fjalime

Fjala përshëndetëse me rastin e uorkshopit "Raportimi mbi dosjet e ish-Sigurimit?"

Publikuar më

Dr. Jonila GODOLE, drejtore e IDMC


Të nderuar partnerë, të nderuara zonja të ardhura nga Rumania dhe Gjermania, kolegë dhe gazetarë, të nderuar miq,

Takimi ynë sot në këtë sallë është fryt i një bashkëpunimi mes disa institucioneve për t'u ofruar gazetarëve njohuritë dhe mjetet e nevojshme se si të raportojnë mbi dosjet e Sigurimit dhe dokumentet arkivore në përgjithësi. Dhe më duhet ta pranoj që si IDMC e kemi pritur këtë moment qysh me miratimin e ligjit të informimit mbi dosjet – ose siç e quajmë të gjithë "ligji për hapjen e dosjeve" – dhe më vonë me ngritjen e Autoritetit.

Pyetja që na ka motivuar për zhvillimin e një aktiviteti të tillë ka qenë e thjeshtë: Si mund të kontribuojë media në ballafaqimin me të shkuarën?

Siç e dimë të gjithë, ky proces në Shqipëri sapo ka nisur, dhe për momentin duket kaotik. Konkluzionet mungojnë në tekste librash, muzetë dhe përkujtimoret janë thuajse inekzistente. Duhet kohë të kuptohet dhe të analizohet se çfarë ka ndodhur gjatë atij regjimi, si funksiononte sistemi dhe mbi të gjitha si mundi ai të qëndronte aq gjatë në pushtet, për gjysmë shekulli.

Aksesi në arkiva dhe në dokumente të kohës, dhe sidomos aksesi në dosjet e Sigurimit, do ta shpejtojë këtë proces.

Nëse ka pasur një aktor në këto 27 vite që e ka mbajtur gjallë kujtesën kjo ka qenë media. Por mënyra se si ka raportuar ajo mbi ngjarjet e së shkuarës mbetet problematike. Mund të gjesh ngjitur me njëri-tjetrin në shtyp dhe median online një shkrim ku dënohet diktatura dhe një shkrim tjetër ku glorifikohet udhëheqësi apo dokumente arkivore të nxjerra nga konteksti që botohen si scoop-e të përditshme. Titulli në faqen e një gazete të përditshme (me 4 shkronja) para disa ditësh i ftonte lexuesit online: "Bëhuni nostalgjikë: Fotot e rralla nga Shqipëria komuniste".

Kur mendon që media është ndër faktorët kyç në ndikimin e opinionit publik, raportime të këtij lloji e dëmtojnë dhe nuk e ndihmojnë procesin e përballjes me të shkuarën, dhe mbi të gjitha nuk i shërbejnë as vetë medias në plan afatgjatë.

Ajo që do ndihmonte në këto momente do të ishte një ballafaqim më i distancuar me të shkuarën: ballafaqim teknik dhe shkencor, i bazuar në fakte dhe shifra, dhe jo më në polemika boshe dhe propagandë. Nëse media e pranon sfidën të bëjë transparente të shkuarën, ajo do të jetë e besueshme në opinion edhe në raportimin për të tashmen.

Të nderuar kolegë, synimi i këtij trajnimi dhe i këtij aktiviteti është pikërisht ofrimi gazetarëve i mundësive, platformave, i përvojave brenda dhe jashtë vendit. Si mund të shkruajmë për ngjarje që nuk i kemi përjetuar vetë? Ku do bazohemi? Aksesi dhe baza ligjore që Autoriteti u ofron gazetarëve për të analizuar dhe investiguar ngjarje dhe persona në dosjet e Sigurimit shpresoj të përkthehet së shpejti në më shumë gazetari investigative, profesionale dhe kontribut për shoqërinë në përballjen e saj me të shkuarën.

Kjo është gjithashtu një mundësi për të gjithë komunitetin profesional të gazetarëve që të reflektojnë mbi etikën e raportimit dhe rolin e tyre në periudhën e errët të diktaturës e deri më sot. Sepse e shkuara nuk është kurrë e kaluar dhe e tashmja asnjëherë vetëm e sotmja.

Dëshiroj të falënderoj këtu Autoritetin (AIDSSH) për këtë bashkëpunim shumë të vlefshëm dhe për vullnetin e tyre për të qenë transparentë deri në fund me median dhe gazetarët.

Jam e kënaqur gjithashtu që së bashku me OSBE, e cila prej vitesh i kushton rëndësi të madhe kësaj teme, do të ofrojmë së shpejti një manual për gazetarët me të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me raportimin mbi dosjet.

Një falënderim i fundit për fondacionin Konrad Adenauer, partneri zyrtar i IDMC, pa mbështetjen e të cilit nuk do të ishim këtu sot. Pa humbur kohë ia kaloj fjalën përshëndetëse drejtorit të këtij fondacioni, z. Walter Glos. Ju uroj të gjithëve një workshop të mbarë dhe sa më të frytshëm!