ditët e kujtesës

Ditët e Kujtesës '16

Publikuar më

Në datat 24 deri më 28 tetor 2016, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) organizoi në Tiranë edicionin e parë të DITËVE TË KUJTESËS me titull: "Kujtesa si mision".

DITËT E KUJTESËS u iniciuan për të sjellë në qendër të vëmendjes së shoqërisë ballafaqimin me të shkuarën për sa kohë mungon një ditë që të njihet dhe të pranohet nga të gjithë për krimet dhe pasojat e regjimit komunist. Mbi 60 ekspertë dhe 25 iniciativa, institucione private dhe shtetërore brenda dhe jashtë vendit evidentuan para një publiku të gjerë dhe të interesuar punën dhe projektet e tyre në fushën e kujtesës. Numri i lartë i vizitorëve gjatë këtyre ditëve tregoi interesin që ka shoqëria për këto tema, të cilat nuk i has në axhendën e politikës dhe të medias.

DITËT E KUJTESËS është konceptuar si një aktivitet i përvitshëm me një temë të veçantë në fokus. Përgjatë një jave përfaqësues nga shkolla, qendra edukimi, shoqata të ish-të përndjekurve, historianë, gazetarë dhe ekspertë vendas e të huaj në fushën e kurrikulës shkëmbejnë përvojën e tyre me njëri-tjetrin. Gjatë këtyre ditëve aktorët e ftuar mund të prezantojnë projektet dhe iniciativat e tyre. Qëllimi i aktivitetit është të mbështesë një ballafaqim sa më të gjerë dhe publik me historinë shqiptare, në mënyrë të veçantë me diktaturën.

Përmbledhje

Dita 1, 24 tetor 2016

DITËT E KUJTESËS u hap në një ceremoni të veçantë mbrëmjen e së hënës, 24 tetor, nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC, dhe z. Walter Glos, drejtor i KAS. Më pas përshëndetën znj. Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit Europian, dhe znj. Anke Holstein, zv/Ambasadore e Gjermanisë. Dr. Ulrich Mählert, përfaqësues i Fondacionit Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore, prezantoi ekspozitën "Lufta e Ftohtë: Shkaqet, historiku, pasojat", e cila qëndroi e hapur gjatë gjithë ditëve të aktivitetit. Dr. Agron Gjekmarkaj, studiues dhe pedagog i Universitetit të Tiranës, mbajti fjalimin kryesor me titull "Perspektiva shqiptare si pjesë e kujtesës europiane". Fjalimi mbështeste moton e përgjithshme të aktivitetit që e shkuara komuniste e Shqipërisë dhe pasojat e saj janë pjesë e historisë së Europës.

Dita e parë u mbyll me shfaqjen e dokumentarit "Fëmijët e diktaturës", me regji të Besnik Bishës, një prodhim i IDMC, ku në qendër të tij janë katër persona të lindur dhe rritur në kampet e internimit.

Për të pranishmit u shtrua një koktej që mundësoi bisedat me të ftuarit dhe publikun gjer vonë në mbrëmje.

Dita 2, 25 tetor 2016

Dita e dytë e aktivitetit iu kushtua konferencës ndërkombëtare për kurrikulën me titull: "Ballafaqimi me të shkuarën përmes kurrikulës". Ekspertë nga Europa Qendrore dhe Lindore sollën përvojën e tyre në rishkrimin e teksteve të historisë, dhe u ballafaquan me situatën aktuale të kurrikulës në Shqipëri. Konferenca u hap me një seancë plenare, moderuar nga Dr. Jonila Godole (IDMC) me praninë e znj. Nora Malaj, zv/Ministre e Arsimit, z. Genc Pollo, kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit, dhe historianët Prof. Valentina Duka, dekane e Fakultetit Histori-Filologji dhe Prof. Romeo Gurakuqi, Universiteti Europian i Tiranës. Secili prej tyre bëri një paraqitje të shkurtër të situatës së kurrikulës në shkollë, problematikave dhe sfidave për rishkrimin e teksteve të historisë.

Seanca plenare e hapjes u pasua me tre panele ne pjesën e parë të ditës.

Paneli I: "Zhvillimi i kurrikulës pas 1990-ës – Probleme dhe sfida", u moderua nga znj. Elsa Ballauri, Drejtore e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, me pjesëmarrjen e Dr. Ulrich Mählert nga Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve te Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore, z. Gerti Janaqi, Drejtor i Institutit për Zhvillimin e Arsimit, Tiranë dhe Prof. Radu Preda, President i IICCMER, Bukuresht dhe znj. Vytene Muschick, Eksperte për kurrikulën dhe programet edukative, Lituani.

Paneli II: "Histori e aplikuar në Europën Lindore" u moderua nga Prof. As. Eva Tafili Hyskaj. Eksperienca e huaj u soll në këtë panel nga Dr. Neela Winkelmann, Drejtore e Platformës Kujtesa dhe Ndërgjegjja Europiane, Pragë, z. Vincent Lungwitz, Forumi i Shërbimit Paqësor Civil (ZFD), Prishtinë, znj. Kinga Hartmann-Wóycicka, Koordinatore e Projekteve Gjermano-Polake, Görlitz dhe znj. Karolina Dziełak, Rrjeti Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS), Varshavë.

Paneli III: "Histori e aplikuar në Shqipëri dhe rajon" u moderua nga Dr. Gentiana Kera, pedagoge në Universitetin e Tiranës me praninë e znj. Luljeta Lleshanaku nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, Dr. Enriketa Papa, pedagoge në Universiteti i Tiranës te fakulteti i Histori-Filologjisë, z. Adis Hukanović, koordinator projektesh pranë Forumi i Shërbimit Paqësor Civil (ZFD), Sarajevë, znj. Fatmiroshe Xhemalaj, Ambasadore e Shoqatës Europiane të Mësuesve të Historisë (Euroclio) në Shqipëri dhe Bilal Kola, drejtor i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Tiranë

Surpriza e këtij aktiviteti ishte përfshirja masive e të rinjve dhe projekteve që ata kanë realizuar në mënyrë individuale dhe në grup, mbi tema të ndryshme si përditshmëria para 1990-ës, përndjekja e klerit katolik në Mirditë, vendet e kujtesës etj.

Dita e dytë e aktivitetit DITËT E KUJTESËS u mbyll me panelin e veçantë "Qëndrimi i të rinjve shqiptarë ndaj diktaturës", iniciativë të OSBE dhe RTSH. Ky panel u moderua nga Rezar Balla me të ftuarit z. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, Tiranë dhe Prof. Nevila Nika, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.

Dita 3, 26 tetor 2016

Dita e tretë synoi të ulte bashkë aktorë të ndryshëm që veprojnë në fushën e kujtesës nën moton: KUJTESA SI MISION.

Seanca e parë "Projekte dhe iniciativa në fushën e kujtesës" u moderua nga znj. Elira Çanga, Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe të pranishmit u njohën nga z. Pjerin Mirdita me projektet e organizuara nga "Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës", Shkodër. Z. Migen Qiraxhi, i njohu të pranishmit me punën e Instituti i Studimeve Politike, Tiranë, z. Nehari Sharri, me projektet e Forumit të Shërbimit Paqësor Civile (ZFD), Prishtinë, z. Uran Butka, me ato të Institutit të Studimeve shqiptare "Lumo Skëndo", dhe z. Luigj Mila prezantoi punën e organizatës "Drejtësi dhe Paqe", Shkodër. Dr. Rrapo Zguri dhe znj. Valbona Bezati, iu prezantuan të pranishmëve projektin online të IDMC, "Observatori Shqiptar i Kujtesës".

Seanca e dytë kishte në fokus kryesisht punën e kryer nga shoqatat e ish-të përndjekurve, por edhe institucionet muzeale dhe studimore. Moderimi u ndërmor nga Dr. Jonila Godole (IDMC), dhe në panel u përfshinë z. Bilal Kola, Drejtor i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Tiranë, z. Simon Mirakaj, Kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politik Demokratë, znj. Arjeta Kokalari, Muzeu Musine Kokalari, Gjirokastër, z. Miran Butka, Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, z. Filip Guraziu, nënkryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, Shkodër dhe z. Gëzim Peshkëpia, "Projekti i Spaçit".

Dita 4, 27 tetor 2016

Në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS u shpallën në një ceremoni të veçantë edhe fituesit e konkursit kombëtar "PYET GJYSHËRIT" për punimet më të mira në fushën e multimedias. Konkursi ishte iniciuar më 18 Maj 2016 dhe synonte përballjen e brezave, në mënyrë që kujtesa të mos shuhet.

Ceremonia u hap nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC, e cila falënderoi të gjithë të rinjtë për interesin e treguar për konkursin dhe për prurjet interesante në trajtimin e kësaj teme ende tabu për shoqërinë shqiptare. Në përshëndetjen e tij, z. Walter Glos, drejtor i fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Shqipëri dhe mbështetës i aktiviteteve të IDMC, vuri në dukje sesa pak është bërë dhe sa shumë duhet bërë në fushën e kujtesës në Shqipëri. Sipas tij, në kontekstin e një shoqërie që është marrë shumë pak me të shkuarën konkursi "PYET GJYSHËRIT" është një projekt kurajoz dhe i rëndësishëm.

Sipas znj. Malaj, zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, iniciativa të tilla kreative si konkursi i IDMC-së duhen pasur parasysh edhe për reflektimin që bëhet rreth kurrikulave sepse kujtesa sipas saj është një nevojë e domosdoshme për rrugëtimin e demokracisë. Ndërsa zëvendësambasadorja gjermane, znj. Anke Holstein, ndau me të pranishmit eksperiencën e vështirë të gjyshit të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u shpreh se e bukura e dëshmive është vërtetësia e tyre. Sipas saj, konkursi është një shtysë për të punuar më shumë në fushën e kujtesës.

E pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte edhe ish-komisionerja për hapjen e dosjeve të STASI-t dhe zëvendëskryetare Bordi e Fondacionit Konrad Adenauer, znj. Hildigund Neubert. Ajo u shpreh se dosjet kur të hapen do të kenë dëshmi për gjërat e frikshme që kanë ndodhur, por nuk duhet harruar që aty brenda do të gjejmë edhe dëshmi të rezistencës.

Ceremonia e shpalljes së çmimeve u moderua nga Eno Popi, njëkohësisht edhe anëtar i jurisë së konkursit. Konkursi shpalli gjithsej 7 fitues: 1 vend të parë, 2 vende të dyta, 3 vende të treta dhe çmimin e rrjetit.

IDMC si organizator i këtij konkursi falënderon të gjithë pjesëmarrësit për interesin e treguar për temën, si dhe partnerët: Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri, Ambasadën Gjermane, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe sponsorin e çmimeve Telekom Albania.

Dita 5, 28 tetor 2016

DITËT E KUJTESËS u mbyllën me aktivitetin me temë: HAPJA E DOSJEVE TË SIGURIMIT – SA MË PARË, AQ MË MIRË. Aktiviteti u hap nga z. Walter Glos, Drejtor i KAS dhe u përshëndet nga z. Bernd Borchardt, Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe znj. Anke Holstein, Zëvendësambasadore e Gjermanisë. Fjalimi kryesor ishte "Hapja e dosjeve – Përmbushja e një detyrimi" nga znj. Hildigund Neubert, Zëvendëskryetare Bordi, Fondacioni Konrad Adenauer, ish-Komisionere për dosjet e STASI-it, Thüringen, Gjermani. Fjalimi i znj. Neubert u pasua nga fjalimet e z. Edmond Spaho, Zëvendëskryetar i Parlamentit, znj. Luljeta Lleshanaku dhe znj. Gentiana Sula, ish-Zëvendësministre e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Paneli I: "Viktimat e SIGURIMIT – Trauma psikologjike deri më sot" u moderua nga z. Adrian Kati, Qendra Shqiptare e Rehabilitimit për Traumën dhe Torturën dhe përfshiu në diskutim z. Ariel Çomo, psikiatër, Universiteti i Tiranës Spitali Qendror, znj. Stefanie Knorr, psikologe, Zyra e Këshillimit "Gegenwind" për të traumatizuarit nga diktatura në Gjermaninë Lindore dhe z. Fabian Kati, antropolog dhe regjisor.

Paneli II: "Aksesi në të shkuarën – Një mundësi për të mos u humbur" u moderua nga gazetari Ben Andoni dhe solli ekperiencat e z. Daut Gumeni dhe znj. Valjeta Dosti Kaftalli, ish-të përndjekur politikë, dhe z. Thomas Raufeisen, ish-i përndjekur politik në Gjermani. Aktiviteti u mbyll me prezantimin e ENCIKLOPEDISË nga z. Çelo Hoxha, nëndrejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

Organizatorë

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Fondacioni
Fondacioni "Konrad Adenauer"

Kontakt

Matilda Karçanaj | Tel: +355 69 268 7226
E-mail – office@idmc.al
Twitter: #MEMORYDAYS2016

www.idmc.al / www.kas.de/albanien

Partnerë kryesorë

Tetori Gjerman

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri
Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës në Gjermaninë Lindore
Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës në Gjermaninë Lindore
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Ministria e Arsimit dhe Sporteve
Ministria e Arsimit dhe Sporteve

Partnerë të tjerë

Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS) • IICCMR Bukuresht • Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, Republika Çeke • Shoqata Europiane e Mësuesve të Historisë (Euroclio) • Forumi i Shërbimit të Paqes Civile (ZFD), Kosovë • Forumi i Shërbimit të Paqes Civile (ZFD), Bosnjë-Hercegovinë • Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit • Instituti për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë • Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë • Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë • Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë në Shkodër • Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër • Instituti Shqiptar i Studimeve Politike • Shoqata "Muzeu Musine Kokalari" • Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë "Të rinjtë dhe historia" • Instituti për Zhvillimin e Arsimit • Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut • Shoqata "Drejtësi dhe Paqe" • Qendra Shqiptare e Rehabilitimit për Traumën dhe Torturën (ARCT)