzeume, memoriale përkujtimore në funksion të kujtesës historike të të dy diktaturave që ata kaluan. Jo vetëm kaq, por kundërshtarë të njohur të regjimit komunist në Gjermaninë Lindore janë vlerësuar me poste të rëndësishme shtetërore, siç është rasti i ish-presidentit të fundit Joachim Gauck apo Roland Jahn, drejtori aktual i Autoritetit për hapjen e dosjeve të Stasit. Krahasimin me realitetin shqiptar mund ta bëni vetë.
Në këtë proces besoj keni ndeshur histori shumë të dhimbshme. Keni diçka për të veçuar?
Më duhet të pranoj se tjetër është të dish teorikisht se kanë ndodhur padrejtësi të mëdha, dhe tjetër t'i lexosh apo dëgjosh ato nga dëshmitë e njerëzve që i kanë provuar mbi shpinë. Nëse krimet e diktaturës do të bëheshin publike dhe do të transmetoheshin të paktën një herë në javë në ekran, jam e sigurt se adhurimi dhe nostalgjia për atë kohë do të reduktohej ndjeshëm. Historitë e persekutimit nuk mund të konkurrojnë për çmimin e parë mes njëra-tjetrës. Secila prej tyre është dramatike në llojin e vet. Vuajtjet e grave në internim, pas burgosjes së burrave të familjes dhe sakrificat për të rritur e ushqyer fëmijët e tyre me punë dhe dinjitet në ato kushte, nuk janë vlerësuar deri tani. Vdekjet në masë të fëmijëve në kampin shfarosës të Tepelenës, varrimet e tyre me urdhër, buzë lumenjve që të humbnin eshtrat, bashkë me to edhe gjurmët e krimit, janë një njollë e errët që do ndriçuar sa më shpejt.
"Pyet gjyshërit" është një ndër detajet më interesante të projektit tuaj në procesin e përballjes me të shkuarën komuniste. Mund të na rrëfeni detaje të këtij projekti? Si e përcjellin historinë gjimnazistët?
Nga puna ime me studentët e gazetarisë e njihja mosinteresimin e tyre ndaj ngjarjeve të së shkuarës. Indiferenca e tyre është ushqyer nga mungesat e thella në kurrikulën shkollore, nga heshtja e brezit të prindërve dhe gjyshërve, pra nuk është faji i të rinjve që janë të painformuar ose të informuar gabim. Përmes konkursit kreativ "Pyet gjyshërit" donim t'u ofronim atyre mundësinë të përballen me historinë dhe përvojën e familjes së tyre dhe të mblidhnin dëshmi origjinale nga persona okularë.
Gjyshi shërbente si një simbolikë, sistem reference i brezave që i mbijetuan regjimit komunist në Shqipëri. Fakti që konkursi ka pasur edhe këtë vit prurje të shkëlqyera nga gjimnazistë 15‒19-vjeçarë (mund të ndiqen në www.idmc.al) tregon që diçka ka lëvizur sadopak. Cilësia e punimeve të tyre është rritur vit pas viti, po ashtu edhe niveli i analizës së tyre për shkeljen e të drejtave të njeriut, humbjen e shpresës dhe të lirisë, ndalimin e religjionit, burgosjen e një vendi të tërë dhe izolimin e tij nga bota. Ky është brezi që do bëjë diferencën në ballafaqimin me të shkuarën dhe ai ka nevojë për ndihmën tonë, motivimin dhe përfshirjen në sa më shumë projekte dhe aktivitete ndërgjegjësuese, takime me dëshmitarë okularë të kohës, përballje me dokumente dhe fakte historike, kundrejt trivialiteteve historike që janë të detyruar të mësojnë dhe dëgjojnë në shkollë e në media.
Prej disa vjetësh ju keni organizuar aktivitete të shumta kryesisht me të rinj. Sa të ndjeshëm janë ata për të shkuarën komuniste?
Në shumë shkolla që na ka qëlluar të vizitojmë, të rinjtë tregojnë se kanë takime periodike me veteranë të luftës, por nuk kanë takuar asnjëherë ish të burgosur politikë nga zona e tyre. Kjo është një situatë e papranueshme, evokimi i njërës anë të historisë dhe mohimi i anës tjetër. Si do ta njohin të rinjtë historitë kur në tekstet e tyre shkollore flitet për "investimet e shtetit socialist" përmes rrugëve të reja, elektrifikimit, arsimimit, punësimit, por nuk analizohet se si këto investime dhe zhvillime u përdorën ideologjikisht për të legjitimuar sistemin?! Imagjino në Gjermani të trajtohen autostradat e ndërtuara në kohën e Hitlerit si "investime" me vlerë të nazizmit. Frika ime është se mos rrisim breza që nesër do kujtojnë sikur Berisha, Meta apo Rama kanë marrë pjesë në luftë, sollën edhe komunizmin, edhe demokracinë; se Ramiz Alia paska qenë shok i ngushtë i Enver Hoxhës, por burrë i mire meqë e lëshoi pak dorën nga fundi; se vetë Hoxha ishte një plak matuf që nuk pati synime të këqija, por aq diti, aq bëri!
Natyrisht të rinjtë mund të mos e kenë vetë si prioritet kryesor njohjen e një të kaluare që nuk e njohin, por ne si shoqëri duhet t'i motivojmë për këtë. Ne që kemi përjetuar diktaturën e dimë se as shteti demokratik nuk ofron garanci ndaj projekteve totalitariste që mund t'i ushqejë koha dhe rrethana.
Puna që bëj prej vitesh në fushën e kujtesës synon pikërisht këtë, reflektimin mbi diktaturën në mënyrë që ajo të mos rikthehet sërish, në forma të tjera. Për këtë mirë do të ishte të kishte një mbështetje më të madhe nga aktorët politikëbërës, si ministria e Arsimit, që prioritetet e saj në këtë drejtim të mos mbeten në letër.
Prioritet duhet të ishte për shembull, trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve të historisë mbi mënyrën se si duhet ta trajtojnë të shkuarën në orën e mësimit, cilat aspekte të përzgjedhin, si t'i bëjnë nxënësit më të interesuar për temën dhe çështjet, si të aplikojnë dokumentet arkivore në orën e mësimit, si të angazhojnë nxënësit në mbarë vendin në biseda dhe intervista me dëshmitarë okularë që ende jetojnë dhe duan të flasin e shumë të tjera. Nëse duam të arrijmë të rinjtë duhet të kalojmë përmes mësuesve, ata janë çelësi i suksesit ose i dështimit në këtë proces.
Cilat janë sfidat në këtë proces të përballjes me të shkuarën komuniste, në raport me ndjeshmërinë e publikut, kryesisht të rinjve?
Procesi i ballafaqimit me të shkuarën është një maratonë, ku duhet ta matësh mirë frymën nëse do që të shkosh larg. Ne jemi ende në fillim të kësaj maratone dhe rruga do të jetë e gjatë. Si t'i ulim bashkë mendimet e ndryshme në lidhje me të kaluarën tonë? Historia nuk është e bardhë apo e zezë. Jam e vetëdijshme se ky do të jetë një proces i gjatë dhe i dhimbshëm. Dhe mund të arrihet përmes një përballjeje më të distancuar me të shkuarën: atë teknike dhe shkencore, të bazuar në fakte dhe shifra, dhe jo në polemika boshe. Dhe përmes rritjes së transparencës në punën e autoriteteve zyrtare të kujtesës apo në politikat afatgjata që ndërmerren nga qeveria dhe instancat shtetërore. Vetëm transparenca përmes fakteve mund të tregojë fytyrën e vërtetë të diktaturës, jo për të nxjerrë në dritë të vërtetën absolute, por për të nxitur dëshmitarët dhe dëshmitë e kohës të marrin një rol aktiv në ballafaqimin me të shkuarën.
Nga ana tjetër kërkohet angazhim më i madh nga grupet e interesit, nga media dhe gazetarët dhe mbi të gjitha nga politikat shtetërore afatgjata. Realiteti tregon që deri më sot puna për të zbardhur të shkuarën është mbështetur më së shumti nga institucionet ndërkombëtare, të cilat e kanë futur temën e kujtesës jo vetëm në axhendën e tyre, por ia kanë detyruar atë edhe politikës shqiptare. Duke përforcuar kështu faktin se e kaluara jonë e hidhur është pjesë e historisë së Europës dhe si e tillë duhet trajtuar. Sidomos Fondacioni Konrad Adenauer ka qenë ndër nismëtarët e parë për ta hapur këtë debat të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit.
Atij i janë bashkuar OSBE dhe aktorë të tjerë që janë shtuar vitet e fundit, dhe të gjithë së bashku kanë qenë promotorë të atyre pak ndryshimeve që janë shënuar vitin e fundit, si ngritja e Autoritetit të Dosjeve, hapja e një muzeu të ri në Tiranë në një vend kujtese si "Shtëpia e Gjetheve" apo hapja e punimeve në burgun e Spaçit për ta kthyer atë në një muze. Përfaqësuesit tanë shtetërorë dikur janë ndjerë të detyruar të ndezin dritën jeshile dhe i kanë trumbetuar ato si suksese të tyre.
Rreziku është ama që duke u fshehur pas disa politikave pozitive të kujtesës dhe duke i monopolizuar ato, mund të lëmë pas dore zbardhjen dhe analizimin e asaj që ka ndodhur vërtetë deri më 1990-ën. Dhe së fundi, procesi i dekomunistizimit do të jetë ende larg, nëse forcat politike nuk bëhen bashkë në këtë mision, nuk ngrenë një komision të përbashkët me pjesëtarë nga parlamenti, ekspertë të pavarur nga bota akademike dhe shoqëria civile, për të analizuar në mënyrë të paanshme ecurinë e deritanishme të procesit, përgjegjësitë dhe detyrat për të ardhmen.