Ditët e Kujtesës IV

20–27 SHKURT 2019, TIRANË

#ditëtekujtesës2019

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Aktiviteti i përvitshëm DITËT E KUJTESËS, do të organizohet këtë vit në datat 20–27 shkurt 2019, me rastin e 28 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri si dhe për të përkujtuar 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq me  pretekstin e të ashtuquajturës "Bomba sovjetike". Në këtë javë kujtese IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, ISKK, AIDSSH dhe aktorë të tjerë që operojnë në fushën e kujtesës në Shqipëri, do të sjellin çdo ditë aktivitete të ndryshme që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën si: promovim veprash shkencore mbi diktaturën, simpozium shkencor mbi qasjet aktuale studimore ndaj komunizmit, konferencë mbi trashëgiminë materiale të komunizmit, forume diskutimi me të rinj, shfaqje dokumentarësh, prezantim ekspozitash, vizita studimore në vendet e kujtesës etj.

 

Aktivitetet e këtij viti do të jenë të larmishme, ndër të tjera:

  • Ceremonia e hapjes së Ditëve të Kujtesës, më 20 shkurt
  • Prezantim i punës kërkimore mbi diktaturën, më 20 shkurt
  • Forum: "Antikomunizmi në Shqipëri: Histori dhe Aktualitet", më 21 shkurt
  • Simpozium shkencor: "Qasje Aktuale Studimore ndaj Komunizmit: Sfida dhe Mundësi", më 22 shkurt
  • Forum me studenët: "Kujtesa dhe Demokracia", më 22 shkurt
  • Historia gojore në shkolla dhe projekte studimore, më 23 shkurt
  • Konferencë: "Ballafaqimi me Trashëgiminë Materiale të Komunizmit", më 25 shkurt
  • Shfaqja e dokumentarit: "Kush është Heroi?", më 25 shkurt
  • Shfaqja e dokumentarit: "Mall për me Këndue", më 26 shkurt
  • Aktiviteti "SIGURIMI & Sporti", më 27 shkurt


Informacione për aktivitetet në kuadër të "Ditëve të Kujtesës":

Programi i plotë i aktiviteteve (në anglisht, 1.1 MB)

 

Konsultoni edicionet e kaluara të DITËVE TË KUJTESËS 2016, 2017 dhe 2018.

  • DITA e TRETë, 22 SHKURT: SIMPOZIUMI DHE FORUMI SHkENCOR

     

    Në ditën e tretë të aktivitetit "Ditët e Kujtesës" u mbajt Simpoziumi shkencor "Qasje aktuale studimore ndaj komunizmit" dhe forumi "Kujtesa dhe demokracia".

     

    Tiranë – "Komunizmi mbetet ende prezent në të tashmen e Shqipërisë, por provat janë mjeti më i fortë që kanë sot historianët në duar për të sjellë një panoramë të qartë të Shqipërisë në ato vite." Kështu e nisi diskutimin e tij sot historiani Bernd J. Fischer në simpoziumin e organizuar nga IDMC mbi qasjen aktuale studimore ndaj komunizmit, i konceptuar si forum shkëmbimi përvojash e idesh. Fischer tregoi përpara të pranishmëve sfidat që sjell puna me dokumentet duke paraqitur detaje nga dy raporte ai gjerman dhe ai amerikan që kanë studiuar atë periudhë, të prodhuara nga ekspertë të huaj, përkatësisht raporti i Vermaht-it mbi Shqipërinë, dhe studimi i Jacobson. Sipas raportit 50-faqësh të Vermaht-it data e largimit të gjermanëve nga vendi ynë ka qenë 4 dhjetor 1944, por Fischer nuk u ndal gjatë në këtë pike sepse sipas tij vendosja e datave historike për ngjarje të tilla ka qenë gjithmonë një vendim politik edhe në shtete të tjera. Raporti amerikan prej 250 faqesh ofronte informacione të ndryshme, ndër të tjera edhe për kushtet e burgjeve, proceseve gjyqësore etj. Kurse raporti gjerman sipas tij prekte shumë çështje të mprehta, ndër to edhe aspekte sociale siç ishte mungesa e aksesit ndaj shërbimit shëndetësor për 80% të shqiptarëve.

    Studiuesi Igor Duda, përfaqësues i një qendre kërkimore për studime kulturore dhe historike mbi socializmin solli përvojën kroate, përmes projektit "Njeriu i Ri" socialist. Studimi i tij ishte shtrirë në disa fusha si histori, etnografi, antropologji, muzikologji etj, dhe i referohej një periudhe 20-vjeçare studimore. Përmes prezantimit të Igor Dudas pjesëmarrësit mundën të shihnin sa hapa përpara ka bërë Kroacia në mbështetjen që i jep studimeve mbi socializmin gjatë periudhës së Titos, krahasuar me Shqipërinë ku studimet shumë pak financohen dhe mbështeten.

    Përfaqësues nga institucionet shqiptare studimore e pasuruan simpoziumin me përvojën e tyre. Agron Tufa, përfaqësues i ISKK, ngriti problemin e aksesit në arkivat e SHISH dhe të ish-Sigurimit, që kanë qenë dikur pjesë e Ministrisë së Brendshme, por tani i kanë kaluar Autoritetit. Sipas Tufës, Autoriteti nuk u kthente përgjigje kërkesave të tyre të shumta dhe i zvarriste.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Ndërsa drejtori i Arkivit Shtetëror, Ardit Bido, foli për deklasifikimin e mijëra dokumenteve së fundmi, ndër to edhe deklasifikimin e fondit personal të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Bido u shpreh se tani mund të konsultohen shumë dokumente me vlerë për të nxjerrë në pah historinë reale të asaj kohe. Por sipas tij, pengesë vazhdonte të ishte mentaliteti apo një lloj frike nga punonjësit e arkivës, të cilët nuk dinë të sillen kur u qëllon t'u bien në duar informacione të rëndësishme, sepse druajnë se prekin ndonjë sekret shtetëror.

    Ish-drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika solli shembuj konkretë nga përvoja e saj gjatë 37 viteve punë në arkiva. Ndër të tjera ajo u shpreh e indinjuar për largimin nga puna të mbi 50 punonjësve të arkivit në vitin 2015, duke e dëmtuar rëndë punën e institucionit.

    Ndërsa historiani Marenglen Kasmi nga AIDSSH sqaroi në fjalën tij se përpunimi i kërkesave për konsultim të dosjeve ishte delikat dhe kërkonte më shumë kohë. AIDSSH sipas tij ishte i hapur për të ofruar materiale dhe dokumente, por procedurat zgjasin jo vetëm në Shqipëri, sepse kriteret e përpunimit të informacionit ishin përcaktuara në ligj. Madje Kasmi u shpreh se pika të ndryshme të ligjit të dosjeve mund të mendoheshin në të ardhmen.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Studiuesja dhe historiania Sonila Boçi prezantoi projektin shkencor të profilit të intelektualit dhe shkencëtarit në periudhën 1944–1954. Kurse antropologu Albert P. Nikolla u fokusua te dy studimet e tij, njëri mbi "Njeriun e Ri" shqiptar dhe tjetri mbi lëvizjen e '68-ës në Shqipëri.

    Përveç studiuesve të fushës në sallë ishin të pranishëm shumë ish-të përndjekur politikë, të cilët i përballën historianët me fakte konkrete nga përvoja e tyre në burgje apo vende internimi dhe kërkuan "zgjidhje" historike. Aktivitetin e ndoqën edhe përfaqësues të trupit diplomatik, ambasadori polak, ambasadori austriak dhe përfaqësues nga ambasada kroate në Tiranë si dhe gazetarë.

    Pas simpoziumit, drejtoresha e Muzeut "Shtëpia e Gjetheve", Etleva Demollari, i priti panelistet në një vizitë studimore në ambientet e brendshme të muzeut dhe ato të jashtme ku u vizitua ekspozita "Qëndresa".

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Forumi me studentët "Kujtesa dhe Demokracia"

     

    Në këtë ditë, edhe KAS në bashkëpunim me ISP dhe CRD organizuan te Universiteti "Eqrem Çabej", në Gjirokastër një forum me studentët titulluar "Kujtesa dhe demokracia". 28 vjet më parë, studentët e këtij universiteti zhvilluan një protestë kundër regjimit komunist që filloi me 11 shkurt dhe mbaroi fatalisht pas heqjes së monumentit të diktatorit më 22 shkurt 1991 nën dhunën e falangave të ashtuquajtura "Vullnetarët e Enverit". Për herë të parë u organizua për këtë ngjarje një aktivitet sa memorial aq edhe me vlerë historike dhe aktuale në mjediset e këtij universiteti. Të ftuar ishin ish drejtuesit politikë dhe protagonistë të grevës së studentëve më 1990 dhe 1991, gazetarë, pedagogë, figura publike, media lokale dhe studentë aktualë të universitetit.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube