Ditët e Kujtesës '18

IDMC në partneritet me KAS ju njofton se aktiviteti i përvitshëm "DITËT E KUJTESËS" do të organizohet këtë vit në datat 22–31 tetor 2018. Edicioni i tretë do të sjellë aktivitete të ndryshme nën moton "Identiteti dhe Kujtesa", që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën.
Aktivitetet e këtij viti do të jenë të larmishme, ndër të tjera:
- Ceremonia e hapjes së Ditëve të Kujtesës dhe prezantimi i ekspozitës mbi STASI-n, më 22 tetor
- Aktiviteti "Letërsia si vend kujtese", më 23 tetor
- "Gruaja dhe barazia gjinore (1912–1939) në këndvështrimin e të rinjve", më 24 tetor
- Trajnimi i punonjësve të muzeve dhe vendeve të kujtesës, më 25 tetor
- Shfaqja e filmit "Azizi" në "Kinema Millenium", më 25 tetor
- Promovime veprash shkencore mbi diktaturën, më 26 tetor
- Leximi publik i dosjes së një ish-të persekutuari, më 26 tetor
- Prezantimet e studiuesve të rinj mbi diktaturën, më 29 tetor
- Ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit "Pyet Gjyshërit 3", më 30 tetor
- Konferenca shkencore "Të mohuar nga regjimi", më 30–31 tetor 2018
Përmbledhje
- "DITËT E KUJTESËS" rikthehen në edicionin e tretë
- Dita 1, 22 tetor 2018: Ceremonia e hapjes
- Dita 2, 23 tetor 2018: Letërsia si vend kujtese
- Dita 3, 24 tetor 2018: Gruaja dhe barazia gjinore në vitet 1912–1939
- Dita 4, 25 tetor 2018: Trajnimi i punonjësve të muzeve dhe vendeve të kujtesës; shfaqja e filmit "Azizi"
- Dita 5, 26 tetor 2018: Prezantimi i librave mbi diktaturën dhe dosja e një ish-të përndjekuri
- Dita 6, 29 tetor 2018: Prezantimet e studiuesve të rinj mbi diktaturën
- Dita 7, 30 tetor 2018: Konkursi "Pyet Gjyshërit 3"
- Dita 7–8, 30–31 tetor 2018: Konferenca ndërkombëtare shkencore "Të mohuar nga regjimi"
- Organizatorët
- Partnerët dhe mbështetësit
"DITËT E KUJTESËS" rikthehen në edicionin e tretë
Mbi 10 aktivitete nën moton "Identiteti dhe kujtesa"
Aktiviteti "DITËT E KUJTESËS" që organizohet çdo vit nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë në fushën e kujtesës do të sjellë në edicionin e tij të tretë mbi 10 aktivitete të ndryshme nën moton "Identiteti dhe Kujtesa", në datat 22–31 tetor 2018. Këto aktivitete synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën.
"DITËT E KUJTESËS" do të hapen në një ceremoni të veçantë te Tirana International Hotel në orën 17:00 dhe do të përshëndeten nga organizatorët e këtij aktiviteti, Dr. Jonila Godole, drejtoresha ekzekutive e IDMC dhe z. Walter Glos, drejtues i fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri. Po ashtu aktiviteti do të përshëndetet edhe nga ambasadorja gjermane, znj. Susanne Schütz dhe z. Reshat Kripa, ish-i persekutuar. Nga Bosnja dhe Hercegovina do të vijë për këtë aktivitet Dr. Karsten Dümmel, disident dhe shkrimtar gjerman i cili do të mbajë fjalën kryesore të këtij aktiviteti titulluar "Identitetet e penguara në Gjermani". Ndër të tjera prezantimi i tij do ta njohë audiencën me dokumente sekrete, urdhrat e Sigurisë Shtetërore, të dhëna rreth disiplinimit dhe izolimit sistematik si dhe masat ndaj kritikëve të regjimit. Këto të dhëna do të theksohen pas tij përmes ekspozitës së BStU, "Monitoro, Terrorizo, Persekuto" që do prezantohet nga historiani Marenglen Kasmi, anëtar i bordit të AIDSSH.
Dita e dytë do të zhvendoset te Salla e Konferencave të Europe House, në pallatin e Kongreseve, më datë 23 tetor, ora 10:00, me aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", duke synuar të zbulojë rolin e letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën. Autorët e ftuar Dr. Karsten Dümmel dhe Dr. Albert P. Nikolla do të lexojnë për publikun pjesë nga veprat e tyre duke i hapur më pas vend diskutimit për shkatërrimin e identitetit njerëzor në sistemet diktatoriale dhe pasojat deri më sot në shoqëritë respektive, Gjermani dhe Shqipëri.
Në ditën e tretë, në një aktivitet të organizuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri, studiuesit e rinj do të prezantojnë studimet e tyre për barazinë gjinore në vitet 1912–1939, duke dhënë një pasqyrë të sfidave shoqërore, politike dhe ekonomike të grave në ato vite.
Dita e katërt, 25 tetor, do të numërojë dy aktivitete që organizohen nga KAS. Pjesa e parë e ditës do t'i kushtohet trajnimit të punonjësve të muzeve dhe vendeve të kujtesës nga historiania Kristin Kallweit, cicerone në Memorialin Hohenschönhausen, në Berlin. Ajo do t'i ndihmojë pjesëmarrësit të forcojnë një kulturë të kujtesës përmes punës së tyre si dhe do t'i trajnojë ata sesi t'i tregojnë ngjarjet historike në mënyrë sa më të kuptueshme dhe tërheqëse për brezin e ri. Me mbështetjen e KAS, pjesa e dytë e kësaj dite do të ofrojë shfaqjen e filmit "Azizi" në "Kinema Millenium", në orën 17:00, film i prodhuar nga Luljeta Progni në bashkëpunim me regjisorin Gentian Kurti. Filmi zbulon atë që është fshehur për 70 vjet nga pushtetarët shqiptarë, terrori komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm: grave, fëmijëve dhe të moshuarve duke fokusuar kamerën në vitet 1948–1954, në disa prej kampeve më famëkeqe të diktaturës shqiptare: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë.

E premtja, 26 tetor do të ofrojë prezantim të botimeve shkencore mbi diktaturën: "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2" nga IDMC; "Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist 7" nga ISKK dhe mbështetur nga KAS; "Dokumente në politikat kulturore dhe indoktrinimin e shoqërisë nga shteti komunist shqiptar në vitet 1945–1990" nga ASA. Pjesa e dytë e datës 26 tetor do të ofrojë leximin publik të dosjes së një të përndjekuri nga Sigurimi. Konkretisht, leximi do të nxjerrë në pah shtypjen dhe persekutimin nga regjimi komunist ndaj pjesëtarëve të familjes Peshkëpia. Aktiviteti hedh dritë mbi represionin komunist, teknikat operative të Sigurimit të shtetit dhe vuajtjen e viktimave, në një përpjekje për të inkurajuar diskutimet mbi pajtimin dhe rehabilitimin.
Në të gjashtën "DITË TË KUJTESËS", më 29 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të ofrojë prezantim të punës së studiuesve të rinj mbi të kaluarën komuniste duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për më shumë kërkim shkencor mbi shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.
Ndërsa më 30 tetor 2018, në kuadër të "DITËVE TË KUJTESËS", do të shpallen fituesit e edicionit të tretë të konkursit të IDMC "Pyet Gjyshërit". IDMC ka grumbulluar tashmë qindra punime të aplikuesve nga të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, në tre zhanre: arte figurative, ese dhe multimedia, për reflektime të të rinjve mbi të shkuarën e vendit në vitet 1945–1997.
Gjatë "DITËVE TË KUJTESËS", më 30–31 tetor organizohet nga AIDSSH konferenca shkencore "Të mohuar nga regjimi" e cila synon të rishikojë periudhën komuniste duke u fokusuar të sistemi i burgjeve, dëbimeve dhe punës së detyruar në periudhën e regjimit komunist.
** Aktiviteti "DITËT E KUJTESËS 2018" organizohet nga IDMC dhe KAS në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, Ambasadën gjermane dhe zvicerane, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Shoqatën e Mësuesve të Historisë, AIDSSH, ASA, ISKK, IIPP, Shtëpinë e Gjetheve, Europe House dhe Muzeun Kombëtar.
Dita 1, 22 tetor 2018: Ceremonia e hapjes
"DITËT TË KUJTESËS" rikthehen me plot 10 aktivitete të parashikuara deri më 31 tetor
Nën moton "Identiteti dhe kujtesa" u çel dje në ambientet e "Tirana International Hotel" edicioni i tretë i aktivitetit "DITËT E KUJTESËS". Organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC), partneriteti me fondacionin gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës, ky aktivitet do të mbajë për 10 ditë me radhë – nga data 22 deri më 31 tetor – vëmendjen e opinionit publik te reflektimi mbi të shkuarën komuniste.
Ambasadorë, zyrtarë të ndryshëm, ekspertë të historisë, ish-të përndjekur dhe nxënës të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft interes hapjen e këtij aktiviteti. Vëmendja shkoi te prezantimi i disidentit gjerman Karsten Dümmel, i cili tregoi të dhëna arkivore nga dosje të STASI-t gjermano-lindor dhe mënyrën se si përndiqeshin njerëzit në kohën e komunizmit. Po kështu ekspozita "Monitoro, Terrorizo, Persekuto" i dha të pranishmëve një ide më të qartë të aktivitetit të policisë sekrete të asaj periudhe.
Si fillim hapja e "DITËVE TË KUJTESËS" u përshëndet nga Drejtoresha e IDMC Jonila Godole, Drejtori i KAS në Tiranë Walter Glos, Ambasadorja gjermane Susanne Schütz, dhe ish-i përndjekuri Reshat Kripa.
Në fjalën e saj, Godole falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të KAS dhe kujtoi se gjatë këtyre 28 viteve "përpjekjet për drejtësi tranzitore të Shqipërisë janë mbështetur kryesisht nga faktorë të jashtëm". Ajo përmendi dështimin e klasës politike dhe këmbënguli se të huajt, "pavarësisht vullnetit dhe mundësisë së tyre, nuk mund ta zëvendësojnë rolin e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë respektiv në fushën e kujtesës". Për këtë Drejtoresha e IDMC theksoi se duhet bërë më shumë sidomos në zgjimin e reflektimit rreth së shkuarës dhe ndërgjegjësimit rreth krimeve të komunizmit.
Drejtori i KAS, Walter Glos përmendi gjithashtu mungesën e vullnetit politik për t'u përballur me të shkuarën komuniste në Shqipëri. Ai theksoi se "trashëgimia komuniste peshon rënd në këto 28 vite të demokracisë". Duke përmendur faktin se "mbi 40 vite të historisë së errët të komunizmit nuk gjenden sot të reflektuara në institucione apo në shkolla". Drejtori i KAS tha se për këtë fakt "e kaluara rrezikohet të kalohet në harresë" prandaj sipas tij është e domosdoshme mbështetja e çdo iniciative që nxit diskutimin dhe reflektimin për të shkuarën.
Ambasadorja gjermane Susanne Schütz, teksa përshëndeti aktivitetin, këmbënguli fort se "vetëm kush e di të shkuarën dhe përballet me të, e ka një të ardhme". Ambasadorja u shpreh se në mënyrë që diskutimi për të shkuarën të mbetet i hapur në Shqipëri", ajo do të vazhdojë ta mbështesë IDMC-në dhe aktorët e tjerë të fushës së kujtesës në aktivitetin e tyre.
Ish-i përndjekuri Reshat Kripa tregoi një pjesë të historisë së tij të vuajtjeve gjatë sistemit komunist dhe rikujtoi se "në këto 12 vite, pas miratimit të Rezolutës që do të dënonte krimet e komunizmit nuk është bërë asgjë".
"Të gjithë thërrasim "jemi të pafajshëm!", por atëherë kush paska qenë fajtor për vuajtjet tona (të të përndjekurve), mos vallë ishim vetë ne fajtorë për ato që na ndodhën?!"
Disidenti gjerman Karsten Dümmel teksa prezantoi mekanizmin e përndjekjes së STASI-t, thjeshtëzoi për të pranishmit me një shembull të qartë punën e hapjes së dosjeve të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë.
"Kur je i vogël ke frikë nga errësira e qilarit poshtë dhe i qëndron larg, askush nuk shkon të shohë se çfarë po ndodh, pikërisht këtë pjesë bëjmë ne në Gjermani apo Rumani, shkojmë poshtë në qilar dhe ndriçojmë ato pjesë nga ku vjen kjo frikë në kuptimin e së shkuarës komuniste dhe të përndjekësve të saj".
Për ta bërë edhe më konkret prezantimin e tij, historiani, anëtar i AIDSSH, Marenglen Kasmi, tregoi shkurtimisht historikun e STASI-t dhe i ftoi më tej të pranishmit për të parë ekspozitën "Monitoro, Terrorizo, Persekuto". Ekspozita përmbante të dhëna mbi aktivitetin e agjencisë sekrete të Gjermanisë Lindore bazuar në pesë tema kryesore: të rinjtë, udhëtimi, kultura, kisha dhe sporti, duke treguar se si STASI monitoronte dhe kontrollonte jetën e përditshme të popullit.
Dita 2, 23 tetor 2018: Letërsia si vend kujtese
Identiteti dhe kujtesa në letërsi si aspekte të rëndësishme për reflektimin mbi të shkuarën
Duke synuar zbulimin e rolit të letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, aktiviteti i të dytës "DITË TË KUJTESËS" u vendos në ambientet e "Europe House". Autorët e ftuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), Karsten Dümmel dhe Albert P. Nikolla, treguan të tjera aspekte të komunizmit, kjo përmes pasazheve të veprave të tyre dhe po kështu përmes pyetje-përgjigjeve me të pranishmit në sallë.
Ashtu sikurse pritej, interesi ishte i madh. Ish-të përndjekur, zyrtarë të përfaqësisë diplomatike, historianë dhe plot të rinj të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft vëmendje këndvështrimet e dy të ftuarve rreth shkatërrimit të identitetit njerëzor nga sistemet diktatoriale dhe pasojat që ndeshen në ditët e sotme në shoqëritë respektive, Gjermani apo dhe Shqipëri.
Tema e aktivitetit u përqendrua te "Identiteti dhe kujtesa". Për këtë pjesë Godole tha në fjalën e saj përshëndetëse se "identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë". Ajo tha se "çdo përpjekje për t'u dhënë kujtimeve formë është pjesë e pandalshme e këtij procesi". Ndërsa përfaqësuesi i Europa House, Erol Akdag, në fjalën e tij përshëndetëse u u shpreh se populli dhe politikanët e një vendi duhet të kenë vullnet të përbashkët për ballafaqimin me të shkuarën.
Nën moderimin e Drejtoreshës së IDMC Jonila Godole, u theksua fort rëndësia e letërsisë në përçimin e përvojave njerëzore. Autori gjerman Karsten Dümmel, i cili gjatë periudhës komuniste në Gjermaninë Lindore u përndoq dhe u burgos për shkak të natyrës së tij kritike me sistemin, tregoi për përjetimet e survejimit të përhershëm të Stasit. Përmes romanit "Strohblumenzeit" ("Koha e luleve prej kashte"), pjesë nga i cili u lexuan në sallë, Dümmel tregoi përmes historisë së lidhjes së dy të rinjve, pak a shumë atë çka gjermano-lindorët kalojnë rreth 50 vite nën regjimin diktatorial.
Interesante për të pranishmit ishte fakti se në këtë aktivitet u tregua se gjatë përndjekjes së tij Dümmel kishte kërkuar të dilte jashtë Gjermanisë Lindore plot 56 herë deri sa në vitin 1988 "u ble" nga Republika Federale. Dümmel tregoi se për këtë proces ishte e nevojshme ndërhyrja nga jashtë, sepse "mund t'i drejtoheshe gjithkujt me letra, por ishte e vështirë të të mundësohej kjo gjë". Ai theksoi gjithashtu se sikurse shqiptarët e thjeshtë edhe ai e kishte pasur të pamundur lëvizjen duke thënë se në përgjithësi "ata që lëviznin jashtë kishin lidhje politike ose ishin të Stasit".
Në diskutimin tjetër antropologu Albert Nikolla tregoi për librin e tij "Njeriu i ri shqiptar". Nikolla foli gjerësisht për aspektet që e formonin njeriun e periudhës së diktaturës. Ai tha se i ashtuquajturi "njeri i ri" duhej të ishte besnik ndaj Partisë dhe të jepte jetën për të, nuk duhej të ishte indiferent, por të spiunonte, të shpifte, të trillonte dhe të ishte agresiv ndaj "njeriut të vjetër". Duke u lexuar pasazhe nga libri, Nikolla theksoi se përmes krijimit të "njeriut të ri" komunistët arritën që të zhduknin elitat dhe në ditët e sotme të mundnin të trashëgonin një tipar sikurse është "ndjesia e mosbesimit dhe e frikës".
Karsten Dümmel i shtoi kësaj pjese se "njeriu i ri" në Gjermaninë Lindore ishte gjithashtu me frikën dhe terrorin, atë terror "që i duhej pushtetit për të mbajtur pushtetin".
"Koreja e Veriut… Gjermania Lindore… Shqipëria gjithashtu… kanë gjëra të përbashkëta për sa i përket historisë diktatoriale, janë vende ku njerëzit janë marrë peng, jane skllaveruar për Partinë!"
Dita 3, 24 tetor 2018: Gruaja dhe barazia gjinore në vitet 1912–1939
Në ditën e tretë të Kujtesës 2018, kërkues të rinj paraqitën punën e tyre në lidhje me gratë dhe çështjet gjinore në Shqipëri, në periudhën 1912–1939, në një veprimtari të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Muzeun e Gruas. Prezantimet e tyre u pasuan nga një debat i gjallë për këtë periudhë pak të njohur të historisë së Shqipërisë. Debati nxori në dritë fakte të panjohura për rolin, perceptimet dhe sfidat e grave gjatë kësaj periudhe. Kontributi i kërkuesve të rinj u vlerësua nga një audiencë ndërkombëtare dhe vendase.
Dita 4, 25 tetor 2018: Trajnimi i punonjësve të muzeve dhe vendeve të kujtesës; shfaqja e filmit "Azizi"
Dita e katërt e Kujtesës 2018, numëroi dy aktivitete që organizohen nga KAS. Pjesa e parë e ditës iu kushtua trajnimit të punonjësve të muzeve dhe vendeve të kujtesës nga historiania Kristin Kallweit, cicerone në Memorialin Hohenschönhausen, në Berlin. Ajo i ndihmoi pjesëmarrësit të forcojnë një kulturë të kujtesës përmes punës së tyre si dhe do t'i trajnojë ata sesi t'i tregojnë ngjarjet historike në mënyrë sa më të kuptueshme dhe tërheqëse për brezin e ri.
Me mbështetjen e KAS, përgjatë "DITËVE TË KUJTESËS 2018", u mundësua edhe shfaqja e filmit "Azizi" në "Kinema Millenium", film i prodhuar nga Luljeta Progni në bashkëpunim me regjisorin Gentian Kurti. Filmi zbulon atë që është fshehur për 70 vjet nga pushtetarët shqiptarë, terrori komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm: grave, fëmijëve dhe të moshuarve duke fokusuar kamerën në vitet 1948–1954, në disa prej kampeve më famëkeqe të diktaturës shqiptare: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë.
Mbi 100 persona ndoqën shfaqjen e filmit "Azizi", aktorë vendas dhe të huaj që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën në Shqipëri, ish-të përndjekur, persona të interesuar për temën dhe shumë të rinj duke e tejmbushur sallën e Kinema Millenium. Pas shfaqjes së filmit, nën moderimin e gazetares Sonila Meço publiku pati mundësinë të diskutojë me drejtorin e KAS, Walter Glos dhe me ekipin realizues të filmit rreth eksperiencës së xhirimeve dhe rëndësisë së filmave në ndërgjegjësimin e shoqërisë për pasojat e të shkuarës diktatoriale. Pjesa interesante e diskutimit për publikun ishte prezenca e Azizit – dëshmitarit të ngjarjes së filmit dhe "Azizit", aktorit të filmit, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për këtë projekt.
Dita 5, 26 tetor 2018: Prezantimi i librave mbi diktaturën dhe dosja e një ish-të përndjekuri
DITËT E KUJTESËS promovojnë vëllimet e reja të botimeve shkencore mbi diktaturën komuniste
Dita e pestë e edicionit të tretë të "DITËVE TË KUJTESËS", i dha sërish rëndësi promovimit të botimeve shkencore mbi diktaturën. Nën kujdesin e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) dhe bashkëpunimit me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), u prezantuan për publikun vëllimi i dytë i projektit të IDMC "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore", vëllimi i shtatë i "Fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist" dhe vëllimi i parë i "Indoktrinimit komunist" botime të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).
Në lidhje me botimin e dytë "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore", Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole tha se Instituti që ajo drejton e ka menduar të rëndësishëm botimin e një libri që përmban materiale plotësuese për lëndën e Historisë në gjimnaze, sepse "ka ardhur koha që historia të mos mësohet nga thashethemet, por përmes të dhënave arkivore".
"Mësuesit duhet t'u tregojnë nxënësve fakte të së shkuarës dhe kështu historia të tregohet ashtu sikurse ishte dhe jo sikurse bëhet aktualisht me tekste që nuk flasin qartë për diktaturën."
Duke treguar për projekte të tjera që shkojnë paralel me botimin në fjalë, si për shembull "Terminologu" apo "Unë dëshmoj!", Drejtoresha e IDMC theksoi rëndësinë e edukimit të të rinjve për të shkuarën.
Më tej botimin e përshkroi me detaje ekspertja e kurrikulës në shkolla, Fatmiroshe Xhemalaj. Ajo tha se vëllimi i dytë, ndryshe nga vëllimi i parë që flet për "Represionin në periudhën e vetizolimit", ndalet te "Jeta e përditshme në periudhën e vetizolimit". Ajo tregoi për grupin e punës, të formuar nga ajo, Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole dhe historiani Idrit Idrizi. Përzgjedhja e të dhënave arkivore që janë përdorur në botimin e dytë, ajo tha se është kryer nga ky grup pune dhe përmes ballafaqimit me mësuesit, të cilët janë gjithashtu bashkë-autorë. Sipas Xhemalaj libri ka mjaft rëndësi për procesin edukues pasi sipas saj "po nuk e kuptoi mësuesi i historisë se çfarë ka ndodhur në të shkuarën e afërt, nuk mund të presim që atë të shkuar ta kuptojnë edhe të rinjtë e këtij vendi". Xhemalaj theksoi fort se askush nuk synon "nxitjen e urrejtjes, por vetëm edukimin përmes fakteve".
Të pranishëm në sallë ishin nxënës të shkollave të ndryshme, por edhe ish-të përndjekur.
Në pjesën e dytë u prezantua vëllimi i "VII" i "Fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist (Q–S)" punuar nga ISKK dhe po kështu edhe vëllimi i "I" i "Indoktrinimit komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit (1945–1968)" punuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike.
Vëllimin e radhës së enciklopedisë e prezantoi Çelo Hoxha, Drejtor i Drejtorisë së Arkivës në ISKK. Ai rikujtoi se punimi ka mjaft vlera për studiuesit dhe sidomos familjet e të përndjekurve.
"Enciklopedia e viktimave shërben njëjtë si kodikët e shumëpërfolur, pasi edhe në të ardhmen, kur të ketë kaluar kohë, emrat e atyre që vuajtën diktaturën do të mbetet."
Sipas tij ekzistenca e atyre që vuajtën nuk është vetëm në listat e dëmshpërblimeve, sepse për shembull "klerikët nuk e kanë kërkuar dëmshpërblimin, po kështu një pjesë e ish-të përndjekurve nuk kanë lënë pas njerëz të cilët ta kërkojnë atë, dhe po ashtu ka ish-të përndjekur që nuk e kanë kërkuar fare". Kështu sipas Çelos "kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë qenë të përndjekur vetëm pse nuk figurojnë për dëmshpërblime".
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me z. Gëzim Peshkëpia dhe AIDSSH organizuan leximin publik të dosjes së një viktime të regjimit komunist në Shqipëri. Leximi nxorii në pah shtypjen dhe persekutimin nga regjimi komunist ndaj pjesëtarëve të familjes Peshkëpia. Aktiviteti hodhi dritë mbi represionin komunist, teknikat operative të Sigurimit të shtetit dhe vuajtjen e viktimave, në një përpjekje për të inkurajuar diskutimet mbi pajtimin dhe rehabilitimin.
I pranishëm në aktivitet, Drejtori i KAS për Shqipërinë, Walter Glos premtoi mbështetje të mëtejshme të projekteve që synojnë zbardhjen, dokumentimin dhe ruajtjen e historisë së vuajtjeve njerëzore të diktaturës.
Ndërkohë prezantimin për botimin tjetër e bëri historiani Beqir Meta, i cili ishte njëherësh edhe një nga autorët e librit "Indoktrinimit komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit (1945–1968)". Vëllimi i parë sipas tij nuk mund të përfshinte të gjitha aspektet dhe masën e përgjithshme të indoktrinimit komunist, prandaj "u vendos që të specifikohej për kulturën letërsinë dhe artin". Meta tha se do të punohet për të përpiluar 10 volume dhe që në të ardhmen të studiohen gjithashtu edhe aspekte më të gjithanshme të indoktrinimit, si për shembull atë ideologjik, apo politik.
"Indoktrinimi ka qenë një proces shumë i suksesshëm për diktaturën, ndërsa për ne shqiptarët, ka qenë një proces që fatkeqësisht i deformoi shumë aspekte të jetës së përditshme, të sjelljeve apo dhe gjykimit."
Ai kujtoi të ashtuquajturat shtëpi të kulturës, që në kohën e komunizmit drejtoheshin nga persona që nuk kishin aspak formim dhe mund të cilësoheshin edhe analfabetë.
"DITËT E KUTESËS" vazhdojnë më tej ditën e hënë, datë 29 me prezantimin punimeve të studiuesve të rinj, konferencën ndërkombëtare shkencore që do të mbahet për dy ditë me radhë, dhe më tej me konkursin "Pyet Gjyshërit 3" që këtë vit i ka kaluar të gjitha pritshmëritë për nga pjesëmarrja me prurje nga shkolla dhe nxënës nga e gjithë Shqipëria.
Dita 6, 29 tetor 2018: Prezantimet e studiuesve të rinj mbi diktaturën
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me AIDSSH zhvilluan një sesion prezantimi dhe diskutimi me kërkues të rinj mbi punën e tyre pranë Autoritetit. Gjate këtij eventi kërkues të rinj paraqitën punët e tyre mbi trajtimin e të kaluarës komuniste. Aktiviteti synoi të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për më shumë kërkim shkencor mbi shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Gjithashtu gjatë aktivitetit u ofrua informacion për kërkuesit se si të kenë qasje në dosjet e ish- Sigurimit. Dhënia e informacionit të detajuar se si të aksesohen dosjet e ish-Sigurimit dhe rastet e paraqitura nga kërkuesit i dhanë jetë diskutimit mes të pranishmëve.
Dita 7, 30 tetor 2018: Konkursi "Pyet Gjyshërit 3"
Vlerësohen 50 fitues me vizita studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri dhe në Europën Juglindore
Pas 1 muaj e gjysmë konkurrim, edicioni i tretë i "Pyet Gjyshërit" kulmoi me një ceremoni të jashtëzakonshme të dhënies së çmimeve. Në një sallë të Hotel Tiranës të tejmbushur me nxënës, prindër dhe mësues 50 të rinj u bënë fitues të vizitave studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri dhe në Europën Juglindore. Konkursi "Pyet Gjyshërit 3", organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë "Rinia & Historia" dhe Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR) arriti këtë vit një shtrirje më të gjerë. Nga data 1 shtator deri më 15 tetor, 430 nxënës me 312 punime nga 43 shkolla anë e mbanë vendit paraqitën pranë jurisë së konkursit përfytyrimet e tyre rreth së shkuarës komuniste në formë esesh, arti pamor dhe të multimedias.
Ajo që u theksua fort nga juria e përbërë prej personalitetesh si ekspertja e kurrikulës shkollore Fatmiroshe Xhemalaj, gazetarja e mirënjohur Ilva Tare, shkrimtari Agron Tufa që është njëherësh Drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, skenaristi Ylljet Aliçka dhe pedagogu i artit dhe multimedias Shpend Bengu, ishte se punimet e këtij viti kishin një nivel jashtëzakonisht të lartë duke pasur parasysh moshën e pjesëmarrësve që ishte nga mosha 15 deri në 19 vjeç.
Por si fillim, ceremonia nisi me përshëndetjen e organizatorëve. Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole shprehu mirënjohjen ndaj pjesëmarrësve, prindërve por edhe mësuesve, të cilët sikurse tha ajo "i kanë motivuar të rinjtë që të jenë pjesë e këtij konkursi që në thelb ka edukimin dhe reflektimin mbi të shkuarën". Duke vlerësuar pjesëmarrjen e madhe krahasuar me vitet e tjera, ajo shprehu vendosmërinë për ta vazhduar më tej angazhimin në fushën e kujtesës. Drejtori i KAS, Walter Glos premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë nismë. Sipas tij, prej faktit se angazhoi kaq shumë të rinj, konkursi ishte një "pikë kryesore e aktivitet pasi pikërisht të rinjtë janë fokusi i procesit të reflektimit mbi të shkuarën". Më tej përshëndetën konkursin gjithashtu drejtuesja e Shoqatës së Mësuesve të Historisë, Vojsava Kumbulla; deputetja e Kuvendit, njëherësh anëtare e "Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit", Nora Malaj, dhe përfaqësuesja e MASR, Tatjana Vuçani.
Përveç 9 të rinjve fitues të vizitës studimore në vendet e kujtesës në Europën Juglindore, IDMC dhe KAS surprizuan edhe 30 punimet finaliste, duke i shpallur finalistët fitues të një vizite studimore në vendet e kujtesës nga veriu në jug të Shqipërisë.
Fituesit e punimeve më të mira janë si më poshtë:
Çmimi i rrjetit – për punimin më të vlerësuar online në facebook-un e IDMC. Atë e fitoi 15-vjeçarja nga gjimnazi "16 Shtatori" i Shijakut, Xhorda Norja, përmes një realizimi në art pamor. Punimi i Xhordës pati marrë mbi 760 like në faqen "Facebook" të IDMC.
Çmimi i arteve pamore i fituar nga 15-vjeçarja Eni Duka, nga shkolla e mesme artistike "Jan Kukuzeli" Durrës, me punimin "Alive".
Çmimi special, që shkoi për punimin "Përkundjet e një jete" të Erjola Jahajt dhe Ilirjana Zemanit po nga shkolla e mesme artistike "Jan Kukuzeli", Durrës.
2 çmime për multimedian, shkuan për punimet "Teatri i Diktaturës" dhe "Stuhi dhe Dashuri". I pari qe një realizim nga nxënëset e shkollës "Drita e Dijes" në Berat, Rexhina Pelivani, Rea Garuli dhe Adelajda Manushi ndërsa punimi i dytë ishte i Erlis Spahiut nga gjimnazi gjuhësor "Mahmud e Ali Cungu" Elbasan.
Çmimi për esenë më të mirë, i fituar nga gjimnazistja e shkollës "Dhaskal Todri" në Elbasan, Doris Balliçi me esenë "Dekadat e tmerrit".
Dita 7–8, 30–31 tetor 2018: Konferenca ndërkombëtare shkencore "Të mohuar nga regjimi"
Gjatë "DITËVE TË KUTESËS", më 30–31 tetor, AIDSSH në bashkëpunim me fondacionin gjerman Konrad Adeanuer, Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë organizuan konferencën shkencore "Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri (1945–1990)" e cila synoi të rishikojë periudhën komuniste duke u fokusuar të sisitemi i burgjeve, dëbimeve dhe punës së detyruar në periudhën e regjimit komunist. Të ftuar shqiptarë e të huaj dhe personalitete të kërkimit shkencor e institucioneve të kujtesës morën pjesë në këtë konferencë që trajtoi periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Perspektivës studimore të profesorëve dhe akademikëve vendas e të Kosovës, iu shtua kontributi i studiuesve të huaj dhe pjesëmarrja aktive e Rrjetit Europian të Kujtesës (ENRS) e BsTu, Autoritetit gjerman të Hapjes së Dosjeve. Ndër të tjera kjo konference pati edhe mbështetjen e UNDP në Shqipëri, Qeverisë Italiane dhe ENRS.
Organizatorët


Kontakt
Matilda Karçanaj, Koordinatore projekti te IDMC | E-mail
Klaudja Zerva, Koordinatore projekti te KAS | E-mail
Partnerët dhe mbështetësit













