konferenca

Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës

Publikuar më

Në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS), organizoi konferencën ndërkombëtare "Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës".

Në 3 sesione me 15 kumtesa të ndryshme, konferenca solli në vëmendje trajtimin e historisë së sistemeve totalitare në arsimin parauniversitar ku ekspertë të huaj sollën edhe ekspertizë me shembuj nga Gjermania e Polonia.

Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole theksoi se, duke parë mangësitë që shfaqeshin, që prej vitit 2014, Instituti ka synuar përmirësimi i kurrikulës duke zhvilluar konsultime, trajnime, konferenca, botime dhe vizita studimore me mësuesit. Ajo tha se gjërat kanë ndryshuar, por që në një anketim me rreth 300 mësues historie, realizuar së fundmi nga IDMC dhe Shoqata Kombëtare të Mësuesve të Historisë së Shqipërisë (ALBNA), nxori në pah se problemet kryesore vazhdojnë të mbeten.

"Rreth tre të katërtat e mësuesve u shprehën se ndjejnë mangësi në kurrikulën mësimore për sa i përket trajtimit të historisë së diktaturës. Kjo tregon se problemet mbeten. Ndaj IDMC po punon për të sjellë botimin e tretë të "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore", të mundësojë më tepër trajnime dhe mbledhje të dëshmive të ish-të përndjekurve, në mënyrë që nxënësit ta kenë më të plotë informacionin që ata do të mund të marrin në shkolla."
Godole

Przemysław Gasztold nga Instituti i Kujtesës Kombëtare në Poloni solli përvojën polake. Ai tregoi se nën moton "Historia jonë krijon identitetin tonë" Instituti polak, merrte përsipër punë kolosale. Me rreth 2,500 punonjës merrej me lustracionin, hulumtimin dhe denoncimin e krimeve të komunizmit, por prej 20 vitesh edhe me edukimin, pasi botonte vazhdimisht tekste dhe buletine me informacione, të cilat merreshin në shqyrtim nga kurrikula e arsimit parauniversitar.

Më pas kryetari i shoqatës gjermane të mësuesve të historisë, Ulrich Bongertmann, tregoi përvojën e hasur në Gjermani. Pas rrëzimit të murit dhe bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, Bongertmann tregoi se në fillim kurrikula e arsimit parauniversitar e ish-lindjes komuniste mori gjithë pjesën e pas vitit 1945 nga ajo e perëndimit. Më pas disa rajone ndryshuan qasje dhe aplikuan këndvështrime të ndryshme më të zgjeruara në disa tema duke krijuar një kurrikul shumë të ndryshme për lande të ndryshme.

Ekspertja e kurrikulës, Fatmiroshe Xhemalaj tregoi historikun e ndryshimeve të librit të historisë në arsimin parauniversitar pas vitit 1990. Ajo tha se deri në vitin 2005, ndryshimet janë diktuar kryesisht nga ndërhyrjet politike. Ndërsa vlerësoi si pozitive caktimin e rreth 12 orëve mësimore, Xhemalaj u shpreh se "periudha komuniste nuk është e shkuar, por e tashme, sepse ajo mbetet pengesë në pajtimin e shoqërisë, në proceset integruese brenda vendit por dhe në Evropë, gjë për të cilën nevojitet një edukim shumë herë më i mirë".

Çelo Hoxha, drejtor i Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) e përqendroi diskutimin te shpjegimi i mangët i koncepteve të diktaturës. Ai tha se në kurrikulën shkollore nxënësve u duhet mësuar e vërteta e koncepteve si puna vullnetare, prona socialiste, kooperativa etj. Koncepte të tilla "nuk ishin të vërteta" sepse "puna vullnetare ishte me detyrim, prona socialiste nuk ishte e askujt, në kooperativa fshatari nuk zotëronte asgjë". Drejtori i ISKK tha se vetëm shpjegimi i saktë i koncepteve mund të sjellë dhe edukim më cilësor.

Kumtesa të tjera mbajtën historiani Petrit Nathanaili, pedagogia Justina Dhimitri, drejtoresha e ALBNA Vojsava Kumbulla, studjuesi Myrteza Sharra, shkrimtarja Alma Liço, eksperti nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit Skënder Vrioni, mësuesi Nuredin Nazarko, por dhe gjimnazistja Kristina Shahinaj.

Në fund të konferencës, drejtuesja e IDMC Jonila Godole u shpreh se diskutimet do të përmblidhen në një botim në mënyrë që autoritetet të jenë nën trysni për ta përmirësuar kurrikulën.