25 fituesit e "Pyet Gjyshërit 2" vizitojnë mbi 10 vende kujtese nga Veriu në Jug

Përmbledhje
Dita e parë, 21 mars 2018
Shkolla "Drita e Dijes" viziton "Shtëpinë e Gjetheve" dhe "BunkArt2" në Tiranë
Dita e parë e vizitës studimore të fituesve të konkursit "Pyet Gjyshërit 2" nisi me vizitën në "Shtëpinë e Gjetheve" dhe "BunkArt2", në Tiranë, nga grupi i të rinjve të Beratit, të shoqëruar nga stafi i IDMC-së dhe mësuesja e tyre. Këta të rinj nuk kishin qenë kurrë më parë në këto vende dhe përvoja rezultoi shumë e rëndësishme për edukimin e tyre në lidhje me qasjen me të shkuarën.
Dita e dytë, 22 mars 2018
25 fituesit vizitojnë për herë të parë ish-burgun e Spaçit dhe vendet e kujtesës në Shkodër
Dita e dytë e vizitës studimore në vendet e kujtesës kishte si destinacion veriun, pikërisht burgun e Spaçit dhe Shkodrën. Njëzet e pesë të rinjtë fitues të edicionit të dytë të konkursit "Pyet Gjyshërit 2", të cilët vinin nga 5 shkolla të ndryshme – Tiranë, Vorë, Durrës, Elbasan, Berat – në vizitën në ish-burgun më famëkeq të diktaturës së Hoxhës, patën mundësinë të bisedojnë me Zenel Drangun, dëshmitar i kohës së diktaturës, ish-i burgosur politik me rreth 17 vite burg për arratisje. Vizita në Spaç përkoi me një ditë të ftohtë dhe me shumë erë. Karakteristike për zonën. Drangu nxitoi të saktësonte se, asokohe, i ftohti dhe kushtet e vështira klimaterike shkonin në sintoni me vuajtjet që hasnin të burgosurit, të cilët duhej të punonin me tri turne në minierën e bakrit.
"Jetonim deri në 50–54 vetë nëpër dhoma. Higjiena ishte vështirë të mbahej ndërsa kequshqyerja dhe keqtrajtimi ishin norma e komandës sa herë të burgosurit nuk arrinin normën e nxjerrjes së bakrit."
Ai rrëfeu se çdo sjellje në burg monitorohej në mënyrë të imtësishme nga rojet dhe mund të justifikonte dhunën dhe ridënimin.
Pas vizitës në Spaç grupi u zhvendos në Shkodër, atje ku përmes udhërrëfimit të urbanistes Eltjana Shkreli të rinjtë mësuan më tepër për qytetin. Njohja me ndryshimet urbane dhe arkitektonike që diktoi regjimi atje ishte tronditëse për të ta. Historia e objekteve të tjetërsuara, sidomos ato të kultit, që u kthyen në kinema apo pallate sporti, ishte e pabesueshme. Gjurmët e tjetërsimeve të qytetit u shpjeguan qartë në "Kishën Françeskane" atje ku ndodhej edhe katakombi i At Gjergj Fishtës, apo dhe përballë Katedrales, që gjatë diktaturës qe pallat sporti. Kështu të rinjve iu dha mundësia ta kuptonin realisht terrorin e atij regjimi.
Dita e tretë, 23 mars 2018
Vizitë te Muzeu i fotografisë "Marubi" dhe Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër
Në ditën e tretë të vizitës studimore u vizitua Muzeu Kombëtar i fotografisë "Marubi". Të rinjtë patën shansin të njihnin autorët e disa prej fotografive më domethënëse të historisë së Shqipërisë. Fondi prej 500 mijë fotosh që daton prej vitit 1858 i dha grupit të të rinjve një tjetër kuptim të dimensionit të historisë. Portretet, ngjarjet dhe çastet e dokumentuara në mënyrë të jashtëzakonshme prej Pietro Marubit dhe nxënësve të tij Mat dhe Kel Marubi u lanë atyre plot mbresa.
Pas vizitës destinacioni i radhës qe "Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës", një muze tejet rrëqethës. Historiani Pjerin Mirdita, përgjegjës i muzeut shpjegoi se godina qe ndërtuar në vitin 1930 si një objekt që do t'u shërbente si kolegj fretërve françeskanë. Më pas, fill sapo komunistët morën pushtetin në vitin 1945, në të u vendos Dega e Punëve të Brendshme. Grupi i të rinjve pati mundësinë të shihte dhe objekte origjinale të personave që e kishin vuajtur terrorin që aplikoi regjimi në Shkodër. Fotografitë e disa prej të pushkatuarve dhe të klerikëve që vuajtën përndjekjen e diktaturës i bënë ata të reflektonin. Më tej dhomat e paraburgimit morën edhe më shumë vëmendje. Në secilën dhomë ruheshin ende shkrime të ndryshme mbi mur ndërsa në fund, në errësirën ishte ruajtur edhe dhoma e torturave. Kjo vizitë u dha gjimnazistëve dimensionet reale të regjimit komunist, që ndryshe nga sa trajtohet në librat e shkollave, u mundua të tjetërsojë jo vetëm qytetet por edhe kulturën, jetët dhe zakonet e gjithë vendit.
Dita e katërt, 24 mars 2018
Vizitohet vendlindja e Musine Kokalarit në Gjirokastër dhe Memoriali i Internim-Dëbimeve në qytetin e Lushnjës
Dita e katërt e vizitës studimore në vendet e kujtesës kishte si destinacion jugun, qytetin e Gjirokastrës. Gjimnazistët fitues të edicionit të dytë të konkursit "Pyet Gjyshërit 2" nuk e kishin vizituar më parë Gjirokastrën dhe IDMC kishte parashikuar një tur tejet edukativ për ta. Si fillim turi nisi me vizitën te shtëpia e Musine Kokalarit. Arjeta tregoi historinë e letrares së parë shqiptare, që themeloi Partinë Socialdemokrate dhe u përball me përndjekjen më çnjerëzore të komunizmit. "Ajo nuk e deshte luftën, aq më shumë luftën e klasave. Për këtë, për të promovuar një ideal të bashkëjetesës së të gjitha shtresave ajo, bashkë me një grup tjetër intelektualësh, formoi Partinë Socialdemokrate," tha Arjeta e cila tregoi më vonë internimin dhe jetën e Musine Kokalarit në Rrëshen, atje ku jetoi e vetme e izoluar dhe e detyruar për të raportuar në degë 3 herë në javë.
Pas vizitës në shtëpinë e Musine Kokalarit, vizita më tej në muzeun etnografik ishte një tjetër destinacion i volitshëm, ku u pa jo vetëm tradita, por edhe se si jetohej në një familje gjirokastrite. Pas muzeut etnografik, radha për t'u vizituar ishte shtëpia e Ismail Kadaresë, e cila është rikonstruktuar nga fillimi në vitin 2016-të. Pas vizitës edhe në shtëpinë e Kadaresë, nxënësit patën mundësinë të shijonin sërish qytetin dhe më tej në rrugën e kthimit ndalesa e radhës ishte Lushnja.
Në Lushnjë vizita studimore u ndal pranë memorialit të internim-dëbimeve 1954–1991, kushtuar ish-të përndjekurve. Zona e Lushnjës ishte një nga vendndodhjet e kampeve të internimit në periudhën 1954–1991, ku rreth 32 mijë persona vuajtën përndjekjen e regjimit. Me këtë vizitë grupi i gjimnazistëve u njoh kështu më nga afër me shtrirjen që kishte terrori i diktuar nga Hoxha, pa dallim krahinash, nga Shkodra në veri e deri në Gjirokastër në jug.