kujtesa

40 gjimnazistë nga Tirana, Elbasani, Kukësi etj. vizitojnë vende kujtese në jug të Shqipërisë  

Publikuar më

Përmbledhje

Dita e parë, 15 qershor 2021

Vizitë në muzeun "Shtëpia me gjethe"

Projekti i përvitshëm i IDMC, "Topografia e Terrorit", filloi rrugëtimin me vizitën në muzeun "Shtëpia me gjethe". Gjimnazistët nga Rrësheni patën mundësinë të njihen me historinë e shtëpisë, rolin dhe mënyrën e operimit të SIGURIMI-t etj.

Dita e dytë, 16 qershor 2021

Vizitë studimore në vendet e kujtesës në Tepelenë dhe Gjirokastër

Këtë vit 40 gjimnazistë nga Tirana, Elbasani, Kukësi, Shijaku, Peqini, Rrësheni etj. patën mundësi të vizitojnë kampin e Tepelenës, burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe shtëpinë e Musine Kokalarit gjatë ditës së dytë të kësaj vizite studimore.

Grupi me të rinjtë dhe mësuesit e historisë vizituan kampin e internimit në Tepelenë dhe dëgjuan Simon Mirakaj teksa fliste historinë e tij të përndjekjes në këtë vend. Drejtorja ekzekutive e IDMC, Dr. Jonila Godole, dhe drejtori i KAS Tiranë, Dr. Tobias Ruettershoff, përshëndetën të rinjtë dhe bashkëbiseduan me ta mbi rëndësinë e njohjes me të shkuarën komuniste. Të rinjtë ngritën pyetje mbi jetën në internim dhe mbi politikat e zbatuara (ose jo) në fushën e kujtesës.

Në mbyllje, secili nga pjesëmarrësit vendosi një karafil në memorialin e ngritur në mes të kampit, në shenjë nderimi të jetëve të humbura dhe sakrificës së bërë në muret e atij "ferri".

Në Gjirokastër, të rinjtë mundën të vizitonin kalanë e qytetit, brenda së cilës gjendet edhe një ndër ish burgjet e regjimit komunist në vend. Ata njohën historinë e të burgosurve politikë falë Simon Mirakaj, pasi vet guida dhe informacioni në muze mbi këtë periudhë nuk ofroheshin.

Më tej, gjimnazistët mundën të njiheshin me shtëpinë ku ka jetuar Musine Kokalari dhe me jetën e saj dhe të familjes. Përmes kushërirës së saj, Arjeta Kokalari, të rinjtë u informuan në detaje për çdo aspekt dhe fazë të përndjekjes komuniste ndaj Musinesë dhe vëllezërve të saj. Përmes pyetjeve dhe bashkëbisedimeve, të rinjtë mundën të ndërtonin një imazh të plotë të figurës së intelektuales Musine Kokalari.

Në nder të saj, drejtorja ekzekutive, Dr. Godole dhe drejtor i KAS Tiranë, Dr. Ruettershoff vendosën një pllakë përkujtimore në murin kryesor të shtëpisë me informacionin e përshtatshëm për vendin, në mungesë të çdo sinjalistike tjetër që të dëshmonte përkatësinë e asaj shtëpie të Musine Kokalarit.

Gjithashtu, gjatë realizimit të vizitës studimore në Vendet e Kujtesës në Gjirokastër, stafi i IDMC i dhuroi Bibliotekës së qytetit, "Apostol Meksi", një pako me botimet e institutit. Të gjithë mësuesit dhe të rinjtë e zonës mund të shkojnë të shfletojnë librat dhe të studiojnë temat e trajtuara në këto vëllime. Në shenjë mirënjohjeje për pasurimin e Bibliotekës, IDMC-së ju dha një letër falënderimi nga përgjegjësja e bibliotekës, Arminda Mevlani.

Dita e tretë, 17 qershor 2021

Vizitë studimore në vendet e kujtesës në Sarandë

Gjatë ditës së tretë të vizitës, të rinjtë, mësuesit bashkëpunëtor me IDMC dhe ish-të përndjekur politik vizituan Vendet e Kujtesës në Konispol, Mursi dhe Kllogjer në rrethin e Sarandës.

Rajmond Sejko, Vangjush Taho dhe ish të përndjekur të tjerë të zonës ndanë historitë e dhimbshme dhe surreale me të rinjtë, të cilët nga ana e tyre ngritën pyetje, reflektuan dhe nderuan ata që sakrifikuan jetën dhe lirinë për të na lejuar neve të jetojmë në demokraci. Për herë të parë në vizitat studimore të IDMC u përfshi edhe përndjekja e komunitetit çam gjatë regjimit komunist. Përfaqësues së popullsisë çame treguan për përndjekjen, torturat dhe gjithë peripecitë që iu desh të kalonin gjatë gjysmë dekade diktaturë.

Të rinjtë patën mundësi të bisedonin më gjatë me Rajmon Sejkon, nipin e Teme Sejkos, një familje e njohur intelektuale dhe e përndjekur, të cilit i morën edhe një intervistë audiovizive për ta shfaqur në një rreth më të gjerë njerëzish. Gjithashtu, të gjithë vizituan memorialin e Kllogjerit, që ishte kuptimplotë por edhe shumë i dhimbshëm njëkohësisht, me të dhëna emra dhe datëlindje të të vrarëve nga eksodi i popullsisë çame, një pjesë e mirë edhe fëmijë.

Në fund të ditës, mes të rinjve u mbajt një diskutim interesant, shkëmbim idesh, reflektime rreth së shkuarës, ndarja e vizionit mbi të ardhmen dhe fuqizimi i rinisë për përgjegjësi individuale.

Dita e katërt, 18 qershor 2021

Vizitë studimore në ish-burgun komunist në Porto Palermo

Gjatë kthimit, grupi me 40 gjimnazistë dhe mësues nga gjithë Shqipëria vizituan kalanë e Porto Palermos në Himarë, e ndërtuar nga Ali pashë Tepelena dhe e përdorur gjatë regjimit komunist si burg politik. Të rinjtë panë dhomat që patën shërbyer si qeli dhe u njohën me përditshmërinë në atë vend.