exhibitions

Në emër të Amerikës

Published on

Ekspozita "Në emër të Amerikës" çelet në kuadër të 75-vjetorit të largimit të Misionit Amerikan në Shqipëri nga vendi. Kjo ekspozitë, sjell përpara publikut të gjerë fotografi dhe dokumente arkivore mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në vitet e para të pas-Luftës së Dytë Botërore, të njohura vetëm në rrethet e ngushta të studiuesve.

Në maj të vitit 1945, Departamenti i Shtetit dërgoi në Tiranë Misionin Amerikan në Shqipëri për të parë nga afër gjendjen në vend përpara se të ndërmerrte hapat e nevojshëm për njohjen e qeverisë shqiptare të dalë nga Lufta. Fillimisht, autoritetet komuniste shqiptare, edhe pse dyshuese kundrejt të dërguarve amerikanë i përmbahej normave të mirësjelljes diplomatike. Pas mbajtjes së zgjedhjeve në dhjetor të vitit 1945, të cilat PKSh-ja i fitoi shumë thellë, si dhe njohjes së qeverisë shqiptare nga ana e Bashkimit Sovjetik, qëndrimi i pushtetit komunist ndaj Misionit Amerikan në Shqipëri ndryshoi rrënjësisht. Përpos mbajtjes nën vëzhgim të pandërprerë gjithë veprimtarisë së Misionit Amerikan, organet e policisë shqiptare kërcënuan dhe përndoqën stafin shqiptar që ndihmonte të dërguarit e Departamentit të Shtetit në Shqipëri si dhe burgosën një pjesë të madhe të shtetasve shqiptarë që vizitonin Misionin.

Në vjeshtën e vitit 1946, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kapën pikën e vdekur kur qeveria shqiptare shpalli si person të padëshiruar këshilltarin për çështjet ekonomike të Misionit Amerikan në Shqipëri, Harry Fultz, që kishte drejtuar Shkollën Teknike të Tiranës nga viti 1922 deri në vitin 1933. Autoritetet shqiptare e paditën Fultz-in si kishte rekrutuar ish-nxënësit e tij për të organizuar sabotimin e një vargu projektesh të rëndësishme infrastrukturore që kishin nisur pas luftës, ku më i rëndësishmi ishte bonifikimi i kënetës së Maliqit.

Me 8 nëntor të vitit 1946, Departamenti i Shtetit njoftoi largimin e Misionit Amerikan në Shqipëri dhe ndërprerjen e çdo kanali komunikimi zyrtar me qeverinë shqiptare. Pas prishjes përfundimtare të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, regjimi komunist i Tiranës përndoqi ose dënoi pjesën më të madhe të qytetarëve shqiptarë që kishin pasur çfarëdolloj kontakti me pjesëtarët e Misionit Amerikan. Marrëdhëniet diplomatike shqiptaro amerikane do të vendoseshin përfundimisht në 15 mars të vitit 1991, plot 52 vjet që nga largimi i Legatës Amerikane pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe 45 vjet pas largimit të Misionit.

Në emër të Amerikës

Impressum

Ekspozita u ideua dhe u mbështet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me rastin e 75-vjetorit të largimit të Misionit Amerikan nga Shqipëria. IDMC përmes aktivitetit të tij synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të shoqërisë shqiptare për regjimin komunist (1944–1991) dhe pasojat e tij.

Autorësia

Përmbajtja e kësaj ekspozite është përgatitur nga nga një grup pune, i kryesuar nga studiuesi, Kastriot Dervishi (Drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme), historiani Artan R. Hoxha (Ph.D. Instituti i Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike) dhe Brisejda Lala (Ph.Dc. ISKK).

Përpunimi grafik është bërë në bashkëpunim me "STEP Design & Production" dhe printimi i posterave nga "Iceberg Communication".

Falënderime

Kjo ekspozitë vjen në bashkëpunim me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Autorët u janë mirënjohës të gjithë institucioneve dhe personave që ndihmuan për realizimin e kësaj ekspozite.

E drejta e autorit

Ekspozita dhe paraqitja grafike e saj kanë të drejtë autorësie dhe nuk mund të përdoren pa lejen e autorëve apo IDMC. Nëse keni pyetje rreth kësaj ekspozite ju lutemi të kontaktoni office@idmc.al.

Doni ta prezantoni këtë ekspozitë?

Ekspozita "Në emër të Amerikës" mund të porositet nga të interesuarit në format DIN A1 kundrejt një pagese simbolike dhe të prezantohet në kuadër të aktiviteteve edukative. Për më tepër, ju lutemi të kontaktoni office@idmc.al.

IDMC

IDMC

Institute for Democracy, Media & Culture is an independent, non-profit and non-governmental organization established in 2014 in Tirana, Albania, which inspires and supports projects that foster democratic values, a stronger media and society's reflection on its collective memory.

View all posts