ditët e kujtesës

Ditët e Kujtesës '22

Publikuar më

Të dashur miq dhe kolegë,

kemi kënaqësinë t'ju ftojmë të shënoni në kalendarin tuaj datat e Edicionit të 7-të të "DITËVE TË KUJTESËS", 17–26 shkurt 2022.

"DITËT E KUJTESËS" është një aktivitet i përvitshëm që synon të mbajë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri. Ato janë ideuar dhe organizohen nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), qysh prej Tetorit të vitit 2016. Çdo vit ka një moto të caktuar. Fokusi i edicionit të 7-të do të vendoset te mitet mbi komunizmin që mbizotërojnë deri më sot.

Regjimet totalitare të shekullit XX përdorën gjerësisht mite politike për të legjitimuar pushtetin dhe politikat e tyre përfshirë këtu edhe krimet e persekutimin. Në vendet komuniste mbizotëruan mitet rreth Luftës II Botërore, kultit të udhëheqësit, rrethimit nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, të partisë si mishërim i mençurisë historike, të zhvillimit të shkëlqyer ekonomik, të njeriut të ri komunist, të emancipimit të grave, të barazisë në shoqëri, të cilësisë së lartë të arsimit, të niveleve të ulëta të kriminalitetit dhe korrupsionit, e të tjera.

Në Shqipëri, mitologjia komuniste ka gjetur dhe gjen akoma kushte të favorshme për të mbijetuar si pasojë e radikalitetit të theksuar të regjimit komunist për të transformuar kushtet socio-ekonomike e indoktrinimin ideologjik të shoqërisë, si dhe për shkak të mospërputhjes midis aspiratave dhe realitetit në një tranzicion postkomunist dhe dramatik të mbushur me kriza të rënda politike, ekonomike etj.

Në këtë kontekst, edicioni i 7-të i "DITËVE TË KUJTESËS" nën moton "Mitet komuniste në Shqipëri, para dhe pas ndryshimit të sistemit" synon të hedh dritë mbi një temë thelbësisht të rëndësishme, të gjerë dhe të pa studiuar. Jemi të nderuar të njoftojmë pjesëmarrjen e antropologes së mirënjohur, Prof. Stephanie Schwandner-Sievers (Mbretëria e Bashkuar), si referuese kryesore në ceremoninë e hapjes më datë 17 shkurt 2022. Për të ftuarit e tjerë do t'ju informojmë në njoftimet e ardhshme.

Gjatë "DITËVE TË KUJTESËS", IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me aktorë të tjerë të fushës brenda dhe jashtë vendit do të ofrojnë për publikun e gjerë aktivitete, si: ekspozita, dokumentarë, konferenca shkencore, instalacione artistike, vizita studimore etj. Ne jemi të interesuar të prekim dhe të eksplorojmë të gjitha llojet e aspekteve të miteve dhe ndërveprimin e tyre me kujtesën dhe debatet post-komuniste.

Siç e kemi kthyer në traditë, ne ftojmë organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës: institucione publike dhe jo publike, muze dhe iniciativa lokale të kujtesës, institucione që trajtojnë ballafaqimin me të shkuarën, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendra studimore etj. të marrin pjesë në këtë edicion duke dërguar propozimet e tyre për aktivitete dhe projekte që mund të kryhen vetëm ose në bashkëpunim.

Propozimet tuaja bazuar në moton e këtij edicioni, mund të dërgohen deri në datën 30 shtator 2021 në adresat e postës elektronike: mirela.sheraj@idmc.al dhe office@idmc.al.

Ose me postë në:

IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë

Përmbledhje

Dita 1, 17 shkurt 2022: Hapja e "DITËVE TË KUJTESËS"

Edicioni i shtatë i "DITËVE TË KUJTESËS" hapet me "rënien e miteve"

Të enjten u zhvillua ceremonia hapëse e DITËVE TË KUJTESËS. Aktivitetit në Sheshin "Skënderbej" iu bashkuan të ftuar specialë, shqiptarë dhe të huaj, miq të IDMC dhe partnerëve, dhe qytetarët.

Ceremonia u hap nga znj. Jonila Godole, Drejtuese e IDMC. Znj. Godole gjatë fjalës së saj rikujtoi për të pranishmit punën dhe kontributin disa vjeçar të institutit në fushën e kujtesës dhe theksoi se vit pas viti "DITËT E KUJTESËS" janë zgjatur dhe aktivitetet janë bërë gjithnjë e më të larmishme. Rëndësia e përkujtimit të viktimave është ndër çështjet më të përzemërta të këtyre ditëve. Znj Godole shprehu mirënjohje për prezencën e brezit të ri në këtë aktivitet, target grup i cili është gjithmonë në vëmendjen e punës së IDMC-së. Njohja e historisë dhe informimi i të rinjve është një ndër synimet kryesore dhe më frytdhënëse të këtij Instituti. Gjatë "DITËVE TË KUJTESËS" qëllimi kryesor konsiston në trajtimin e problematikave kryesore që IDMC ka evidentuar gjatë punës së saj me ish-të përndjekurit dhe ish të burgosurit politik, të cilat ky institut gjatë këtyre ditëve përpiqet t'i adresojë në mënyrë të veçantë.

Pjesë të ceremonisë ishin edhe përfaqësuesit e instituteve më të rëndësishme të cilat mbështesin nismën dhe kontributin e IDMC-së.

Aktiviteti u pasua nga fjala e drejtuesit të Fondacionit Konrad Adenauer z. Tobias Rytershof, fondacion i cili ka një kontribut të madh në fushën e kujtesës. Z. Rüttershoff në fjalimin e tij, vuri theksin tek tematika e këtij edicioni, tek mitet komuniste dhe tek rënia e tyre. Idealizmat dhe nostalgjia për regjimin komunist ishin temat për të cilat foli z. Rüttershoff, duke theksuar rëndësinë e njohjes së të vërtetës historike. Duke folur mbi një dukuri që shpesh herë e hasim, që është kujtimi mbi "të mirat" që komunizmi ka pasur, drejtuesi i KAS dha mesazhin që të mos harrohet se Shqipëria në fund të sistemit komunist ishte shteti më i varfër dhe më pak i përparuar i të gjithë Europës ndoshta edhe të botës. Kjo synohet këto ditë kujtese, vazhdoi z. Rüttershoff, shembja e miteve të komunizmit, duke rritur diskursin publik dhe aktivizmin e shoqërisë civile. Fjala e tij u mbyll me falënderimet për të gjithë ata që kontribuan në organizmin e DITËVE kuptimplotë të KUJTESËS.

Z. Alex Hupin, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ishte i ftuari tjetër pjesë e "DITËVE TË KUJTESËS". Gjatë fjalës së tij, z. Hupin, foli për kujtesën dhe pajtimin. Kujtesa dhe pajtimi, u shpreh ai, vjen në forma të ndryshme. Pikat qendrore të kujtesës janë e vërteta dhe drejtësia. Duke përshëndetur dhe mbështetur edhe fjalën e z. Rüttershoff, z. Hupin theksoi se kuptimi i së shkuarës është një përgjegjësi që nuk duhet të shmanget sepse përballja më të shkuarën i mundëson brezit të ri të ecë përpara për një të ardhme më të mirë dhe më kuptimplotë. Duke ndarë edhe eksperiencën personale, ai dha për të ftuarit edhe shembullin e Bashkimit Europian, si një organizëm që lindi si produkt i hirit të luftërave dhe diktaturave të Europë, sepse e shkuara duhej njohur dhe nevojitej përballja me të. Ai vuri thekson në kontributin që secili nga ne ka në rivendosjen e historisë shkencore të vendit.

"Të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre, duke nisur nga autoritetet publike, ish-të përndjekurit, media, artistët, shoqëria civile etj, të cilët duhet të flasin për çështjet e pazgjidhura të së kaluarës. Bashkimi Europian ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të këtyre zërave dhe këtij misioni të rëndësishëm."
Hupin

Eventin e përshëndeti edhe z. Marek Mutor, Presidenti i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane. IDMC është pjesë e kësaj platfome që në vitin 2016, duke përfshirë MEMO, Institutin e Studimit të Krimeve të komunizmit dhe Kujto.al. Kjo platfomë ka mbështetur fort kauzën e rëndësishme të kujtesës dhe përndjekjes politike, përmes ekspozitave dhe botimeve të ndryshme.

Z. Mutor e nisi fjalën e tij duke nënvizuar së vinte në Shqipëri si përfaqësues i 66 organizatave që punojnë në fushën e kujtesës. Qëllimi i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane është që të kujtojë krimet e ndodhura, të përkujtojë viktimat dhe të vendosë drejtësi. Z. Mutor, si përfaqësues i 66 organizatave, theksoi nevojën për një peticion në Shqipëri dhe e mbështeti atë. Arsyeja pse duhej mbështetur fort ky peticion sipas Z. Mutor lidhej pikësëpari më ekzistencën e një komunizmi aq të vështirë në Shqipëri, ndër më të ashprit në Europë. Kjo është arsyeja se pse duhet të mbështetet ky peticion, sepse drejtësia dhe përkujtimi janë një parakusht për një shoqëri demokratike dhe funksionale. Jam këtu gjithashtu, vazhdoi ai, sepse historia e Shqipërisë është pjesë e historisë së Europës dhe ajo duhet të njihet më shumë në Europë. Prezenca e tij në këtë event ishte gjithashtu për t'i dhënë një shtysë që historia e vendit tonë të njihej edhe nga organizata të tjera në të gjithë Europën. Duke uruar mbarësi, Z. Mutor bëri thirrje për pjesëmarrje në eventet me aq vlerë të ditëve të kujtesës duke theksuar rëndësinë e madhe të përkujtimit.

Mesazhi për purifikimin e shoqërisë nga mitet komuniste erdhi edhe nëpërmjet perfomancës artistike të realizuar nga DoART, e cila i parapriu edhe momentit aq të rëndësishëm të lançimit të Peticionit të parë në Shqipëri për ballafaqimin me të shkuarën dhe kujtesën historike. Nënshkrimi i Peticionit u shoqërua me transmetimin e videomesazheve dhe mbështetjes së dhënë nga figura të ndryshme, studiues, profesorë, të persekutuar, të rinj.

Ky edicion vazhdoi suksesshëm edhe me aktivitetet e datës 18, konferenca ndërkombëtare "Mitet komuniste para dhe pas rënies së sistemit" dhe vizitës së datës 19 në muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Vizita në Shkodër u shoqërua edhe me firmosjen e peticionit, i cili vazhdon të mbështetet suksesshëm çdo ditë pranë Sheshit "Skënderbej".

Dita 2, 18 shkurt 2022: Konferenca

Konferenca ndërkombëtare "Mitet komuniste në Shqipëri, përpara dhe pas ndryshimit të sistemit"

"DITËT E KUJTESËS" sollën në ditën e dytë të edicionit 2022, konferencën shkencore ndërkombëtare "Mitet komuniste, para dhe pas rënies së sistemit", e cila përfshiu dhjetëra studiues dhe pjesëmarrës të interesuar mbi drejtësinë tranzitore dhe jo vetëm. Sesioni I i fjalëve përshëndetëse nisi nën moderimin e znj. Jonila Godole, Drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë me prezencën e përfaqësuesit të Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Mauro Puco dhe z. Marek Mutor, President i PEMC.

Në fjalën e saj hyrëse, znj. Godole theksoi rëndësinë e rishikimit të kurrikulave, si një problematikë e paadresuar në këto 31 vite pas rënies së regjimit komunist dhe se ky është një proces që duhet marrë me seriozitetin që duhet të ketë për dekomunistizimin e shoqërisë në shekullin e 21-të. Njëkohësisht, znj. Godole kërkoi mbështetjen për peticionin e sapolançuar si një risi e "DITËVE TË KUJTESËS" për t'ju drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një paketë të plotë ligjore për të bërë atë që është bërë pak apo keq në këto 31 vite.

"Përmes kërkimit akademik, debatit të hapur e të vërtetë dhe përfshirjes së njëmendtë të shoqërisë civile mund të ndihmojmë në shërimin e plagëve që vendi ka trashëguar nga barra e rëndë e së kaluarës komuniste."
Puco

Ai tha se, me gjithë përparimin strukturor, duhen forcuar më shumë mekanizmat e drejtësisë tranzitore që trajtojnë të shkuarën dhe rrëzojnë mitet e regjimit komunist në Shqipëri.

Idrit Idrizi shpjegoi për të gjithë pjesëmarrësit se cili ishte qëllimi i kësaj konference dhe qasja mbi te cilën u pranuan kumtesat.

Konferenca vijoi me fjalën e një prej folëseve kryesore te kësaj konference, Prof. Stefani Shvandner-Sivers, antropologe sociale ne Universitetin Bournemouth, e cila referoi mbi të kalurën si një vend i huaj. Ajo tha se është krejt e ndryshme kur bëhet fjalë për kujtimet e historisë së jetuar. Pluraliteti i memories, në vend të kujtesës së ngurtësuar e të formalizuar, mund të jetë pjesë e peizazhit demokratik. Megjithatë kujtesa e Shqipërisë komuniste duket thellësisht e ndarë dhe shpesh antagoniste me vëzhguesit e jashtëm.

Në panelin e parë referoi z. Enis Sulstarova mbi mitin politik të qëndresës përmes romaneve të Ismail Kadaresë. Znj. Anjeza Xhaferaj u ndal te fenomeni i punës vullnetare dhe miti i krijuar në letërsinë e realizmit socialist. Znj. Inis Shkreli referoi punimin në bashkautorësi me znj. Zhaneta Gjyshja mbi instrumentalizimin e arkeologjisë dhe etnologjisë në komunizëm. Znj. Rovena Vata foli mbi mitet komuniste në këngë, duke marrë në analizë vëllimet "Për partinë shqipe mali". Ky panel u moderua nga Prof. Dr. Valentina Duka.

Në panelin e dytë referoi z. Çelo Hoxha, i cili trajtoi çështjen e ekzistencës së PKSH në aspektin teorik dhe juridik. Ai argumentoi se në Shqipëri në 1941 nuk ekzistonin kushtet e domosdoshme për krijimin e një partie komuniste, siç parashikonin parimet e teorisë marksiste, sepse mungonte proletariati. Mungesa e proletariatit do të thoshte se mungonte klasa borgjeze, e cila, duke zotëruar mjetet e prodhimit, krijonte klasën punëtore. Duke munguar të dy klasat, mungonte antagonizmi klasor. Për rrjedhojë, PKSH, argumentoi Hoxha, ishte një filial i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (i administruar përmes jugosllavëve). Në aspektin juridik, zoti Hoxha argumentoi që PKSH ishte e paligjshme, që nga krijimi i saj deri në rënien e komunizmit.

Në vijim të panelit ishte kumtesa e studiuesve Egin Ceka dhe Doan Dani mbi mitin e parazitit. Znj. Mrika Limani solli në këtë panel studimin mbi perceptimin e Shqipërisë komuniste dhe Enver Hoxhës nga grupet marksiste në Kosovë. Ndërsa znj. Isabel Strohle solli në analizë "Shqipëria e Enver Hoxhës në imagjinatën dhe politikat e Jugosllavisë socialiste". Paneli u moderua nga Dr. Klejd Këlliçi.

Gjatë pushimit të kafes u sollën punimet në formatin poster të studiuesve Ardit Metani, Ardita Dylgjeri dhe Irgen Xhyra, Aris Dougas Chavarria, Etleva Cani, Ines Stasa, Irena Gorica, Nuredin Nazarko dhe Vojsava Kumbulla. Pjesëmarrësit u njohën me punimet e posterave dhe mbi qasjen e këtyre punimeve ne lidhje me mitet komuniste dhe postkomuniste.

Paneli i tretë, që konsistoi në mitet e komunizmit pas rënies se regjimit, u moderua nga Prof. Merita Poni. Tre kumtesat ishin të z. Artan Hoxha me punimin mbi çmitizimin dhe riprodhimin e miteve komuniste në Shqipërinë postsocialiste. Dr. Këlliçi u ndal te Varrezat e Dëshmorëve dhe eshtrat e lëvizshme në postkomunizëm mbi heronjtë dhe joheronjtë martirë. Kumtesa e fundit e panelit ishte nga një gup studiuesish mbi narrativën e vuajtjes së përbashkët, një studim psikologjik për rolin e komuniteteve në krimet komuniste.

Konferenca vijoi me fjalën e folëses kryesore të radhës, Prof. Lavinia Stan, e cila u ndal te shpjegimi i 5 miteve kryesore. Transformimi postkomunist në Evropën Qendrore dhe Lindore është përpjekur të përballet me tmerrin e të shkuarës komuniste po aq sa edhe për të ngritur një demokraci të qëndrueshme për të ardhmen, dhe për të trajtuar problemet shoqërore dhe ekonomike. Pavarësisht metodës së përzgjedhur për zbatimin e drejtësisë tranzitore, si lustracion, gjyqe në gjykatë, qasjen në dosjet sekrete, kthim apo vendosjen e pronave si vende të kujtesës, ndër të tjera vendet e Evropës Lindore ndajnë një sërë mitesh që lidhen me politikën e tyre të kujtesës. Në vend që të jenë sisteme koherente që shpjegojnë realitetin, këto mite dhe besime kanë themele që shkojnë përtej logjikes, dhe kështu ka pak gjasa që provat e siguruara të mund të thyejnë imunitetin e tyre pseudokonjitiv. Këto mite prekin një sërë supozimesh, presupozimesh dhe argumentesh thjeshtëzuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e politikave të drejtësisë tranzitore, e debatit publik për dobinë, legjitimitetin dhe realizueshmërinë e procesit, dhe kanë shërbyer si kuadër i punimeve studimore mbi temën.

  • Miti 1: Drejtësia politike është hakmarrje politike
  • Miti 2: Drejtësia është e panevojshme
  • Miti 3: Drejtësia lidhet vetëm me fajësimin
  • Miti 4: Faji është kolektiv
  • Miti 5: Spiunët kishin më shumë faj se zyrtarët e partisë

Shoqëritë e Evropës Qendrore dhe Lindore janë prirur të konsiderojnë agjentët e policisë sekrete politike si më mizorë dhe më të fajshëm se zyrtarët komunistë, megjithëse provat tregojnë se nomenklatura vepronte si truri që orkestronte torturën, shtypjen dhe kanosjen që ushtrohej nga muskuli i policisë sekrete. Në të gjithë rajonin kishte interes të konsiderueshëm në hapjen e dokumentacionit të mbledhur nga policia sekrete politike, por jo dhe aq interes për arkivat e partisë komuniste, që i janë hapur publikut vetëm në raste të përzgjedhura. Disa analistë vendorë e kanë përqendruar vëmendjen e tyre në ngjashmëritë midis veprimtarisë së inteligjencës të ndërmarrë nga partia dhe nga policia sekrete dhe kanë argumentuar se partia mblidhte informacion mbi anëtarët dhe kandidatët përmes informatorëve sekretë në operacione të ngjashme me ato të policisë sekrete. Sipas këtyre kërkuesve, arkivat e policisë sekrete duhet të plotësohen me arkivat e partisë për një panoramë më të qartë të veprimtarive të spiunimit dhe denoncimeve, bashkëpunimit apo modeleve të rezistencës që lidheshin me to.

Është e vështirë të përcaktohen saktë arsyet që çojnë në dënimin e agjentëve sekretë më shumë se sa të zyrtarëve të partisë komuniste, por karakteri sekret dhe i fshehur i punës së tyre mund të jetë një shpjegim i pranueshëm. Për më tepër, evropiano-lindorët pranojnë se edhe midis spiunëve kishte shkallë fajësie, ku bashkëpunëtorët me kohë të pjesshme të marrë nga të gjitha fushat e jetës ishin më të dënueshëm se sa oficerët me kohë të plotë. Në hierarkinë e komandës zyrtarët e partisë vendosnin për kuadrin e përgjithshëm brenda të cilit vepronin shërbimet sekrete, oficerët me kohë të plotë zbatonin programin e partisë dhe përzgjidhnin metoda të veçanta për ta përkthyer në realitet, ndërsa informatorët me kohë të pjesshme mblidhnin informacionin e nevojshëm për të shantazhuar dhe për t'iu kanosur disidentëve. Detalet më të vogla, pra informatorët me kohë të pjesshme, janë ata që nguliten në mendjen e publikut. Ata ishin më pranë viktimave, dhe i bënin punët e tyre të fshehta nga pozicione të padyshueshme si të afërm, miq, kolegë pune dhe fqinjë. Ndërkohë që në disa raste oficerët shfajësoheshin me argumentin se ato po bënin punën e tyre, informatorët me kohë të pjesshme denoncoheshin unanimisht për dyfytyrësinë e tyre dhe gatishmërinë për të tradhtuar ata që u besonin. Sa më shumë viktimat kishin besim tek informatorët që në sekret spiunonin për ta, aq më të befasuar dhe të zhgënjyer ishin ata kur merrnin vesh identitetin e spiunëve.

Drejtësia tranzitore është rrekur të zbulojë të vërtetën dhe të izolojë gënjeshtrën e regjimit komunist, të ndajë viktimat nga viktimizuesit dhe të përcaktojë se sa përgjegjësi ndajnë midis tyre udhëheqësit komunistë dhe qytetarët e thjeshtë për abuzimet e kryera në periudhën 1944–1989. Të paktën për momentin, çdokush duket se ka mendimin e vet lidhur nga gjithë e vërteta e zbuluar deri tani. Kjo vjen sepse kjo përpjekje e bashkërenduar është prirur të theksojë numrin (e dosjeve sekrete të vëna në dispozicion të publikut, të informatorëve të identifikuar, të zyrtarëve të komunizmit që iu nënshtruan lustracionit, të gjyqeve të hapura, të ish-agjentëve sekretë të përjashtuar), duke dëmtuar cilësinë e procesit (zbulimin e atyre që kanë projektuar shtypjen më shumë se atyre që kanë vepruar si spiunë me kohë të pjesshme, identifikimin dhe lustrimin e "kokave të mëdha" dhe jo "të vegjëlve", ose dallimin ndërmjet shkallëve të përfshirjes dhe fajit).

Dita 5, 21 shkurt 2022: Ekspozita "Fytyrat e Diktaturës"

Ekspozita për mbi 160 përgjegjësit e instalimit të regjimit komunist në Shqipëri

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit hapën të hënën ekspozitën multimediale "Fytyrat e Diktaturës" te Vila 31, vila e ish-diktatorit në Bllok.

Në një mur me fotografi u paraqitën krah njëri-tjetrit portretet e 161 burrave e grave, të cilët kanë përgjegjësi direkte për instalimin dhe mirëfunksionimin e mekanizmave që e mbajtën në jetë regjimin komunist, duke përdorur represionin, përndjekjen, dhunën dhe terrorin.

"Ky mur është shumë më i vogël sa ç'duhet të ishte, dhe shpresoj që ai të pasurohet më tej me fotografi e dokumente. Donim që ekspozita të çelej pikërisht këtu, ku dikur janë marrë vendime për fatet njerëzore. Në kuadër të Peticionit për Dekomunistizim dhe Drejtësi, ne apelojmë që kjo shtëpi të kthehet në një muze të posaçëm për diktaturën në shërbim të informimit më të mirë të brezit të ri, që ka pak informacione për atë periudhë," tha Dr. Jonila Godole, drejtuesja e IDMC.

Nga ISKK, Dr. Çelo Hoxha shtoi: "Ajo që tregohet në këtë ekspozitë është shumë pak nga thellësia dhe gjerësia e shpërndarjes së krimeve përgjatë 50 viteve të diktaturës."

Ekspozita vjen me mbështetjen e Fondacionit gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien. Shefi i zyrës, Dr. Tobias Rytershof, kujtoi se "Viktimat kurrë nuk duhen harruar. Kaluan shumë vite të vegjëlisë dhe rinisë pa mundur t'i shijojnë ato, por duke punuar fort në kampet e punës. Ne i mbështetim dhe i kujtojmë njerëzit që nuk mbijetuan dot."

Bullgaria ka kaluar një histori të ngjashme nën komunizëm. Me këtë rast ishte i ftuar edhe, ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momçil Rajçevski. Ai bëri thirrje që shoqëria të diskutojë më shumë për çka sollën regjimet totalitare.

"E kaluara shpesh harrohet, shpesh qëllimisht. Por ne nuk duhet të flasim vetëm për viktimat, apo për ata që jepnin urdhrat dhe personat që i ekzekutonin ata."
Rajçevski

Nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve, Sekretari Gjergj Marku përsëriti idenë e muzealizimit të disa vendeve kryesore të kujtesës në Shqipëri, si Burgu i Spaçit, Burgu i Burrelit, Kampi i Tepelenës.

"Të paktën të mbahen në gjendje muzeale, që ju të rinjtë që jeni këtu sot t'i shihni vetë ligësitë që bërë sistemi. Natyrisht, ne jemi përballë paradokseve, sepse ata që bënë diktaturën, për fat të keq duan të bëjnë edhe demokracinë sot."
Marku

Në çeljen e ekspozitës pati pjesëmarrje të gjerë me ish-të përndjekur politikë, ambasadorët e Bullgarisë, Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe PNUD, medie, studentë dhe të tjerë.

Dita 6, 22 shkurt 2022: Dokumentari

Shfaqja e dokumentarit gjerman "Kur nëna shkonte herët në punë"

Në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS", të martën u shfaq dokumentari gjerman "Wenn Mutti früh zur Arbeit geht" ("Kur nëna shkonte herët në punë"), që i kushtohet jetës së gruas në komunizëm.

Aktiviteti i organizuar në ambientet e "Europe House" nga Fondacioni Federal i Kujtesës (Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur) në bashkëpunim me IDMC dhe me Ambasada Gjermane Tiranë u hap me fjalën përshëndetëse të ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Cingraf.

Pas shfaqjes së dokumentarit, aktivistja për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, moderoi një diskutim në panel me drejtoren e Fondacionit, Ana Kaminski, dhe me arkivisten e studiuesen Prof. Nevila Nika.

Diskutimi për jetesën e gruas në komunizëm u pasurua nga komentet e të ftuarave në sallë, Vera Bekteshi, Nora Malaj , Fatmiroshe Xhemalaj dhe të pranishmit.

Dita 7, 23 shkurt 2022: Botimet e reja dhe dokumentari i ISKK

Prezantimi i librave "Vademecum Albania" dhe "Të mos harrojmë"

Të mërkurën në ambientet e hotel "Rogner" u prezantua "Vademecum Albania". Libri është udhëzuesi i parë i këtij lloji, që i referohet të gjitha institucioneve dhe vendeve më të rëndësishme për njohjen e së shkuarës historike të Shqipërisë gjatë periudhës së diktaturës.

"Vademecum Albania" është redaktuar nga Dr. Jonila Godole dhe vjen si një bashkëpunim i IDMC me Fondacionin Federal Për Studimin e Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore (Bundesstiftung zur Aufarbeitung der SED-Diktatur).

"Vademecum Albania" u prezantua nga Dr. Sabine Kuder, Drejtuese e Departamentit të Historisë Publike në Fondacionin Federal, dhe nga 2 studiueset Brisejda Lala dhe Oriada Dajko.

Në vijim, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) paraqiti një sërë botimesh të reja dhe kolanën me autorë të ndryshëm. Panelet u moderuan nga Drejtori i Institutit, Dr. Çelo Hoxha dhe shkrimtarja Luljeta Lleshanaku. Studiuesi Ergys Mërtiri nga ISKK prezantoi dokumentarin "Arkitektura në komunizëm".

Diskutimet në panele dhe dokumentarin mund t'i rishihni në faqen e IDMC në Facebook.

Diktatura dhe regjimi komunist në Shqipëri kanë lënë mbresa të thella te viktimat që janë ende mes nesh. Kjo u duk të mërkurën te rrëfimet personale të Ylber dhe Shpresa Merdani, apo te Viktor Martini.

Ata u ftuan në vazhdën e "DITËVE TË KUJTESËS" për t'i përcjellë mesazhe brezit më të ri, që të mësojnë nga e shkuara e tyre tragjike për të mos e përsëritur. Historitë e tyre janë përmbledhur në librin "Të mos harrojmë". Botimi i ri solli në një panel çiftin Merdani, gazetaren Fatmira Nikolli dhe eksperten e kurrikulës shkollore, Fatmiroshe Xhemalaj.

"Të mos harrojmë: Kujtesa e totalitarizmit në Europë" është një libër praktik për nxënësit e shkollave të mesme europiane. Synimi është edukimi i brezit të ri për me rëndësinë që kanë të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe shoqëritë demokratike.

Botimi i dytë u mundësua nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (Platform of European Memory and Conscience, PEMC) në bashkëpunim me Institutin shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Aktivitetin e përshëndetën historiani polak Ukash Kaminski, njëherësh ish-Presidenti i PEMC, dhe Kryetarja e Shoqatës së Mësuesve të Historisë, Vojsava Kumbulla.

Në përfundim, të ftuarit u bënë edhe vizitorët e fundit të ekspozitës "Fytyrat e Diktaturës". Ekspozita qëndroi hapur për tri ditë te Vila 31, ish-vila e diktatorit Hoxha në Bllok, duke paraqitur me foto e video mbi 160 burra e gra përgjegjës për mbajtjen në jetë të regjimit komunist në Shqipëri me represion, përndjekje, dhunë dhe terror.

Dita 8, 24 shkurt 2022: Tryeza rrumbullake "Vendet e kujtesës: Sfida dhe iniciativa"

Vendet e kujtesës në Shqipëri dhe në vendet e tjera post-komuniste

Fokusi i DITËS 8 të KUJTESËS u vendos te vendet e kujtesës në Shqipëri dhe Europë.

Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Jonila Godole, kryesoi një tryezë të rrumbullakët me zyrtarë vendorë dhe të huaj.

Tryeza "Vendet e kujtesës – Sfida dhe iniciativa" trajtoi të ardhmen e burgjeve, kampeve të internimit apo vetë shtëpive të persekutorëve nga regjimet e shkuara në Shqipëri dhe jashtë.

Fjalët hapëse të aktivitetit iu kushtuan situatës fatkeqe që po kalon Ukraina nga agresioni luftarak rus. Znj. Godole shprehu solidaritet me popullin ukrainas. "Asaj që ne i druheshim, fatkeqësisht ndodhi," tha znj. Godole.

Daniel Shuster, shefi i zyrës së Vjenës për organizatën Shërbimi i Jashtëm Austriak, mori i pari fjalën për temën e takimit.

Ai solli përvojën e Austrisë me vendet e kujtesës dhe si shembull konkret, shtëpinë e lindjes së liderit nazist, Adolf Hitler.

"Shtëpia e Hitlerit duhet kthyer në një 'shtëpi përgjegjësie'. Ajo duhet përdorur si një qendër botërore ku të mësohet për përgjegjësinë e individit, demokracinë, antisemitizmin."
Shuster

Historiani polak, Ukash Kaminski, shtoi se mosngritja e muzeve të kujtesës që lidhen me komunizmin është një problem për Shqipërinë, por edhe kryesisht europian.

"Po të imagjinosh peizazhin e kujtesës pa muzetë e ish-kampeve naziste, është vështirë të thuash historinë e nazizmit, pa ato kampe, pa i ruajtur ato vende. Dhe po bëjmë pikërisht këtë gjë për historinë e komunizmit."
Kaminski

Kaminski, dikur president i Platformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes, komentoi edhe ekspozitën "Fytyrat e Diktaturës" që IDMC dhe ISKK hapën së bashku këtë javë në ish-vilën e diktatorit Enver Hoxha në Bllok.

"Mendoj se nga këndështrimi europian, ky vend na jep një mundësi unike, nëse ka hapësira diskutimi, nëse ka shanse për ta kthyer në një muze, sepse po fokusohemi te godinat e ish-Sigurimit, te burgjet, dhe çfarë na mungon? Ishte Partia Komuniste që e ngriti gjithë sistemin!"
Kaminski

Znj. Kozeta Angjeliu, nga Ministria e Kulturës, tha se dikasteri i saj është i interesuar për ruajtjen e vendeve të kujtesës, siç e ka treguar me kujdesin ndaj Burgut të Spaçit apo Kampit të Tepelenës. Megjithatë shtrëngesat financiare në buxhet janë arsye që ia kufizojnë veprimtarinë në këtë drejtim.

Bashkia e Tiranës u përfaqësuar nga z. Klaus Bushi, përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Sipas tij, të reflektuarit mbi të shkuarën nuk duhet të thjeshtohet vetëm te dëshira e të pasurit një muze përkujtimor, por edhe tek të informuarit.

"Të rinjtë shqiptarë kanë pak informacion për të shkuarën tonë komuniste. Ka pasur krime, por si, pse në atë moment, pse këta njerëz, sa të shkolluar ishin?"
Bushi

Ndërkohë Bashkia e Tiranës nuk ka plane aktualisht për një kënd mësimi mbi kujtesën te Piramida apo ish-vila e diktatorit, që janë godina simbol prej regjimit totalitar shqiptar.

Arkitekti Gjon Radovani paraqiti projektin për muzealizimin e Kampit të Tepelenës, që dikur shërbente si kamp i dhunshëm internimi për fëmijë e të rritur.

Aktivitetin e komentuan edhe historiani e kuratori i Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës, Pjerin Mirdita, si edhe Etleva Demollari nga Muzeu Kombëtar "Shtëpia me Gjethe".

Tryeza mund të rishihet e filmuar në faqen e IDMC në Facebook.

Dita 9, 25 shkurt 2022: "Kujtesa si mision"

IDMC dhe partnerët tanë në vend, të premten patën disa aktivitete lokale nën moton "Kujtesa si mision". Korça, Berati, Kuçova, Lezha dhe Saranda ishin ndalesat e fundit jashtë kryeqytetit në prag të mbylljes së eventit të përvitshëm DITËT E KUJTESËS.

Lezhë

Takimi në Lezhë te Qendra Rinore HANA u koordinua me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë - dega Lezhë, me Kryetar z. Anton Kolziu dhe me Sekretarin e Shoqatës, z. Bardhok Ndreca. Në diskutim mori pjesë edhe z. Gjergj Leka, ish-i burgosur politik që në moshë të re. Internimin ose burgosjen për arsye politike gjatë regjimit të shkuar komunist, të rinjtë e sotëm fatmirësisht vetëm mund ta imagjinojnë. Në mendjen e tyre ngrenë shumë pyetje. Si ishte izolimi atëherë? Pse ndonjëherë gjyshet e gjyshërit flasin ende me nostalgji për kohën e komunizmit? Çfarë u ndodhte familjeve kur dikush dënohej nga regjimi?

Bashkëvuajtës, prindër dhe nxënës shkollash folën hapur për vuajtjet në diktaturë dhe rëndësinë e kujtesës, vlerat e parimet demokratike, të cilat të rinjtë duhet të mbrojnë që e kaluara të mos përsëritet.

Berat

Në shkollën e mesme “Drita e Dijes” në Berat u mbajt një aktivitet me titull “Kujto për të mos i harruar”. Nxënësit kishin realizuar broshura, piktura, prezantime mbi ngjarjet më të bujshme të periudhës 1945–1991, si dhe recitime të poezive të poetit Havzi Nela. Mes tyre u dhanë mesazhe për rëndësinë e demokracisë dhe kujtesës rreth të shkuarës historike të vendit.

Kuçovë

Ndërkohë, një grup nxënësish dhe mësuesja Anduela Dhimitri nga gjimnazi “5 Tetori” Kuçovë realizuan një vizitë studimore në ish-burgun e grave gjatë regjimit komunist. Znj. Dhimitri i njohu të rinjtë me të dhëna të cilat ata nuk i dinin, edhe pse janë qytetarë të Kuçovës. Disa prej tyre madje kishin edhe shtëpitë pranë burgut. Pas vizitës u realizua një trajnim i mëtejshëm me qëllim thellimin e njohurive për historinë lokale të qytetit të Kuçovës.

Korçë

Ekspozita “Korça kujton” organizuar nga IDMC pati si qëllim të sjellë në memorien e qytetarëve korçarë intelektualët dhe patriotët, bashkëmoshatarë dhe ish-kolegë të diktatorit Hoxha, të cilët vuajtën hakmarrjen e tij. Ai nën akuzën e “agjitacion dhe propagandë” dënoi, internoi dhe ekzekutoi intelektualët më të shquar dhe atdhetarët e vërtetë të kombit shqiptar. Në këtë ekspozitë u shfaqën portretet e 25 viktimave, dikur miq të diktatorit Hoxha. Filantropët e shquar korçarë patën fatin tragjik të përjetonin gjykimin, përndjekjen dhe internimin, për të vetmen arsye pse ishin intelektuale, tregtarë dhe vizionarë. Ceremonia e hapjes së ekspozitës u mbajt në sheshin kryesor të qytetit të Korçës, pranë katedrales me prezencën e ish-të përndjekurve politikë, studentë, përfaqësues të bashkisë Korçë dhe Maliq etj.

Sarandë

Në Sarandë u zhvillua një takim me nxënës gjimnazistë në qendrën komunitare në fshatin Mursi ku të ftuar ishin: Lol Gërbura dhe Kozma Gogo, dy ish-të përndjekur politikë, e njëkohësisht baballarët e tyre kishin vuajtur dënimet në burgjet komuniste të Burrelit dhe të Spaçit. Ata treguan historinë e të përndjekurve të zonës së Mursisë dhe historitë personale të familjeve të tyre, në formë bashkëbisedimi me nxënësit për rreth një ore e gjysmë. Më pas u vizitua Memoriali i ndërtuar në qendër të fshatit.

Tiranë

Filmi artistik me metrazh të shkurtër “Mbjellja e pemëve”, skenari Ylljet Aliçka, regjia Fabio Seferi, me producent Mateo Cingu u shfaq gjatë DITËVE TË KUJTESËS i shoqëruar edhe nga një diskutim në panel. Diskutimi me pjesëmarrës Ylljet Aliçka, Fabio Seferi, Fatmiroshe Xhemalaj (historiane, eksperte kurrikulës shkollore) dhe Hektor Ruci (pedagog në Universitetin New York Tirana).

Filmi rrëfen vuajtjet në burgjet e diktaturës. Historia e një të riu që vuan në burgjet e komunizmit dhe humbet jetën në to, vjen i realizuar në një film me metrazh të shkurtër me protagonistë mjaft emra të njohur të kinematografisë shqiptare, si, Luiza Xhuvani, Roerd Toçe, Kastriot Çaushi etj. Gjithashtu në këtë film protagonist ishte dhe aktori i mirënjohur Gulielm Radoja.

Dita 10, 26 shkurt 2022: Mbyllja e "DITËVE TË KUJTESËS"

Përkujtojmë viktimat e diktaturës komuniste në Shqipëri

IDMC mbylli të shtunën "DITËT E KUJTESËS 2022" duke përkujtuar viktimat e diktaturës në Shqipëri.

"Memoriali i Dritës" u realizua nga IDMC në bashkëpunim me psikologen holandeze, Janeke Hërc. Të pranishmëve iu dha mundësia simbolike që të reflektojnë për 26 Shkurtin 1951 dhe për ata që u ndanë herët nga jeta e tyre, me një qiri dhe një mesazh në letër. Në masakrën e 26 Shkurtit, shkrimtari Manush Peshkëpia ishte një ndër 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq me urdhër të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ndërsa Gëzim Peshkëpia, i biri, u persekutua atëkohë. Ai apeloi nga sheshi "Skënderbej" për ngritjen e një memoriali në Tiranë, që pasardhësit e viktimave të diktaturës të kenë një vend për t'i përkujtuar, më në fund.

"DITËT E KUJTESËS" u çelën më 17 shkurt me iniciativë të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, me mbështetjen e pazëvendësueshme nga Fondacioni gjerman Konrad Adenauer në Shqipëri dhe me pjesëmarrjen e shumë institucioneve partnere. Falënderojmë edhe qytetarët e panumërt në aktivitetet tona.

Për 10 ditë, ish-të përndjekur politikë, studiues, të rinj, mësues dhe qytetarë mësuan fakte rreth të kaluarës së Shqipërisë nën diktaturë. Komunizmi i kufizoi dhunshëm bindjet e shoqërisë, besimin, kulturën, demokracinë dhe lirinë e shqiptarëve.

"DITËT E KUJTESËS" do të rikthehen në vitin 2023 dhe ne shpresojmë të na gjejnë si shoqëri më të ndërgjegjësuar për të kaluarën tonë të errët historike.

Organizatorët

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Fondacioni
Fondacioni "Konrad Adenauer"

Partnerët dhe mbështetësit

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Ambasada e Austrisë
Ambasada e Austrisë
Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë
Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë
Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore
Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore
Shërbimi i Jashtëm Austriak
Shërbimi i Jashtëm Austriak
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane
Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane
Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri
Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri "kujto.al"
Memo Albania
Memo Albania
Bashkia e Tiranës
Bashkia e Tiranës
Bashkia e Korçës
Bashkia e Korçës
Bashkia e Maliqit
Bashkia e Maliqit
Universiteti Europian i Tiranës
Universiteti Europian i Tiranës
Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë
Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë
Instituti i Historisë
Instituti i Historisë
Botimet
Botimet "Berk"